Kulturë

Vangjush Ziko, figurë e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës shqiptare

  • Published in Kulturë
Nga: Vangjush Saro

Shkrimtari, dramaturgu dhe përkthyesi i njohur Vangjush Ziko, është një prej atyre shembujve, kur autori, njeriu i letrave, përgjatë shumë e shumë viteve karrierë profesionale artistike, vjen te lexuesit dhe entet, te antologjistët dhe historianët e letërsisë, me një portret të vetin, si një emër i spikatur dhe që tashmë koha e ka vendosur në një vend të dukshëm dhe të rëndësishëm.

Është për këtë arsye që, duke iu rikthyer edhe njëherë shënimeve letrare të mëparshme, ndoshta në një tjetër dimension, gjej sërish rastin të flas me lexuesit dhe botuesit për dinamika e cilësi që janë përherë të lakmuara, si individualiteti artistik, vektori bindës i krijimtarisë, thjeshtësia e qasjes në publik, të qënit i rëndësishëm në një komunitet shkrimtarësh dhe në një reliev kulturor, që pjesërisht paraqitet i brishtë dhe i paqendrueshëm. I them këto, për shkak se vërtet historinë e bëjnë ngjarjet më kulmore të artit dhe krijuesit e artit, por gjithnjë, sot më shumë se kurrë, kjo realizohet në një raport të vështirë me të përditshmen e lodhshme dhe me situatën e rënduar nga grafomania dhe prurjet e rastësishme.

Protagonisti i këtyre shënimeve, poeti i njohur Vangjush Ziko, është një krijues shumëplanësh, që po lë gjurmë në disa gjini e lloje të artit, prandaj, mendoj, shënime të kësaj natyre janë një ndihmesë për historianët e kulturës, të letërsisë në veçanti, si dhe për krejt komunitetin e interesuar në tema të tilla.

Pak fjalë për jetën

Vangjush Ziko ka lindur në qytetin e Korçës, në vitin 1931. Pasi kreu arsimin e mesëm në qytetin e tij të lindjes, shkrimtari i ardhshëm vazhdoi studimet e larta pranë Institutit të Letërsisë “Maksim Gorki”, në Moskë. Pas kthimit në atdhe, Vangjush Ziko punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Ka qenë gjithnjë i pranishëm në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës e më gjerë, si dhe në Degën e LSHA, duke u bërë gjithnjë një mbështetje për kolegët dhe sidomos shkrimtarët më të rinj.

Vangjush Ziko ka botuar dhe shfaqur rreth tridhjetë vepra: Poezi, drama e skenare filmash, monografi dhe përkthime. Ai është gjithashtu autori i një sërë studimeve, ka shkruar esse dhe shënime letrare, ndërkohë që është bashkautor i disa teksteve të letërsisë. Edhe pse i nderuar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, si dhe me “Kurora e Krijimtarisë 2006” nga Klubi Letrar “Bota e Re”, në vështrimin tim, krijimtaria dhe kontributi i tij intelektual qëndrojnë shumë më lart nga sa është vlerësuar deri më tash nga institucionet apo entet shoqërore. Por kjo nuk e ka kufizuar a kushtëzuar potencialin e tij letrar.

Aktualisht, prej disa kohësh, jeton në Toronto (Kanada).

Qasja (lirike) e poetit të njohur në skenë dhe ekran

Është një gjë e njohur afëria e poetëve me teatrin dhe filmin. Janë disa emra të spikatur të letërsisë botërore dhe asaj kombëtare, që kanë kontribuar njëherësh në poezi dhe në gjininë e dramës e të skenarit, çka me sa duket, lind si një nevojë jetike për t’u shprehur në mënyrë lirike edhe në këto arte.

Vangjush Ziko, ka qenë mik i teatrit dhe filmit që herët. (Mund të kujtojmë disa nga dramat e vëna në skenë nga teatri “A. Z. Çajupi”, Korçë, si “Rruga e madhe”, “Martesë pa dasmë” etj.) Duket se lidhja me teatrin dhe filmin, nuk kanë qenë të rastësishme dhe kalimtare për autorin. Tash së fundi, ai erdhi te lexuesi dhe ithtarët apo krijuesit e këtyre arteve, me një botim të disa prej dramave më të rëndësishme të tij. Ndër to, mendoj, në mënyrë të veçantë bie në sy drama “Motra Katerinë”; (tashmë e njohur dhe e vënë në skenë nga trupa profesioniste e teatrit “Andon Zako Çajupi”, Korçë).

