Misteri i frymëzimit poetik - Nga Vangjush Ziko

(Sinops)
Krijimtaria poetike nuk nënkupton vetëm shkrimin e poezisë apo botimin e saj. Shkrimi i poezisë fillon që në çastin e lindjes së frymëzimit.
Frymëzimi, sipas përkufizimit klasik, është një gjendje e veçantë e një personi, gjendje e cila karakterizohet nga produktiviteti i lartë, nga ngritja e madhe dhe përqendrimi i forcës njerëzore, në bazë të së cilës një person duhet të hamendësojë objektin e synuar. Si koncept, ky është një tipar tipik dhe element integral i veprimtarisë krijuese.
Frymëzimi, si një forcë e panjohur, depërton në shpirtrat e poetëve, duke krijuar ura midis botës së dukshme dhe asaj të padukshme, midis realitetit dhe imagjinatës.
Po sjell një fragment nga poezia “Vjeshta” e Pushkinit, ku ku poeti përshkran çastin misterioz kur i lind frymëzimi:
“Në kokë dallgëzohen mendimet guximtare
Dhe rimat lehtësisht vrapojnë në takim,
Dhe dora kërkon penën dhe letrën sa më parë,
Një çast dhe vargjet derdhen me rrëmbim:
Kështu edhe anija dremit në breg e qete,
Por ja, me vrull vërsulen, ngjiten marinarët
Dhe velat u shpalosën, i mbushi er' e detit
Dhe nisi udhëtimin ajo, po i çan valët…
Lundron. Për ku do shkojmë?...”
Ja dhe disa mendime të shkrimtarëve të ndryshëm mbi frymëzimin:
Nuk mund të jetosh vetëm me frymëzim. Pegasi shpesh ecën me hap, por galopon. I gjithë talenti është ta bëni atë të ecë në hapin që ju nevojitet. (Gustave Flaubert).
Nuk duhet pritur gjatë për frymëzim! Poeti është mjeshtër i frymëzimit. Ai duhet ta urdhërojë atë. (Johann Wolfgang Goethe).
Unë nuk besoj te frymëzimi. Unë besoj vetëm që ju punoni dhe nuk mendoni për asgjë tjetër. Ju shkruani dhe shkruani, dhe, përfundimisht, diçka e mirë do të dalë. (Jorge Luis Borges).
Frymëzimi është aftësia për ta sjellë veten në një gjendje pune. (Gabriel Garcia Marquez).
Frymëzimi duhet në poezi, si në gjeometri. Kritiku ngatërron frymëzimin me kënaqësinë. Kënaqësia përjashton qetësinë, si një kusht të domosdoshëm për bukurinë. Kënaqësia nuk nënkupton një fuqi mendore, që bën pjesë në lidhjen e tyre me të tërën. Kënaqësia është jetëshkurtër dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të prodhojë përsosmëri të vërtetë të madhe... (Alexandër Sergejeviç Pushkin).
Ne duhet të mësojmë jo të shkruajmë, por të shohim. (Konstantin Georgieviç Paustovski).
Frymëzimi vjen gjithmonë kur njeriu e dëshiron, por jo gjithmonë zhduket kur e dëshiron. (Charles Baudler).
Lind pyetja se prej nga vjen frymëzimi.
Po e nis nga legjenda mbi Pegasin, kalin me flatra të muzave.
Mitologjia thotë se Pegasi është pjellë e Poseidonit dhe e gorgonës Meduzë. Ky kalë e goditi me thundrën e tij malin Helikon, që lartësohej drejt qiellit, E ndali atë dhe bëri që të shpërthejë nga dheu Hipokreni, burimi i muzave.
Në kohët e lashta, poetët besonin se frymëzimi i tyre vinte nga muzat - qenie hyjnore që u pëshpëritnin vargje poezie. Muzat, që fluturonin mbi tokë, preknin në mënyrë të padukshme të zgjedhurit e tyre, duke u dhënë atyre aftësinë për ta parë botën ndryshe, për të dëgjuar melodi poetike të paarritshme për njerëzit e thjeshtë.
