Filozofia e heshtjes
- Published in Kulturë
- Nga: Rexhep Qosja
Ekzistojnë filozofia dhe estetika e fjalës së shkruar dhe e fjalës së folur, por ekzistojnë edhe filozofia edhe estetika e fjalës së heshtur dhe e mendimit të fshehur. Filozofia dhe estetika e fjalës së shkruar dhe fjalës së folur kanë një traditë mjaft të gjatë, janë të zhvilluara tek popujt e ndryshëm dhe të pajisura me aspekte të ndryshme prej të cilave i shikojnë dhe trajtojnë çështjet e kompetencës së vet.
Lirisht mund të pohohet se filozofia dhe estetika e fjalës së shkruar dhe të folur kanë çelësa të ndryshëm dhe, madje, kallauza me të cilët e deshifrojnë objektin e hulumtimit të vet duke ua bërë pakashumë të qartë individëve të ndryshëm që për të interesohen. Filozofia dhe estetika e fjalës së heshtur dhe mendimit të fshehur, ndërkaq, edhe në qoftë se kanë farë tradite, atëherë kjo është një traditë e varfër, të cilën e përbëjnë ide, mendime fragmentare, dhe gjeste të rralla të disa individëve, që nuk kanë nguruar të persiasin edhe për fenomenin e heshtjes i cili manifestohet në mënyra të ndryshme dhe frymëzohet prej qëllimesh, shpesh, të ndryshme. Dhe, ç'është e vërteta, nuk është aspak e çuditshme pse fjala e heshtur dhe mendimi i fshehur e kanë modeste dhe të varfër superstrukturën e vet: është në natyrën e njeriut që më me qejf të mirret me atë që e sheh, që e dëgjon, që e prek, që e ndjen, që e shijon se sa me atë që as s'e sheh, as s'e dëgjon, as s'e prek, as s'e ndjen e as s'e shijon drejtpërdrejt, ndonëse mund t'ja shohë, dëgjojë prekë, ndjejë dhe shijojë pasojat.
Për njeriun e rrethuar nga bota materiale, bota e gjësendeve konkrete, është disi e vështirë të mendojë për asgjënë dhe të merret me asgjënë, sado edhe asgjëja mund ta ketë metafizikën e vet. E heshtja është një asgjë, një hiç, një asgjë dhe një hiç për syrin, për veshin, për shqisat e prekjes, megjithëse është diçka me pasojat e veta për ndërgjegjen dhe marrëdhënjet njerëzore. Heshtja, pra, është asgjë, hiç sa i përket ekzistencës së saj materiale, fizike, por është diçka sa i përket pasojës, reflektimit. E kjo domethënë se edhe me heshtjen, me fjalën e heshtur dhe mendimin e fshehur, mund të thuhet diçka, diçka e rëndësishme apo banale, e sinqertë apo e rrejshme, e ndershme apo imorale, revoltuese apo oportuniste. Jo rastësisht, prandaj, mund të dëgjohen shpeshherë njerëzit duke bërë pyetjet: përse dikush hesht?
Individi që vendos të mendojë rreth fjalës së heshtur dhe mendimit të fshehur të njeriut që nuk e ka për zakon të hesht shpeshë apo që është i ftuar ta thotë mendimin e vet, që ta ketë më të qartë fenomenin e heshtjes doemos shtrëngohet të shtrojë edhe pyetjet, që e plotësojnë atë të parën: e që janë: kush është ai që hesht? Në cilin moment hesht? Cili është shkaku i heshtjes së tij pikërisht në atë moment? Përse sot është i disponuar të heshtë, kurse dje ishte aq i zëshëm? Ose, përse sot është aq i zeshëm, kurse dje e kishte kyçur gojën me nëntë brava? Pyetjet e këtilla është e domosdoshme të shtrohen për arësyen e thjeshtë se vetëm me përgjigjet që do t'u jepeshin mund të kuptohet më mirë heshtja e njeriut, e në radhë të parë e krijuesit, për heshtjen e të cilit edhe është fjala në këtë mes.