Drama “Motra Katerinë” është një histori familjare, e shkruar me lirizëm, për më tepër me shumë vërtetësi dhe pa ngarkesa ideologjike. Drama shtjellon disa konflikte (e raporte të përmbysura njëherësh) në kushtet e një jete e të një sistemi, ku mbijetesa krijon mosmarrëveshje e të çara që kushtojnë. “Motra Katerinë” është me të vërtetë një shkollë e konceptimit të dialogut, monologut, heshtjes, konfliktit dramatik, vizatimit të situatave në të cilat veprojnë personazhet, linjave të heshtura dhe të ngarkuara me nënkuptime; (p.sh. historia e pianos, qiraja dhe shitja e saj). Ngjarjet në dramë zhvillohen pa bujë, por me shumë tension, në një pritje të vazhdueshme për çfarë do të ndodhë më pas; të mbetet në mendje brishtësia e asaj jete dhe e atyre marrëdhënieve, gjithaq disa personazhe të skalitura mirë: Katerina, Andoni, pronarja e pianos, etj.

Të veçanta në pamjet që përcjellin, janë edhe dramat “Trëndafili i vetmisë” dhe “Taverna Pandora”. E para, është një poemë për dashurinë; pak personazhe, shumë jetë. E dyta, ku po ndalem disi, edhe pse na flet për kohët antike dhe për personazhe të tillë, për mitet gjithaq, (Prometeu, Pandora, Kaini, etj.,) heq paralele me kohën tonë, me çdo kohë pse jo, duke zbuluar konfliktin dhe mospërputhjet midis heroit dhe turmës së shitur tek interesi i vogël. (Prometeu: “Jeni të pasur me veset tuaja.”) Sado që në dukje ka një shtresë a sfond pothuaj epik, drama është e mbushur me shfrime e shaka, me sentenca të ndjera, me dialog të gjallë dhe perjetime lirike; madje, është një nga ato punë, ku shpesh drama përzihet me komedinë. Kjo veçanësi, e bën edhe më interesante pjesën dhe zgjon dëshirën për ta parë atë në skenë; le të shpresojmë se regjisorët e sotëm dhe teatri shqiptar do ta kenë në vëmendje këtë “tavernë” të vuajtjes dhe argëtimit, të dyshimeve dhe alegorive fine.

Mund të kujtojmë ndërkaq, se edhe te filmi artistik televiziv “Zambakë të bardhë”, realizuar shumë kohë më parë, megjithë ngarkesën e disa klisheve të imponuara, ndjehet sensi meditativ, janë të pranishëm elementet lirikë dhe dëshira për të ëndërruar, çka i jep ngjyra poetike filmit. Po ashtu, është interesante dhe fisnike qasja plot dashuri e nderim te figura e personazhit kryesor, një vajzë e çiltër, e zgjuar sa edhe e bukur, që do të flatrojë në jetë, duke çmuar, adhuruar më mirë, botën e shkencës, përkatësisht atë të bujqësisë intensive; edhe pse në kushte të caktuara, në një perimetër të limituar nga vetë sistemi, gjëra të njohura tashmë nga lexuesit dhe shikuesit, i gjithë ky pasion i vajzës ëndërrimtare konvertohet në njëlloj krenarie të tepruar, që më në fund “përshtatet” me modelet e kohës.

Qasja e Vangjush Zikos në teatër e film, veças kjo përmbledhje me drama - publikim i Amazon - janë një “akt” i rëndësishëm i veprës letrare të poetit të njohur, akt që, më në fund, rikonfirmon disa dukuri e tipare të qenësishme të personalitetit krijues të tij.

