Krijimtari

Fata Morgana - Nga Artan Gjyzel Hasani

anije kokëposhtë jemi

nisur për lundrim përmbys

por ne e quajmë fluturim

ngatërrojmë qiejt me detet

hutuar gravitetet

dhe ankohemi përse gjithnjë mbytemi…

sa herë nisemi për udhë

dikush mbetet qyqar

Fata Morgana shpresa jonë e vetme…

shpëtimi i shumëpritur imagjinar…

iluzioni ynë dinjitoz

të cilit i falim jetën tonë

kur s’dimë ç’të bëjmë me të…

sa njerëz vallë nuk duan ta dinë të vërtetën?

një mijë, një milion, miliarda

apo të gjithë?

gënjeshtra kolektive

e vërteta e tyre e vetme

dhe ndihen aq mirë…aq mirë

e kështu lindin kombet haluçinante

që në kohën e tyre të lirë

vuajnë nga migrena dhe prostata

prej nga fillojnë të gjitha krenaritë e bujshme

legjendat dhe historitë…

na ka zënë mallkimi i pathënë i Xhepetos

pinokët qënkan njerëz, or mik…

hunda e tyre sa vjen e rritet…

si një vdekje e drunjtë

nuhat jetën time

dhe pastaj e vyshk…

(nga vëllimi poetik “FATA MORGANA”, 2022)

©artangjyzelhasani