Njerëzit në përgjithësi dhe krijuesit në veçanti heshtin varësisht prej kontekstit konkret historik, shoqëror, social, moral, politik e të tjera dhe një pohim i këtillë, me të cilin, besoj, mund të pajtohen shumica e atyre që duan të mendojnë rreth heshtjes, sjell përfundimin se fenomeni I heshtjes së krijuesit mund të shikohet prej disa aspektesh: prej aspektit filozofik; prej aspektit estetik; prej aspektit etik; prej aspektit psikologjik; prej aspektit politik; prej aspektit sociologjik, e të tjera, kurse secili aspekt mund të jetë interesant, apo jo varësisht prej vetë natyrës së heshtjes dhe kontekstit të saj. Në njërën anë kjo domethënë se heshtja ka filozofinë, estetikën, etikën, psikologjinë, sociologjinë dhe politikën e vet; në anën tjetër, kjo domethënë se ka forma të ndryshme të heshtjes, që poaq sa janë të kushtëzuara prej kontekstit konkret shoqëror poaq janë të kushtëzuara edhe prej motivesh konkrete individuale.
Po të bëhej njëfarë sinteze e formave të heshtjes, dhe të shikoheshin ato në relacionin me botën e jashtme, opinionin, atëherë do të mund të thuhej se janë tri forma kryesore të heshtjes: heshtja si gjest filozofik, heshtja si pozë intelektuale, dhe heshtja utilitare. Një formë, dikur e njohur dhe prej opinionit e respektuar e heshtjes, është e ashtuquajtura heshtje si gjest filozofik. Për këtë formë të heshtjes nuk janë të aftë të gjithë njerëzit për arësyen e thjeshtë se të gjithë njerëzit nuk mund të jenë filozofë, ose, thënë më drejt, për këtë formë të heshtjes janë të aftë njerëzit me prirje të rralla jo vetëm intelektuale, por edhe morale. Një prej shembujve tipike të krijuesit që hesht për arësye filozofike, domethënë si mendimtar, është filozofi i njohur grek Diogjeni. Bashkëkohësit e tij kanë lënë shënime se ky filozof i rrallë ishte mbyllur në një tinar, që i mjaftonte trupit të tij, dhe me këtë gjest të çuditshëm donte ta manifestonte edhe botëkuptimin e vet. Flitet se si me një rast Aleksandri i Maqedonisë, pasi kishte dëgjuar për këtë gjest të çuditshëm, e kishte vizituar filozofin plak, që bënte një jetë ashtu asketike dhe e kishte pyetur se çfarë të mire do të donte t'i bënte. Diogjeni i ishte përgjigjur fare shkurt, dhe fare filozofikisht: “Mos ma zë diellin!”
Nuk besoj se mund të gjenden shumë njerëz, qoftë as krijues dhe filozofë, që zemërlehtë do të hiqnin dorë prej një mirësie, që do t'ua bënte një personalitet i tillë si Aleksandri i Maqedonisë. Diogjeni ishte mbyllur në tinar si filozof, me qëllim që pikëpamjet e tij stoike t'I dëshmonte edhe në një mënyrë të tillë konkrete. Domethënë Diogjeni donte me shembullin e jetës t'u qëndronte konseguent bindjeve të veta etike dhe filozofike. Duket se gjesti filozofik i Diogjenit është një prej përpjekjeve të para në historinë e mendimit perëndimor që “teoria” të lidhet edhe me “praktikën”. Megjithëse rasti I Diogjenit është rasti më i njohur dhe më i popullarizuar në historinë e filozofisë, dihet se edhe mendimtarë të tjerë kanë vepruar në mënyra të ngjashme. Refuzimi i filozofit italian, Xhordano Brunos, dhe reformatorit çek, Jan Husit, që t'i mohojnë bindjet e veta para autoriteteve kishtare dhe politike të kohës së tyre në të vërtetë është një gjest filozofik dhe dëshmi e njësimit të mendimit me veprimin praktitik. Megjithëse që të tre këto shembuj u takojnë shekujve të shkuar, heshtja si gjest filozofik nuk mund të quhet plotësisht anakronizëm as në kohën tonë, pavarësisht pse ditët tona kërkojnë më tepër angazhim praktik prej krijuesve sesa kohët e shkuara.