Poetët e lashtë e perceptonin frymëzimin si një dhuratë hyjnore ose ndikim të fuqive më të larta. Kjo ide ishte e përhapur në kultura dhe epoka të ndryshme nga kontinenti evropian e deri te Lindja e largët.
Poetët e lashtë grekë besonin se frymëzimi vjen nga muzat - nëntë vajzat e Zeusit dhe Mnemosinës. Ata besonin se muzat “përcillnin frymë” me frymëzim hyjnor në ta. Kështu ka ndodhur me Homerin që i drejtohet muzës, të cilën Naimi e quan “vashë”, për t’i treguar për trimëritë e Akilit në “Iliadën” e tij.
Poetët romakë, duke ndjekur traditën greke, iu drejtuan edhe muzave, siç ishte muza Eneida.
Në traditën indiane, frymëzimi poetik shpesh besohej se vinte nga perëndesha Sarasuati, mbrojtësja e arteve dhe e njohurive mbi botën.
Poetët kinezë shpesh e lidhnin frymëzimin me natyrën dhe rendin kozmik. Ata kërkonin të arrinin harmoninë me natyrën për të fituar frymëzimin.
Në mitologjinë norvegjeze, arti poetik konsiderohej një dhuratë nga perëndia Odin, i cili mori mjaltin e poezisë.
Bardët keltë besonin se frymëzimi i tyre vinte nga perënditë dhe shpirtrat e natyrës.
Një vizion modern, gati mitologjik, ka për frymëzimin Nikolla Tesla: “Truri im është një aparat marrës. Në hapësirën kozmike gjendet një bërthamë prej nga ne nxjerrim dituri, fuqi, frymëzim. Unë nuk kam depërtuar në të fshehtat e kësaj bërthame, por e di që ajo ekziston”.
Në shumë kultura të lashta, poetët shiheshin si ndërmjetës midis botës hyjnore dhe asaj njerëzore. Ata besonin se perënditë ose fuqitë më të larta flisnin nëpërmjet tyre.
Frymëzimi shpesh perceptohej si një gjendje e ndërgjegjes së ndryshuar ose çmendurisë hyjnore, gjatë së cilës poeti fitonte qasje në të vërtetat dhe bukurinë më të lartë. Ky koncept i frymëzimit hyjnor ka pasur një ndikim të thellë në zhvillimin e poezisë dhe të artit në përgjithësi.
Jehona e tij gjendet edhe në krijimtarinë shqipe.
Derada i referohet “lumbardhës”, muzës që “rron në temp e motshme”, si burim frymëzimi.
Për Naimin është “engjëlli, që zbriti nga qielli”, që i frymëzoi poemën epike për Skënderbeun.
Për Gavril Darën, një qënie konkrete njerëzore: “o ti bijë, bijë e Lalës më trego për monë e shkuar”.
Po ta marrim poezinën e Lasgushit “Zog i qiejve” si një metaforë alegorike, Zoti bëhet frymëzuesi: “Këng' e tij (bilbilit) ngjan kulluar porsi këng' e Zotit vetë”.
Dashuria, kjo ndjenjë e natyrshme e një personi, një lidhje dhe aspiratë e thellë ndaj një personi ose objekti tjetër, një ndjenjë simpatie të thellë. Është, gjithashtu, një nga burimet më të fuqishme për frymëzimin e poetit.
Vetë jeta, përditshmëria njerëzore, apo ngjarjet historike janë një stimul i përhershëm frymëzimi për poetët shqiptarë, të kaluar dhe bashkëkohorë.
Një rast i veçantë në poezisë tonë është frymëzimi ndryshe i poetit avangardist Moikom Zeqo. E fshehta e frymëzimit të tij poetik mund të shpjegohet vetëm me apofeninë. Apofenia rezulton një fenomen psiqik dhe krijues, i cili dëshmon mundësinë e evolucionit të procesit krijues përtej caqeve të njohura, duke i hapur kështu shtigje të reja krijimtarisë artistike bashkëkohore. Frymëzimi i Moikom Zeqos vjen nga kudo: nga muzat dhe nga natyra, nga dashuria dhe nga thellësia e shpirtit të poetit, nga realiteti aktual historiko-shoqëror dhe nga ai kozmik.
