Kulturë

Të gjitha rrugët të çojnë te vepra

  • Published in Kulturë
Nga: Ardian Vehbiu

Në shumë seriale thriller, si ato që transmetohen nga Netflix, Amazon, HBO dhe kanale të ngjashme, narrativa zakonisht shtjellohet sipas modelit standard të detective story (whodunit), ku shikuesit nuk i lejohet të dijë më shumë se disa pak personazhe kryesore me të cilët identifikohet. Ose më mirë, shikuesi është i detyruar të presë.

Kam vënë re se ka dy mënyra, në thelb të kundërta, si konsumohen këto produkte: një kategori shikuesish përpiqen ta marrin me mend zgjidhjen ose çelësin, duke ecur hap pas hapi me detektivin, ndonjëherë madje edhe duke e anticipuar nga pak. Një kategori tjetër e shpërfill tundimin “problem-zgjidhës” dhe e shijon misterin si të tillë, pa e vrarë mendjen se kush ose çfarë mund ta ketë shkaktuar.

Unë i përkas kësaj kategorie të dytë, por më qëllon të përplasem me kategorinë tjetër, e cila nuk mund ta konceptojë konsumin narrativ të thriller-it pa spekulimet paralele – pa çka se këto spekulime shpesh përfundojnë në qorrsokakë (sidomos kur autorët e skenarit kanë futur aty red herrings). Dhe kur shpjegoj se mua më jep kënaqësi edhe padija, ose potenciali për t’u kapur gjithnjë në befasi nga zgjidhja (dénouement), më përgjigjen se atyre u jep kënaqësi angazhimi total në zbulimin e misterit, ose anticipimi narrativ.

Besoj se ky dallim në qasje ka lidhje edhe me mënyrën si i zgjidhim problemet që na dalin në jetë, edhe me modelin që ndjekim kur konsumojmë art. Nëse unë e shijoj narrativën si të ishte një pjesë muzikore, ndërsa ai tjetri e shijon si sfidë intelektuale, njëlloj ndodh edhe që unë ta shijoj një problem matematik për elegancën – ose inventivën e formuluesit; ndërsa tjetri të kënaqet në momentin që ia gjen zgjidhjen.

Më ka ndodhur të jem përfshirë në debate të ngjashme, në lidhje me mënyrën si i konsumojmë veprat e artit kur nuk ua zotërojmë kodet: për shembull pikturën moderniste ose muzikën simfonike. A mund të komunikojë vepra me ty përtej dhe pavarësisht nga rrafshi refleksiv? A mund ta shijosh një pikturë të Jackson Pollock-ut thjesht duke e kundruar, pa ditur gjë për sfondin kulturor dhe intertekstual të atij stili dhe atij artisti?

Këtu më kujtohet një tregim i Dritero Agollit, ku rrëfimtarit i shkon në shtëpi një bashkëfshatar i moshuar dhe ky i vë për të dëgjuar, në gramafon, një sonatë të Beethoven-it – në mos gabohem, për violinë dhe piano. Dhe ky fshatari, gjysmanalfabet, pasi e dëgjon sonatën deri në fund, psherëtin dhe thotë: “e shkreta grua, sa ka hequr.”

Tagged under Ardian Vehbiu