Krijimtari

E në u çmëndsh - Një poemë jo fort poetike nga Artan Gjyzel Hasani

(nga libri "Mëkatari")

1

E në u çmëndsh bëje si askush tjetër, poet!

Çmëndu një herë e mirë e përgjithmonë…

pa bujë…

në heshtje…

në vetmi

i pashpresë të mbetesh,

i pashërueshëm…

me gisht të të tregojnë…

“Ja ai… i çmënduri,

që s’mundëm ta kurojmë…”

2

Bëju i çmënduri i përjetshëm i botës së përkohëshme

ku mënçuria turmat parrezikshmërisht josh

me monotoninë e paçmëndurisë së vet…

Çmëndu poet!

3

Të çmëndesh do të thotë të përkujdesesh për turmën

në mënyrën tënde…

për këtë turmë të neveritshme

si fjala Moral mbi akull shkruar me shkumës…

për këtë turmë të neveritshme

si folja “gënjej” në vetë të tretë shumës….

4

I sheh ata atje? Janë poetët e paçmëndur

Normalët.

Gërmadhat ambulante të normalitetit.

Poetët lepe-peqe.

Kolektivmoralët...

Tellallët e dashurive aseksuale gjithnjë të realizueshme,

zvarranikë që kur qihen shkruajnë “bëra dashuri”

e akoma më keq “fjeta me dikë”…

karit i thonë “penis”

dhe të ëmblës piçkë “vaginë”…

Me lirinë e tyre që nuk zbret dot nën thithin e gjirit.

pretendojnë të zhbirojnë njeriun në thellësitë e tij,

por kanë frikë nga trupi,

mishi dhe lëkura,

nga djersa e epshit dhe

ekstaza e seksit,

frikë nga trupi i tyre

i grave të tyre

i motrave të tyre

i bijave të tyre…

Ata vetë kanë lindur nga sqetulla

dhe gruaja ndër vargje të tyre nuk shfaqet përveçse si

Shëmbëlltyrë e Virtytit

Bijë e palodhur e Moralit

Ikonë e kalkutave shqiptare.

Aseksuale

Pa gjenitale…

5

Poetët e tirazheve

poetët dinjitarë

poetët e çmimeve…

poetët e jurive…

poetët e konkurseve

të vjetshëm

të parvjetshëm

të sivjetshëm

të përjetshëm

poetët e popullit punonjës…

poetët edukativë

poetët edukues

poetët misionarë

poetët e turmës

poetët militantë

poetët e stendës

poetët e antologjive

poetët e reklamuar

poetët e përkthyer

në një

dy

tri

katër

pesë

dhjetë

njëzet gjuhë

gjuhë lope

gjuhë viçi

gjuhë gjarpëri

esperanto gomerësh me turshi golloborde shartuar…

Këta janë ata pra…

të njohurit

të mirënjohurit

të famshmit

elitarët

makbethët

dje LIDHJA E (SH)KRIMTARËVE

sot KLIKA që gjumin ia prish

fantazma akuzuese e Frederik Rreshpjes.

6

Po këta?

Ah…këta janë modernët!

Modernët postmodernë shqiptarë!

Janë shumë dhe shtohen çdo ditë si lepujt

Ata hiqen si të çmendur…

Intelektualë me pantallona të kuqe

xhinse të grisura

shall në fyt në mes të gushtit

flokë të shqetësuar pothuajsemajakovskë

pinë nga pak alkool e me raste marijuanë

dehen dhe rrahin të dashurat lesbike për t’u dukur më trendy…

domosdo Bukovskë…

dhe sidomos…

sidomos …

veshin çorapet një ndryshe e një ndryshe…

Këta janë ata pra…

Çorapendryshmit

poetët e poetekave

poetët e për7shëm

poetët e paevitueshëm…

epidemikë…

pandemikë

si gripi i derrave…

Aleph-ët,

Mehr Licht-ët

Guinsberg-ët nga Ballshi

dhe Blake-ët nga Kuçova

Platt-ët nga Erseka

dhe Atwood-ët nga Bradasheshi

plagjiatët dhe imituesit

nga Soros botuar…

majmunë prej llamarine

bananesh të argjendëta pagëzuar

masturbojnë njëri tjetrin me Beat Generation

dhe shurrën e mburrjes hedhin gjer në re

teksa fshihen me peshqirin e stërpërdorur të Ervinit...

të ish-Ervinit mbase……

7

Po ata të tjerët i sheh?