Si fjalën e shkruar dhe të folur, ashtu edhe heshtjen do të ketë gjithmonë mjaft motive që e kushtëzojnë. Kështu, për shembull, në kohën e kultit të individit, shumë filozofë, shkencëtarë dhe shkrimtarë sovjetikë kanë heshtur përgjithmonë ose, së paku, për një kohë të caktuar vetëm e vetëm pse nuk kanë mundur ta thonë lirisht mendimin e vërtetë. Ata kanë heshtur ose të dëshpëruar njëherë e përgjithmonë - dhe një heshtje e këtillë i ka sjellë në apati intelektualë, ose që të presin ditë më të mira kur do të mund të shprehen lirisht - dhe një heshtje e këtillë është vetëm akumulim për shpërthime të mëvonshme.
Përse kanë heshtur një varg filosofësh, shkencëtarësh dhe shkrimtarësh sovjetikë në kohën e Stalinit? Sigurisht për arësye se nuk kanë mundur të pajtohen me ndjekjet e njerëzve të pafajshëm dhe të ndershëm, me shuarjen e lirive të qytetarëve, me sistemin policor të pushtetit, në njërën anë dhe pse po ta kishin ngritur zërin do ta humbnin kokën, në anën tjetër. Heshtja e tyre në njëfarë mënyre ishte heshtje aktive dhe përmes saj ata e demonstronin mospajtimin e vet me sistemin burokratik-policor. Në atë mënyrë ata tregonin se ç'mendonin, çka donin dhe çka s'duronin, por në atë mënyrë edhe nuk e rrezikonin, ose nuk e rrezikonin shumë ekzistencën vetjake.
Të heshtë krijuesi në momentet historike kur nuk mund të thotë mendimin e vet ashtu siç e mendon, kur nuk mund t'i thotë të vertetës e vërtetë dhe gënjeshtrës gënjeshtër është një gjest i çmuar, moralisht i lartë, ashtu sikundër është një gjest i pamoralshëm të flasë krijuesi ashtu sikundër nuk mendon, t'i thotë të vërtetës gënjeshtër dhe gënjeshtrës e vërtetë vetëm e vetëm që të përfitojë nga konjuktura momentale.
Në krijimtarinë letrare në Kosovë i kemi të dy këto raste: kemi krijues si Esad Mekuli, që kanë heshtur pse s'kanë mundur të shprehen lirisht në periudhën etatiste-burokratike, por kemi edhe “krijues”, që kanë belbëzuar pa pushuar vetëm e vetëm që të shpërndajnë sa më shumë komplimente e më vonë kanë ngarendur t'i korigjojnë qëndrimet e veta - nëse kanë pasur ndonjëherë farë qëndrimesh - vetëm e vetëm që të përfitojnë diçka në klimën e re demokratike.
Nuk mund të dyshohet se letërnxirësit, që i janë qepur fjalës së shkruar të frymëzuar prej motivesh komerciale apo thjesht karrieriste, nuk janë të aftë për heshtjen si gjest filozofik. Për një heshtje të tillë, filozofike, shpesh është e nevojshme një kurajo e madhe qytetare, një moral i lartë, një karakter i fortë, që nuk i kanë protejt e shumtë të kësaj bote, që e konsiderojnë jetën dhe shoqërinë si një arenë, nëpër të cilën do të defilojnë me sukseset e tyre individuale, familjare dhe shoqërore.
Ata s'mund të harrojnë se jo rrallë, po aq sa mund të jetë e rrezikshme fjala mohuese dhe refuzuese, po aq mund të jetë e rrezikshme për autorin e saj edhe heshtja e krijuesit, sepse, gjithmonë janë gjetur dhe do të gjenden shpirtëra të shitur, që do ta shtrojnë pyetjen profane: përse filanfisteku hesht pikërisht sot, e deri dje nuk e kishte adet të heshtte?!
