Krijimtari

Dy poezi të thinjura - Nga Vangjush Ziko

*   *   *

Dëborën e parë mblodha

përpara se të shkrijë,

Stisa statujëzën e fëmijërisë,

i vura berenë e grisur,

shallin tim të ndukur,

çibukun e gjyshit

përzhitur prej prushit

të përrallave.

Papritur çeli buzëve

puthja e parë,

lulkëz alle...

Statujëza shkriu,

nuk shkrinë kujtimet:

mbinë lule,

mbinë dhe gjëmba,

reliket e ngrira

të jetës që thinjet.

*   *   *

U thinja

duke pritur kometën

dhe magët...

Çdo vit gjej

një kukull të artë

në një djep me kashtë,

stolisur me kometë inkadeshente.

Magët politikanë

kanistrat mbushur me fjalë

lyer me ngjyrë të ylbertë,

Shqerëzat njerëz

blegërijnë të dehur

duke kullotur lëndinën

e lumturisë së gënjeshtër.

Shpresa jonë invalid

rilind në pelenat e përgjakura

të luftës së tretë.

©Vangjush Ziko