Ata janë kritikët letrarë.

Me syze pa numër

xham zero…

një diplomë uzbeke në xhep dhe ja:

“Sot do flasim për poezinë brilante të Çel Çulit

39 herë fitues çmimesh

44 herë anëtar jurie

Fleksibiliteti kordial i vokacioneve poetike të pashpallura në terminalet e katër vargjeve të para te poetit tonë të shquar deklamon densitetin asocijativ të kushtëzuar nga metaforat subakute përgjatë një implementimi transversal të fonemave intrasigjente te cilat bashkë me trashendencën e nënkuptuar te vargut neojambik sensibilizojnë për një risi të re te niveleve botërore poetike.”

8

Gjeta mes vargjeve të tyre filozofët e mënçur që shiten rëndom trotuareve…

piktorët brilantë që me dritëhijet ditënetët motmotesh na i sfidojnë…

imazhe marramendëse dalish…kube shtatzëna me qiej mikelanxhelosh

melodi muzikantësh të pavdekshëm që prej kohësh edhe shurdhët i dëgjojnë…

Gjeta karmën dhe nirvanën mes vargjeve të tyre,

taon dhe laon,

budizmin dhe jainizmin,

shramanën dhe brahmanën,

nitçen dhe zarathustrën,

ekzistencialistët dhe nihilistët,

platonët dhe mormonët,

egalitarianët dhe epikurianët,

futuristët dhe ekspresionistët,

bashkë me ta dhe sofistët…

gjeta Borgesin, Kafkën, Tagorën,

diku edhe Kierkegaardin e dëshpëruar,

Shen Agustinin

kutinë dhe Pandorën

e ndonjëherë edhe një Dostojevsk të menduar…

gjeta piktorët në rradhë të vënë

me kryeveprat në duar

kokëulur,

memecë,

ndonjë edhe pa vesh

nga gijotinë e vargjeve të tyre…

9

Por Bota dy herë për të njëjtën gjë nuk habitet,

dhe uji që shkon nuk lag dy herë të njëjtin breg…

gjeta gjithshka të njohur mes vargjeve të tyre,

gjithshka të njohur...të vjetëruar...

gjithshka veç atyre vete…

te panjohurve aq shume të njohur

te vetëquajturve poete…

10

mos u verbo nga madhështia e tyre kurvërisht e shitblerë

dhe në epshe eunukësh muzën tënde mos e kurvëro….

i pafat të ndjehesh nëse të krahasojnë me dikë tjetër,

sikur edhe me më të madhin e të mëdhenjve nëse ky ekziston…

11

Në mundsh bëju pra ti Hera e Parë!

Hera e Parë…

Unikja…

E papërsëritshmja…

E paimitueshmja…

E pakopjueshmja…

E pavdekshmja…

dhe

habitmë

tronditmë

në mundç me vargun tënd vritmë

siç kurrë s’më ke vrarë

e për një çast mes vargjeve më bëj të shijoj

vetminë tënde madhështore...

atë...

vetminë e Herës së Parë…

12

Në u çmëndsh, çmëndu një herë e mirë…poet…

pa bujë…

në heshtje…

në vetmi

i pashpresë të mbetesh,

i pashërueshëm…

e me gisht të të tregojnë…

“Ja ai… i çmënduri,

që s’mundëm ta kurojmë…”

(2010)

©artangjyzelhasani