Monografitë: Kultura, historia, gjeografia dhe… shpirti

Është e natyrshme, një autor me përvojë dhe që ka shumë për të thënë, do t’i kushtohej patjetër edhe monografisë. Ç’është e vërteta, në këtë gjini, shpesh ka vetëm tentativa; duke qenë përmidis dokumentit dhe fjalës së shkruar, monografia lyp mjeshtëri e sens mase. Ky zhanër duket sikur i mëshon trashëgimisë kulturore, historisë, gjeografisë; dhe kjo është e vërtetë, por lënda lipset të shkojë te lexuesit përmes interpretimesh të qarta e të ndjera, si ta themi, duke përfshirë në krijim edhe shpirtin. Mendoj që nga parime këso udhëhiqen e ndërtohen edhe monografitë e shkrimtarit Vangjush Ziko.

Ndër këto kontribute, vjen libri “Korça” (Mbresa dhe Kujtime). Është një bisedë e gjatë, plot informacion dhe emocione njëherësh, për qytetin e bukur në Juglindje, për kulturën e tij, për traditat, të cilave autori u shërben deri te detaje e terma të tilla, si sofatet, çezmat, serenatat, karnavalet, duke mos lënë mënjanë as edhe frazeologjinë e spikatur korçare. Një libër i shkruar me shumë dashuri.

Autori do t’i rikthehej adhurimit të tij për Korçën edhe në një tjetër monografi; në atë me titull “Himni i dashurisë korçare”. Libri është një poemë për historinë e serenatave dhe të autorëve të tyre, për meritat dhe vlerat e padiskutueshme që mbart qyteti i Korçës në këtë temë; është jo vetëm një model monografie, por edhe njëlloj muzeu - i konceptuar dhe i realizuar në letër - i një tradite kulturore e shpirtërore të spikatur, krejt të veçantë. Përzgjedhja me delikatesë e materialit dokumentar, gjuha e pasur, korrektësia profesionale, janë disa nga tiparet e këtij libri, që shoqërohet edhe me tekstet e shumë serenatave, si dhe foto të autorëve e interpretëve të tyre. Janë të gjitha mundësitë që këto arritje të autorit në lëmin përkatës, të jenë më mirë në fokus të programeve shkollore dhe të studimeve që mbulojnë këtë disiplinë apo që merren me çështje kulturore e të muzikës dhe lirikës në veçanti.

Në parathënien e librit, midis të tjerave, autori nënvizon: “U zgjova edhe unë në këtë moshë të thinjave të bardha dhe hodha në letër kujtime, rrëfime, zëra dhe emra, që do të mbeten legjendë e papërsëritshme, një ëndërr që nuk do ta harrojë kurrë qyteti im.” Sigurisht, miti i serenatave nuk është vetëm pronë e qytetit që i lindi dhe i ushqeu ato me shpirtin e tij; tashmë, ai i përket kulturës mbarëshqiptare, është një nga aktet më lirike e të ndjeshme të historisë së vështirë të artit tonë.

Një tjetër prurje e rëndësishme e autorit në këtë lëmë, është edhe libri “Dardha - Legjenda e Feniksit të Pyllit”. Një monografi gjithaq interesante e autorit, një libër për Dardhën, fshatin e njohur e të lëvduar, natyrisht me meritë. Është një (pothuaj) qytezë malore, me një bukuri të rrallë natyrore. Ndodhet 20 km në juglindje të Korçës, në një lartësi prej 1. 344 m mbi nivelin e detit. Dardha dallon për historinë e saj interesante; për pasuritë dhe jetën qytetare në vite; për klimën e shëndetshme, gjelbërimin dhe freskinë në verë, por edhe për dëborën si një përparësi për zhvillimin e sporteve dimërore.

Duke filluar nga historia e miti - autori thotë se legjendës së njohur po i shton vetëm fjalën “pyll”, ngase ajo të vjen nëpër mend më së pari duke kujtuar Dardhën, natyrën e saj - spektri i vëzhgimit në vite, vjen e pasurohet. Monografia zgjeron perimetrin e vet, duke na treguar bindshëm për trashëgiminë e vyer të një fshati aq të njohur, për traditat e tij në fushën e fotografisë dhe ikonografisë, për personalitete të spikatur nga kjo trevë, për histori, dokumente, krijime artistike, të gjitha të sjella me shumë dashuri e profesionalizëm.

Është një kontribut, që meriton vlerësime dhe nderim, sikundër e gjithë krijimtaria e këtij autori.

