Kulturë

Qytet-Shteti në zenitin e vet - Nga Cyril Edward Robinson

  • Published in Kulturë
Nga: Përktheu Flurans Ilia

Kështu pra Athina ra dhe “pranvera iku nga viti”. Historia e Greqisë nuk është më e njëjtë. Aty kanë ngelur ende ca probleme forcërisht me pak interes dhe ndoshta akoma me një rëndësi të madhe - si mjegullimi i Spartës për shansin e saj të dytë si superfuqi, fluturimi i beftë i Tebës për të marrë rëndësi, përparimi i fshehur por i vazhdueshëm i Filipit të Maqedonisë nga gllabërimi i fronit të lëkundur drejt të padiskutueshmes hegjemoni të Greqisë, akoma më tej me kulmin final, shkundjes botërore të pushtimeve të birit të tij Aleksandër dhe shpërhapjes së kulturës helenike mbi trevat e Levantit në Lindjen e Afërme dhe të Largët. Por asnjëherë më pas nuk do e kemi atë kënaqësi të zbulojmë lavdinë e asaj Athine që njohim dhe për të cilën po flasim, akoma më tepër nuk do e shohim atë rrugëkalim brilant që në pak vite të befta ndau lulëzimin komercial të atij Qyteti në Shekullin e Katërt drejt Qytetit krenar imperialist të Shekullit të Pestë.

Pranvera me të vërtetë iku e bashkë me të edhe vera, vjeshta ia behu. Një madhështi e zbehtë ka ngelur e varur në muret e saj. Shkëlqimet e bukurisë së vjetër qëndrojnë ende në melankolinë e rrënimit të saj dhe korrja përfundimtare e gjenisë intelektuale të saj ngelet ende për t’u mbledhur. Por diçka ka vdekur, ia ka mbërritur tjetërsimi i shpirtit, një fazë kalimtare, një ashtu si ata ishin, mu nga thellësia e gjakut, mu nga zhdërvjelltësia e qenies së harruar të rinisë drejt cinizmit, të analizës së brendshme dëshpëruese të epokës së mesme. Jo ky nuk është fundi, pas vjeshtës duhet të vijë dimri, dhe Athina jo më e lirë do mund të bëhet më e pakta thjesht një lëkurë e ftohtë e asaj se çfarë ishte dikur, shtëpia e filozofisë së kulluar, punishtja e dialogut, qendër turistike, akademia e admiruar e adoleshencës së Romës. Por fakti është se Shekulli i Katërt ishte dëshmia e rrënimit dhe gremisja e asaj që ne e quajmë Qytet-Shtet.

Polis - kjo formë politiko shoqërore kaq e veçantë dhe karakteristike e grekëve të antikitetit - ishte pothuajse një fenomen unik i historisë (Roma në ditët e saj të hershme sigurisht është një tjetër shembull, edhe qytetet e Mesjetës në veri dhe qendër të Italisë nuk ishin edhe aq të ndryshme nga kjo tip qeverisje) aq sa ne nuk duhet ta mendojmë në termin modern të shteteve tona sot. Imazhi me të cilin Qytet-Shteti duhet të na vijë në mendje mund të krahasohet me një fshat të mbyllur, me rregulla, në një rrafsh apo luginë, rrethuar me shkëmbinj të shkretuar dhe male shterpë, që mbart qendrën e qytetit dhe kështjellën. Në këtë qytet e gjithë jeta politike e Qytet-Shtetit është e centralizuar te çdo i porsalindur si qytetar i lirë, kudo ku ai banon. Edhe në qoftë se gjer tani ka marrë ose jo pjesë në festat kombëtare. Këtu ai duhet t’i përgjigjet fletëthirrjes për shërbim ushtarak si qytetar i këtij vendi. Këtu, mbi të gjitha, nëse shteti është një demokraci, ai duhet të marrë përgjegjësinë e vet në formatimin e rregullave dhe kornizave të ligjeve të këtij shteti.

Në ditët tona kontributi ynë në jetën politike është zakonisht i mbyllur te ushtrimi i votës në zgjedhjet kuvendare një herë në katër apo pesë vite dhe ndikimi i vendimeve politike mbi përditshmëritë e jetëve tona bëhet tashmë me telekomandë dhe indirekt. Por për një qytetar të Athinës ishte ndryshe. Ai për çdo ditë të ndryshme të jetës së tij si qytetar mund të thirrej për të marrë një vendim nga më urgjentët me një rëndësi qendrore për vet ekzistencën e tij - vendim i cili mund ta shpinte jashtë brigjeve të shtetit për të vdekur ndër ca galera të panjohura, vendim që mund ta shpinte në trevat e kundërshtarit për t’i prerë ullinjtë apo shkartuar fermën, vendim që po qe se do ishte me fat mund t’i sillte një pasuri apo ujëvarë parash.

