Kulturë

Kujtojmë Vedat Kokonën në 105-vjetorin e lindjes  

  • Published in Kulturë
Nga: Eriola Agalliu

Vedat Kokona lindi më 7 gusht të vitit 1913, në një qytezë të Izmirit, në Turqi. Origjina gjirokastrite e familjes bën që në moshën 7-vjeçare ai të kthehet në atdhe e të ndjekë mësimet e para, fillimisht në Tiranë e, më pas, në Liceun Francez të Korçës. I diplomuar për drejtësi në Universitetin e Sorbonës, Kokona bëhet pjesë e intelektualëve liberalë të viteve ’30-’40, në vendin tonë, të cilët angazhohen në shtypin e kohës mbi tema të ndryshme social-kulturore.   

Edhe pse me një krijimtari të pasur letrare si: poet, publicist, tregimtar, dramaturg e romancier, ai njihet, më së shumti, si përkthyesi brilant i kryeveprave botërore në shqip, nga gjuhët: frënge, angleze, ruse, etj..

I dashuruar pas Lamartinit, Shatobrianit, Hygoit, Floberit e Mopasanit, Vedat Kokona sjell në botën shqiptare përveç autorëve të mësipërm, edhe Shekspirin, Gollsuorthin, Dikensin, Gorkin, Tagoran, etj.. Nga ana tjetër, ai përkthen në gjuhën frënge edhe poetë të ndryshëm shqiptarë. Mes tyre janë vargjet e Naimit, Serembes, Fishtës, Mjedjes, Asdrenit, Lasgushit, Migjenit, Kadaresë, Agollit, etj., të cilat Kokona i bëri të prekshme për lexuesit e botës perëndimore, duke i bërë njëkohësisht shërbimin e fundit kulturës letrare shqipe.

Në një intervistë të dhënë, në vitet e fundit të jetës, pyetjes këmbëngulëse të gazetarit: Cila është vepra që ke më për zemër? Mos vallë përkthimet shqip nga letërsia botërore?, ai i përgjigjet: Po, përkthimet. Por jo ato që thua ti, megjithëse janë vërtet shumë të mira. Janë ato që bëra nga shqipja në frëngjisht. Francezët janë ekzigjentë, sidomos në letërsi. Kur i pëlqyen ata,  pata gëzimin më të madh.”  (intervistoi: Xhuvi, B., “Mehr Licht”, nr: 8, 1998, f. 15.)

Në respekt të veprës, po sjellim për lexuesit e flasshqip.ca poezinë e njohur me titull “Poradeci” nga Lasgush Poradeci në të dyja versionet shqip dhe frëngjisht, shkëputur nga përmbledhja me titull “Lule të pavenitura” (“Fleurs impérissables”) – poetë shqiptarë nën përkthimin e Vedat Kokonës.

Një homazh për eruditin e letrave shqipe në ditën e 105-vjetorit të lindjes.

                   

Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir,

Po përhapet dal-nga-dale një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,

Dyke zbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir...

 

E kudo krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në Katund kërcet një portë... në Liqer hesht një lopatë...

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë...

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

 

Tërë fisi, tërë jeta, ra... u dergj... e zuri gjumi...

Zotëroj më katër anë errësira...

                                                 Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi...

Sur le lac immense et calme... (Poradeci)

Sur le lac immense et calme le couchant fluide luit.

Une nappe tissée d’ombres se déploie indolemment,

Et la cendre incandescente qui descend du firmament,

Sur les monts et les prairies doucement s’évanouit.

 

Et partout la plaine immense plonge et gît dans le silence,

Au village claque une porte… une barque glisse légère;

Au sommet du Mont Aride plane un aigle solitaire,

Dans mon âme mon cœur s’abîme enivré d’adolescence.

 

Tous les gens, toute la vie sont plongés dans le sommeil;

Partout règnent les ténèbres… c’est la nuit… Et,

                                                         maintenant,

Commençant sa randonnée à travers l’Albanie,

Drin-le-vieux, le fabuleux prend sa source à Shëndaum.

 

 ©Flasshqip.ca