Pedagogu dhe përkthyesi

Që pas kthimit nga Moska, ku kreu studimet në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki”, Vangjush Ziko punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, dhe pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli”, në Korçë. Dhe krahas kësaj, në vite, është po kaq e madhe dhe e rëndësishme ndihmesa e tij në formimin e shkrimtarëve dhe poetëve të rinj, me përvojën e tij, me këshillat profesionale, me shembullin e figurës së poetit fjalëpakë e modest, por një profesionist si të pakët mund të ishin në ato vite.

Të pakët janë gjithashtu edhe emrat e përkthyesve të cilët mund të rrinin përkrah këtij emri; si për vëllimin e madh të punës e të botimeve, aq edhe për veçanësinë e përkthimit. Duke qenë poet, Vangjush Ziko pothuaj i ka rikonceptuar lirikat dhe gjithë lëndën tjetër që ka përkthyer. Ai ka përkthyer dhe botuar përmbledhje të veçanta të autorëve nga më të njohurit: A. S. Pushkin, S. Esenin, E. Jevtushenko, si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vëllime), ku janë përfshirë rreth pesëqind poezi nga më se treqind poetë rusë; ata iu takojnë periudhave letrare nga fillimi i shekullit XVIII, deri në fund të shekullit XX.

Vangjush Ziko vazhdon të përkthejë gjithaq me pasion e profesionalizëm edhe poetë të shekullit në të cilin jetojmë. Ai ka përkthyer edhe një sërë drama, nga autorë ndër më të njohurit. Është një kontribut dhe një përkushtim që meriton notën më të lartë dhe mirënjohje. Po mjaftohem me këtë pohim, pa u shtyrë më tej në sjellje dhe episode ku vëmendja ndaj profesorit duhej të ishte në të tjera kuota; (ndonjëherë, bindemi dhe, në të njëjtën kohë, ndjejmë keqardhje që aq shumë mosnjohje e provincializëm ka ndër ne). Por sërish, kjo nuk e ka dobësuar aspak trajektoren e një jete e krijimtarie të pasur.

Prozë që shkon krahas gjithë ndjeshmërisë lirike të autorit

Proza është një nga gjinitë e rëndësishme, që gjithashtu na flet për arritje serioze në krijimtarinë e shkrimtarit të njohur Vangjush Ziko. Krahas disa monografive, si ajo për qytetin e lindjes dhe, më tej, për serenatën, etj., vepra që u prezantuan shkurtazi edhe më sipër, autori ka botuar gjithashtu librat në prozë “Bezhani”, “Dardha” dhe “Borëbardha Flokëthinjur”. (Romancë kanadeze) Thjeshtësia, fryma humane dhe stili poetik, kanë spikatur në të gjitha krijimet e tij, edhe përtej poezisë. Autorin e shqetësojnë dhe e inspirojnë motive të vendlindjes, Korça dhe Shqipëria, por edhe jetët dhe fatet njerëzore në hapësirat e atdheut të dytë, Kanadasë. Edhe në këtë rafsh, Vangjush Ziko është i veçantë në mënyrën se si qaset te lexuesi, duke e përcjellë ngjarjen a meditimin si një bisedë, duke poetizuar me masë dhe pa bujë.

Një nga botimet më të rëndësishme të tij në prozë, është së fundi libri “Thërmimi i Niagarës” (Amazon, 2018) Në skicat, tregimet dhe esetë e këtij libri, që në një titull të dytë mund ta gjenim si një poemë për emigracionin, ka gjetje interesante, mall, dashuri, përvoja, motive e ndjesi të pakonsumuara e, siç edhe pritej, të realizuara me një frymë poetike. (S’mund të ndodhte ndryshe, përderisa jemi në hapësirat krijuese të poetit të njohur.) Në libër, ka edhe dyzime, brengë, merak, ka përpjekje për të kuptuar transformimet në jetën njerëzore dhe në natyrë, dukuritë e reja, përvojat vetiake dhe ato të të tjerëve, në kohë e në vende të ndryshme të botës, por më së shumti në Kanada, ku autori jeton prej disa dekadash.

