Exorcism - Nga Artan Gjyzel Hasani
në jetën time të turbulluar kam lënduar
njerëzit që më kanë dashur më shumë…
për sa jetuan ata që tashmë kanë shkuar
për vdekje ata që akoma janë gjallë…
duhet të rrëzoja katedralen, pa vrarë pëllumbin
të këpusja litarin që mbante kambanën
ku kishim fshehur heshtjen e fjalëve kumbuese
dhe parrezikshmërinë sublime të memecit
me mendjen e çartur të hidhja në erë
aromën marramendëse që fluturën dehu
kur zjarret u fikën me ne brenda tyre…
të merrja frymë thellë me mushkëritë e huaja
për të fundit herë
dhe të shkoja symbyllurazi në udhën time…
po ishte e mundur vallë?
udha ime ishte gjithnjë e jotja…
udha jonë - kryqi që mbi shpinë nuk do ta mbanin dot
as dymbëdhjetë shenjtorë që shpirtin ia shisnin djallit
sa herë që bëheshim gati të hidhnim hapin…
pastaj hijet e agonisë zbardhnin
dhe mesnata na bënte një
putheshim gjatë dhe vdisnim puthitur
dy akrepa të palodhur në fytyrë të Kohës
përjetësisht vrarë nga ora dymbëdhjetë e dashurisë…
(nga “IDIOTICUS”, 2022)
©artangjyzelhasani