Në këto kushte pjesëmarrjeje në Kuvend  duhet të ishte diçka tejet jetësore edhe nëse pretendimet e fitimeve nuk ia lejonin këtë ai duhet të shkonte. Kjo nuk ishte gjithçka, atje ishte gjithmonë një shans jo i vogël, si për shembull shfaqja e fatit që të thirrej në shërbim të Dhomës së Këshilltarëve ku për një ditë të vetme në vit ishte radha e tij të ushtronte rolin e presidentit dhe mbante ai vetë çelësat e kështjellës për atë ditë. Cilido që të ishte statusi i tij mundësitë për vende drejtuese ishin të hapura gjithashtu. Sunduesi mund të ishte ambasador në vendet e huaja, kryetar jurie në festivalet dramatike, të kishte të drejtën e kryefjalës në famulli. Pak rëndësi ka që athinasit e merrnin me padurim jetën politike apo që ky tip qytetari ndjente një lloj ngazëllimi të epërm për shtetin e vet shumë më tepër nga çka mundet ta imagjinojmë ne sot.

Privilegji lind detyrimin dhe nëse ai ka marrë krenari nga pozita e tij, si qytetar i Athinës merrte jo më pak krenari në preformizmin e detyrave të tij. Shërbimin ushtarak e shihte si një shoqërues të natyrshëm të qytetarisë së tij edhe nëse si njeri i varfër tërhiqte veç rremat e anijes apo kishte detyrë vendosjen e mburojës midis shigjetarëve. Por edhe për njeriun e pasur në çdo normë koha e paqes sillte mundësi shërbimi. Taksimi direkt ishte jo shumë popullor dhe ishte i pranueshëm vetëm nën nevojat e drejtpërdrejta të luftës, si shpenzimet normale mbi pagesa të zyrtarëve në raport me detyrimet e porteve, gjobat e gjyqeve ligjore dhe përfitimet e minierave shtetërore. Disa segmente të tjera të shërbimit publik mund të ndërmerreshin nga privati, por aty ndihej mungesa e vullnetarëve. Nga ana tjetër skenat e dramës në festivalet dionisiake, provat e korit apo provat muzikale, organizimi i lojërave publike, ndeshjet atletike apo ato të varkave, të gjitha këto ishin të sponsorizuara nga privati.

Në kohë lufte mirëmbajtja vjetore e flotës detare shtetërore furnizohej me ushqime po nga privati dhe në çdo formë tjetër shërbimi shtetëror apo liturgjik aty ndodhej kjo formë e fortë shpirtërore apo formë krahasimi e më të mirës krenari individuale në ushtrim e sipër. Çdo kapiten donte ta kishte anijen e vet më të mirë se ato të komshinjve të vet, çdo kor dëshironte të shihte dramën si fituese të çmimit. Numri i bujarive të liturgjive të tyre në shumicën e rasteve ishte e përmendur nga anët e padive si provë e rekordeve të shkëlqyera të së shkuarës për këtë lloj individi. Trofetë e fituara nga kori i këtij lloj sponsori artistik shpesh ngriheshin me krenari si monumente në disa vende publike të qytetit. “Rruga e Tripodeve” quhej njëra nga këto për hir të dedikimit të këtij çmimi dhe baza arkitekturale e këtyre monumenteve vazhdon të mbijetojë ende edhe sot.

Ky shpirt i admirueshëm i shërbimeve publike na e dëshmon Athinën në shkëlqimin e saj. Ndryshe nga socializmi modern, qytetarët e Athinës nuk besonin në ndërmarrjen e drejtimit të shtetit si formë e vetme unike pa pjesëmarrjen e shtetasve të tij. Ata i urrenin rregullat e panevojshme burokratike me stërzgjatje në zgjidhjen e problemeve. Rregullat ishin të reduktuara në minimum. Skemat financiare po ashtu. Madje edhe xhandarmëria ishte e përbërë nga skllevër të huaj, kaq dukuri unike nuk mund të bëhej për qytetarët e lirë. Mbi të gjitha, ata ishin me të vërtetë mosbesues ndaj “specialistëve”, preferonin më tepër pavarësinë dhe iniciativën e lirë të amatorëve të dashuruar me fushën përkatëse, akoma më tej ata e mbajtën këtë stil pune gjer aty sa, besonin si administrator një tregtar si Cleon me një biznes të rrezikshëm ushtarak, apo një poet si Sofokliu si komisionar i financave. Edhe qeveritarët gjithashtu mirëfillti ishin shërbëtorë të shtetasit jo patriarkë të tij, të përgjegjshëm për çdo ndryshim në Këshillin Qeveritar dhe Kuvend, përgjegjës gjer në fund të mandatit për veprimet dhe sjelljen e tyre prej stërvitori të Qytet-Shtetit.