Ka edhe raste kaq të veçanta dhe të habitshme, siç ndodh me poetin e madh portugez Ferdinando Pessoa, i cili ka një diagramë të jashtëzakonshme polivalente të frymëzimit të tij. Ai e ka fragmentizuar frymëzimin, ka përdorur dyzet pseudonime. Pessoa është quajtur një mrekulli e shekujve ende e pazgjidhur. Ai e plotëson frymëzimin e vet duke e fragmentizuar.
Shkalla e frymëzimit ka të bëjë me përvojën individuale emocionale, kulturën dhe ndërgjegjen vetjake, të cilat bëjnë diferencimin midis mënyrës së shprehjes të botës së brendshme, të ndjenjave, të mendimeve dhe të përjetimeve komplekse njerëzore.
Frymëzimi është një gjendje, një magji, kur fjalët vijnë vetë, duke u renditur në vargje, duke e bërë poezinë një pasqyrim të botës shpirtërore dhe intelektuale të krijuesit të saj dhe vetë poetin një magjistar të fjalës poetike.
Çdo person ka përjetuar një gjendje frymëzimi të paktën disa herë në jetën e tij - ngritjen shpirtërore, freskinë, perceptimin e gjallë të realitetit, plotësinë e mendimit dhe vetëdijen për fuqinë e tij krijuese. Po, frymëzimi është një gjendje rreptësisht funksionuese, por ka ngjyrimin e vet poetik, nëntekstin e tij, do të thoja, poetik. Frymëzimi na hyn si një mëngjes vere i ndritshëm, vetëm duke hequr mjegullat e një nate të qetë, i spërkatur me vesë, me gëmusha gjethesh të lagura.
Frymëzimi është si dashuria e parë, kur zemra rreh fort në pritje të takimeve të mahnitshme, të syve të paimagjinueshëm të bukur, i buzëqeshjeve dhe i trishtimeve. Atëherë bota jonë e brendshme akordohet hollësisht dhe me saktësi si një lloj instrumenti magjik dhe i përgjigjet çdo gjëje, madje edhe tingujve më të fshehtë, më të padukshëm të jetës.
Frymëzimi vjen nga thellësitë e shpirtit të poetit, nga ato qoshe të errëta dhe të kthjellëta, që mbeten të fshehura për sytë e të tjerëve. Këto janë momente reflektimi, kthimi i vëmendjes së poetit nga vetja ose ndërgjegjja e tij, në veçanti, te produktet e veprimtarisë së tij, si dhe një rimendim i tyre i ndërgjegjshëm kur ai zhytet në përjetimet dhe kujtimet e veta.
Poezia avangardiste bashkëkohore bashkërendit dukuri të kundërta të gërshetuara: “lëvizjen e mendjes” dhe “frymën e shpirtit” duke i zgjeruar kështu përmasat e frymëzimit nëpërmjet abstragimit.
Në të gjitha rastet, frymëzimi e ysht poetin dhe bën që çdo fjalë e tij të shndërrohet në një pasqyrim emocional të botës së tij të brendshme, të ndjenjave apo të gjykimit të vet mbi jetën dhe mbi botën, që na rrethon.
Frymëzimi mbetet një mister.
Frymëzimi, siç kanë thënë, është një temena, por jo Mekë.
Emi Li thotë: “Muza fluturuese si pëllumbeshë, gjithmonë na hedh diçka. Kujt një glasë, dikujt frymëzimin”.
Po e mbyll këtë përmbledhje të mendimeve dhe të opinioneve të ndryshme në kohë dhe në epoka të ndryshme mbi frymëzimin me fjalët e Tomas Edisonit: “Gjeniu është një përqind frymëzim dhe nëntëdhjet e nëntë përqind djersë”.
© Vangjush Ziko