Forma e dytë e heshtjes ishte e ashtuquajtura heshtje si pozë intelektuale dhe heshtjet e këtilla janë mjaft të shpeshta qoftë ndër radhët e qytetarëve të rëndomtë, qoftë edhe ndër radhët e krijuesve. Ngjet kështu për arësye se numri i qytetarëve dhe i krijuesve që duan pozat është shumëfish më i madh sesa numri i njerëzve dhe krijuesve meditativisht të disponuar. Çdo krijues që hesht për arësye se i pëlqejnë pozat në të vërtetë është i vetëdijshëm se, për shikuesin, heshtja është shprehje e pjekurisë, stabilitetit dhe mençurisë. Heshtjes si pozë intelektuale dhe krijim i iluzionit të mençurisë, prandaj, gjithmonë i nevojitet auditori i shikuesve dhe i dëgjuesve dhe heshtja e këtillë manifestohet, rëndom, nëpër mbledhje, tubime, bankete, ndeja dhe vende të tjera publike.
Heshtja si pozë intelektuale shumë shpesh maskohet si heshtje e gjestit filozofik, megjithëse brirat e saj doemos e shpërthejnë maskën: etja për pozë dhe publicitet mund të jetë shumë subtile, por nuk mund të fshihet plotësisht. Kështu, fjala vjen, ekzistojnë krijues që ju shmangen tubimeve, deklaratave publike, diskutimeve të hapura, jo pse janë nga natyra heshtakë, por pse ashtu dëshirojnë t'ju vishet epiteti i njerëzve që flasin pak, ose nuk flasin fare vetëm e vetëm pse janë më të mençur sesa rrethi në të cilin i kalojnë ditët e tyre të bardha si Zeusi mitologjik në majen e Olimpit. Në të vërtetë, ata përpiqen t'i krijojnë heshtjes aureolën e modestisë, por nuk është vështirë të vërehet se aureola e modestisë së tyre është thurur prej luleve të një kryelartësie dhe megalomania të tmerrshme, për të cilën, mendojnë, nuk mund të jetë askush i vetëdijshëm.
Heshtja e këtillë, e përshkuar prej ngjyrash të rrejshme të modestisë, pafajsisë, dhe virgjinitetit do të zbulohet vetëm atëherë kur të konstatohet se autori i saj hesht para foltores, por nuk hesht edhe në rastet kur foltorja nuk ekziston. Në rastet e këtilla heshtja është vetëm një paravan pas të cilit bën gjumin e saj të lehtë strategjia dinake e reklamës. Në botën perëndimore, ku format e reklamës janë studjuar me zellin dhe seriozitetin më të përkushtuar të sociologëve dhe të psikologëve, është fare mirë e njohur edhe forma e reklamës dhe publicitetit me anën e mohimit të reklamës dhe të publicitetit. Në qoftë se pas etjes për reklamë dhe publicitet mund të fshihet shpesh kompleksi krijues dhe mungesa e prirjes, po ashtu, pas heshtjes mund të fshihet etja për reklamë dhe publicitet, domethënë poza intelektuale.
Nuk është e vështirë të konstatohet se ndërmjet modestisë së rrejshme dhe heshtjes si pozë intelektuale, në njërën anë dhe etjes për publicitet dhe reklamë, në anën tjetër, ekziston vetëm një hap i vogël, të cilin më së shpeshti e bëjnë ata që nën lëkurën e engjëllit fshehin djallin.
Të gjithë njerëzit, si as të gjithë krijuesit nuk janë të aftë për heshtjen si pozë intelektuale. Edhe për këtë formë të heshtjes duhet pasur një prirje të caktuar, e në radhë të parë prirje e skenës artistike. Për çdo pozë duhet njëfarë prirje, pavarësisht pse kjo është prirje banale, dhe shkrimtarët me talent krijues, zakonisht, nuk janë të pajisur me këtë prirje aq të shpeshtë në jetën njerëzore. Në qoftë se nuk e frymëzon interesi, heshtja si pozë intelektuale nuk mund të quhet gjithmonë e pamoralshme, por mund të quhet qesharake dhe e marrë. Heshtja si pozë intelektuale është, pra, një ves njerëzor, sikundër janë lavdërimi, snobizmi, rrena për sport dhe veset e tjera të vogla, që nuk u sjellin të tjerëve dëme të mëdha, por i bezdisin.
