Letërsi

Ziko Kapurani, poeti që e donte natyrën si njeriun - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko

Ziko Ll. Kapurani është poet, i cili krijimtarinë e tij poetike ia kushtoi natyrës. Origjina e tij është vllahe. Fëmininë dhe pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në fshatin Floq të rrethit të Korçës në mes të natyrës së virgjër, mes gjelbërimit të korijeve të ahut, të erës së lëndinave të blerta dhe krojeve të kulluara i shoqëruar nga blegërimat e dhenve dhe cicërimat e zogjve, nga meloditë e këmborëve të bronxta. Shkeli mbi vesën e prillit dhe mbi dëborën e bardhë. Vesa e shiut ia lau ballin dhe flladi ia përkëdheli flokët dhe ëndrrat e tij të blerta. Sekretin e poetit e di “grazhdi i lopës (që) e bëri lirik”, “kecat që lëpijnë kripë” dhe “ca dëllinja, një plep”, kurse “zogjtë e fshehur nën shkurre”, zemrën e tij “e mbajnë fije bari për foletë e tyre”.

Midis tij dhe natyrës ekziston një marrëdhënie gati mistike, genuine. Ai e quan “shpirtin e vet” një “binjak” me “vesën e majit” (Vesa e Majit), kurse veten e vet “një govatë të drunjtë” ku rrjedh “simotra e tij” çezma e lugut dhe kumbulla “si nënoke” e lëkundi nën hijen e saj me ninullë.

Një binjakëzim vërtet i rrallë, suigeneris në poezinë tonë.

Natyra është për poetin një mëndeshë e vërtetë. Ajo, mbi të gjitha, i mësoi dashurinë për njerëzit, i mësoi sjelljen bujare dhe moralin e pastër njerëzor:

“Jetën time le pas një brazdë në fushë,

Nga djersa, nga lodhja lyer, stolisur.

Atje si laraskë, që sqepin të mbushë,

Hidhet plis më plis shpirti im i uritur.

Një brazdë të hapur le pas këtë jetë

Lidhur trup e ëndrra nëpër grimca

Shkrirë nën pika shiu nga retë,

Ngrohur nën një diell me dy cica.”

(Brazdë në Fushë)

Natyra i mësoi magjinë e dashurisë intime:

“Nga hapja e çajit më dole aromë,

Dhe mbi tufa hyra thumb i bletës.

Çele në degët e ahishtes së njomë

Të mbetem pinjoll i së blertës

Me shiun e imtë u vare mbi gjethe,

Mbi barin e zemrës më vesove maj,

Në buzë m’u ngjite kur kisha etje

Dhe me ujin që pi në gotë të të mbaj.”

(Dashuria)

DO MË GJENI

Në doni të dini për poetin,

Që grazhdin e lopës bën lirikë,

Ca lajthishte ma dinë sekretin

Dhe keckat që më lëpijnë për kripë.

Pyesni ca dëllinja, një plep,

Zogjtë e fshehur nën shkurre.

Ata zemrën më mbajnë në sqep

Fije bari për foletë e tyre.

Do më gjeni çezmë në një lug,

Të rrjedh në një govatë të drunjtë,

T’ju kthej nga rruga e t’ju puth,

T’ju lag me pak vesë nga sytë.

Në doni të dini më shumë,

Pyesni një kalive nën bregore,

Atje krahët do m’i gjeni shtrungë

Dhe shpirtin gjuhëzë këmbore.

Ziko Kapurani solli binjakëzim vërtet i rrallë, suigeneris në poezinë tonë.

Poeti përcjell në mënyrë metaforike harmoninë e frymëzimit të vet me natyrën. Natyra për të është një qenie e gjallë, kurse poezia është për të një burim i pasioneve të veta njerëzore,

Këtë binjakëzim ai nuk do të kishte arritur ta shprehte kaq bukur pa një gjuhë, jo vetëm artistike, por dhe burimore. Me këtë dua të them se gjuha e tij është në harmoni me natyrën e mendimeve dhe me ndjenjat e tij.

Gjuha është e lidhur ngushtë me realitetin që pasqyron poezia. Ajo është instrumenti i domosdoshëm i pasqyrimit dhe i abstragimit të realitetit.

Gjëja e parë, që më bie në sy, te gjuha e tij, është fjalori i saj fshatarak e baritor: bregore, bahçe, fushë, ahishte, plis, brazdë, blerim, pinjoll, këmborë. blegërimë, kecat, zogjtë...

Bie në sy nga ana tjetër figurshmëria e gjuhës së poezisë plot epitete dhe krahasime organike: pinjoll i blertë, qiell blu, thërmohet si misër, vesa e majit, dhimbja zile verore, retë nuse, hëna shterpë, jeta brazdë në fushë.

Ka shprehje të goditura metaforike: Shpirt i uritur, keckat më lëpijnë për kripë, zogjtë ma mbajnë zemrën në sqep, cullufet e borës, mbi barin e zemrës më vesove maj, thërmohem si si misër mbi gjinjë, mbeti blegërimë mbi bregore, t'ju lag me vesë nga sytë, mbeta xanxari që s'do shalë... gjer në personalizime metaforike të fenomenit të natyrës:

“E ndrojtur Majin mbi supe

Me mollza të buta e puth,

E bukur nga retë zbret nuse,

Të dalim sokakëve krushq.

Më shumë se grimcat e arit,

E ndritur kudo derdh hiret

Se ç'fjalë flori i thotë barit

Që si grua i kërcejnë gjiret.”

Kryesore dhe më e veçanta e ligjërimit poetik të Ziko Kapuranit, është personifikimi i Natyrës. Natyra është shndërruar në adhurim, në Muzë të frymëzimit të poetit.

Kemi të bëjmë kështu me një dikotomi.

Dikotomia nënkupton ndarjen e dy pjesëve të bashkëlidhura që në të njëjtën kohë janë në konflikt midis tyre dhe që shndërrohen në një paradigmë. Poeti shkruan për vete dhe për komunikimin me lexuesin, për botimin e veprës.

Poeti i shquar rus Mandelshtam, i përndjekur nga regjimi komunist, e ruante me shumë xhelozi hapësirën e vet krijuese. Ai ka shkruar: “Gjithçka zhduket. Mbetet hapësira, yjet dhe këngëtari”.

Një gjë e përafërt pat ndodhur dhe me poetin Ziko Kapurani, i cili shkroi në fakt vetëm për vete deri në 1990, sepse, gjatë sistemit komunist nuk iu botua asnjë vëllim. Vetëm në fund të shekullit XX dhe në fillimet e XXI  botoi disa vëllime (në 2012 ndërroi jetë).

Fatkeqësisht, talenti i tij i rrallë, si i shumë të tjerëve, mbetet i pa vlerësuar nga kritika jonë.

P.S. E shkrova këtë shkrim në përvjetorin e kujtimit të nxënësit, të kolegut dhe të mikut tim të shtrenjtë dhe të paharruar.

© Vangjush Ziko