Liria për Athinasit ishte kredoja e jetës. Në të njëjtën kohë kur (në këtë kontrast qëndron i fshehur suksesi i madhështisë së tyre politike) askush tjetër nuk e jepte veten tërësisht me zemër, trup e shpirt devotshmërish në shërbim të Qytet-Shtetit se sa athinasit krenarë për sakrificat e tyre. Athina nuk ishte vendi i qytetarëve që shmangeshin. Burri që humbte mburojën në betejë ishte prapanica e djemve në rrugët e qytetit. Duhet të kishe një karakter të kulluar pjesëmarrje sipas tyre që të kishe pozicionin tënd shoqëror dhe politik në qytet. Një i vetmuar si Euripidi ishte i ndëshkuar për të mos qenë popullor sepse askush nuk pranohej për moralin e kohës të jetonte veç për veten e tij. Nëse do përpiqeshim me një fjali të vetme të përkufizonim qëllimin e Qytet-Shtetit Helen, ai ishte zhvillimi në maksimum i individualizmit si fuqi fizike dhe intelektuale për të mirën e krejt komunitetit.

Qytetari e stërviste trupin për t’i shërbyer vendit të tij në luftë. E kultivonte intelektin për të luajtur rol të plotë në zhvillimin e kulturës. Pa Qytetin ai ishte asgjë. Qyteti ishte e gjithë ekzistenca e tij. Përjashtimi nga privilegjet e Qytetit ishte një nga ndëshkimet më të tmerrshme, ekzili nga kufijtë e tij gjëma më e madhe në jetë. T’i lavdërosh helenët për patriotizmin e tyre nuk është kompliment. Ishte natyrë e dytë për ta, dhe Perikliu thoshte se ata “ishin në dashuri me Qytetin e tyre njësoj si me të dashurën e zemrës”. Kjo thënie e tij mbresëlënëse u tha në një Fjalim Vdekjeje të njohur dhe dëshmuar për ne sot nga Tukididi. Stili i fjalimit është ai i një historiani. Përmes këtyre rrethanave shfaqet një idealizëm i ekzaltuar nëpërmjet të cilit besojmë se kanë qenë mesazhe autentike të një burri shteti, dëgjojmë jehonë pas jehone domethënien e çdo fjale të përdorur nga ai. Asnjë fjalë tjetër nuk mund të përfshinte kaq mirë qëllimin dhe arritjen e Athinës. Ky fjalim u dha në mbylljen e vitit të parë me luftën kundër Spartës, në kujtim të atyre shtetasve që dhanë jetën në shërbim të atdheut. Por Perikliu shkoi edhe më tej atij qëllimi imediat në atë ceremoni të trishtueshme mortore, pasi ngrohu zemrat e tyre, lëshoi një frymëzues e triumfues fjalim panegjirik për madhështinë e njerëzve të tij. Ai tha : “Kushtetuta jonë quhet demokraci sepse nuk është në duart e disave por në duart e të gjithëve.”  ...

...Imazhi me të cilin Perikliu (ashtu si Tukididi na e sjell) e pikturon për ne sot nuk është një copëz imagjinate. Shpirti i përshkruar këtu ku fjalët tingëllojnë të vërteta mbart më tepër se një dëshmi adekuate në raport me shumë e shumë vepra të shkruara të ardhura drejt nesh. Athina në Shekullin e Pestë ishte pavarësisht turbullirave të saj një vend i lumtur dhe këto ishin ditë të cilat ia vlente të ishe në jetë. Komuniteti i Athinës së epokës së Perikliut mund të vështrohet si shembulli më i suksesshëm i organizimit shoqëror i njohur gjer më tash në histori. Mundet, por me mbylljen e Shekullit të Pestë këto kohëra të lavdishme ikën. Fjalimi me të cilin Perikliu u dha lamtumirën bijve të vrarë në shërbim të atdheut, thellë-thellë ishte epitafi i kësaj Athine gjithashtu. Kompozimet e shkrimeve të Tukididit më pas dëshmojnë se vepra e luftës prodhoi vdekjen e shkëlqimit të Athinës. Çfarë ajo do shndërrohej në shekullin e mëpasshëm nuk do ishte më aq tërheqëse, por është ende edhe sot ndoshta një nga periudhat më interesante të evolucionit psikologjik që mbart Historia.

© Flurans Ilia