Forma e tretë e heshtjes ishte e ashtuquajtura heshtje utilitare, të cilën e frymëzojnë interesa të caktuara në një moment të caktuar historik ose, më në fund, në një situate të caktuar shoqërore. Kjo formë e heshtjes në të vërtetë është forma më problematike si në pikëpamje të motiveve që e nxisin, ashtu edhe në pikëpamje të pasojave që e pasojnë. Kjo heshtje është problematike edhe sa i përket konstatimit të saj: është vështirë të thuhet se përse një krijues hesht në një situatë të caktuar: se dëshiron të përfitojë nga “kompromentimi” i të tjerëve, që flasin dhe angazhohen për një çështje të caktuar; se dëshiron të çelë rrugën për ngritje eventuale; se nuk dëshiron të krijojë kundërshtarë eventualë apo se, më në fund, nuk dëshiron të gjendet në nishanin e vrojtimit kritik të të tjerëve. Pavarësisht se cili do të jetë motivi i heshtjes, megjithëse këto motive shpesh shkojnë bashkarisht, është e sigurtë se heshtja e tij është utilitarisht e paramenduar.
Nuk është i vogël numri i njerëzve dhe krijuesve që flasin kur nuk duhet dhe tek nuk është e nevojshme, por që heshtin me qëllim pikërisht në momentet kur duhet të thonë fjalën e tyre. Ata janë posaçërisht të zëshëm në disa rrethe të mbyllura, nëpër kafene dhe trotuare me miqtë dhe shokët e vet, por janë posaçërisht të heshtur atëhere kur do të duhej dalë në foltore.
Nuk mund të mohohet se ndër varietetet e shumta të tipeve njerëzore gjenden edhe të tillë që nuk mërziten për asgjë dhe u rri gjithmonë ora dymbëdhjetë, por numri i tyre është fare i vogël në krahasim me numrin e atyre të tjerëve, që heshtin si demagogë, oportunistë dhe, gjoja, qytetarë luajalë. Dhe këta heshtakë zakonisht heshtin vetëm publikisht, por veprojnë nën tokë: i mërzisin të tjerët, u mbajnë ligjërata të fshehta, ua hartojnë strategjinë dhe, mandej, kapardisen për ngadhnjimin e një të bëre të caktuar.
Në këtë botë, mjerisht, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë individë e, madje edhe krijues që e kapin zjarrin me mashë. Për ta nuk ekzistojnë parime të etikës, por vetëm parime të levërdisë, demagogjisë, oportunitetit, servilizmit. Dhe, këta shpirtëra të mallkuar, kur janë posaçërisht dinamikë, të shkathët dhe të qëruar prej skrupullash i sjellin moralit shoqëror po aq dëm se edhe ata që gjenden vazhdimisht në anën e kundërt të barikadës. Mund të thuhet kështu për shkakun e thjeshtë se edhe heshtja utilitare në të vërtetë është një formë e angazhimit, por e angazhimit djallëzor në shërbimin e të keqes.
Prej këtyre tri formave të heshtjes, prandaj, mund të respektohet vetëm heshtja si gjest filozofik. Por ka arësye të mjafta të përbuzen ata që heshtin kur duhet të flasin, ata që flasin çfarë s'duhet folur kur është e nevojshme të heshtin, po aq sa ka arësye të mjafta që të përbuzen ata që mjerimin e tyre intelektual dhe kotësinë shpirtërore i kënaqin duke i përfolur të tjerët.
Shpresoj se lexuesit e mi do t'i kuptojnë këto fjali dhe do të pajtohen - shumica dhe do të revoltohen - pakica. I siguroj se pakica janë lënda e këtij eseu, që nuk është shkruar me qëllim të përmirësimit të tyre, meqë ata janë pjekur dhe djegur duke heshtur kundruall foltores dhe duke u çjerrë nëpër kafene, por me qëllim të frymëzimit të kolegëve të mi të pendës që ta pasurojnë letërsinë shqipe me tipe të reja. S'është e drejtë të kemi vende të zbrazura në galerinë e tipave negativë letrarë kur i kemi të plotësuara të gjitha vendet e galerisë jetësore.
Nga libri “Panteoni i rralluar” - 1972