Prozat e Vangjush Zikos, në veçanti ato të këtij botimi, janë të mbushura me mendim, dlirësi e dashuri për jetën dhe njerëzit; ato janë të shkruara thjesht e pa maniera. Në to, nuk ka askund kërkime false e poza, por vetëm rrëfim e meditim të sinqertë, ëmbëlsi në komunikim e, mbi të gjitha, thjeshtësi klasike, që vetëm një autor i spikatur mund ta ofrojë. (“Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi.” Gëte)

“Flamuri me gjethe panje”, “Windchill”, “Sinfonia e rrugëve”, “Një kartolinë”, “Autobuzi”, “Vetmia e trëndafilave”, “Jehona e një kënge”, “Vetmia jonë moderne” “Bjerrë dëborë e bardhë”, “Kanadezja”, “Thërrmimi i Niagarës”, etj., jane të gjitha krijime të hijshme dhe që të trazojnë e qetësojnë njëherësh. Me shumë finesë, përcillet ndjesia e nderimit dhe e veçanësisë së flamurit kanadez, një gjethe: “Ajo ngjan me një pëllëmbë njeriu, thotë autori, një pëllëmbë fisnike që u zgjatet bijve hallexhinj të të gjitha kontinenteve dhe racave dhe i fton ata në prehërin e vet, duke u premtuar të gjithëve punë, barazi dhe miqësi, pa asnjë dallim ngjyre dhe feje midis tyre.” (“Flamuri me gjethe panje”) Në shumë nga këto proza, autori vizaton peizazhe, si te “Simfonia e rrugëve” “Meditim buzë liqenit”, etj. (Jemi gjithnjë në natyrën e tij poetike.) Tipari tjetër që bie në sy menjëherë, duke shpjeguar qartazi frymën poetike për të cilën u fol më lart, është prania e heroit lirik. (“Windchill”/ Vetmia e trëndafilave”, etj.)

Personazhet e librit “Thërrmimi i Niagares” janë të tillë që lexuesi e ka të lehtë t’i përfytyrojë. Diku vijnë si portret, (“Shëmbëlltyra e xha Kocit”); diku gjetkë ata rrëfejnë një jetë; më tej, i shohim në kërkim të një enigme, që zgjidhet në fund... Në prozat e V. Zikos, krahas përzgjedhjeve tematike dhe mesazheve atdhetare, ka përherë një ngarkesë njerëzore, çka i bën më të afërta episodet, ndihmon që të përcillen sa më besueshëm ngjarjet dhe të portretizohen më mirë personazhet. Në tregime si “Kanadezja”, “Molla buzë Arktikut”, “Hamshori Nakllan”, etj., krahas rrëfimit intrigues, fillojnë e vizatohen karaktere. Nuk mungojnë në vëllim edhe dramat e mbartura nga vendlindja. (“Gjakmarrja”) Po ashtu, dramat nga jeta e emigrantit, nga përpjekjet e mundimshme për t'u integruar në jetën e re. (“Një zog i krisur emigrant” etj.)

Tregimet dhe skicat e V. Ziko janë të mbushura me detaje jetësore dhe shumë sinqeritet. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” K. Goldon) Le të shohim me këtë sy skicat “Balada e një kokrre qershie”, “Aeroporti Pearson”, etj. Idetë dhe mesazhet qëndrojnë mbi një kolorit stilistik, ku bien në sy epitetet, krahasimet, pyetjet retorike, apostrofat; ngjizja e mendimeve në një re artistike, që bie shi të shëndetshëm, është pjesë e mjeshtërisë së fituar në vite dhe e dëshirës për t’i ndarë mendimet dhe ndjeshmëritë me lexuesit, përmes emocioneve që vetëm arti mund t’i krijojë. Ndonjëherë, midis preokupimeve të tij, shohim edhe trishtimin. Në esse si “Gardhet”, “Hosana, internet”, “Vetmia jonë moderne”, etj. autorin e gjejmë pikërisht të trishtuar, madje mjaft kritik me denigrimin e dëshirës për ndryshime dhe ide të reja; apo ngase teknologjia dhe jeta virtuale e kohës, kur bëhen qëllim në vetvete, dëmtojnë mbretërinë e ndjenjave dhe të intimitetit të vërtetë, duke e deformuar njeriun, qenien si të tillë.

Temat dhe ngjarjet që përshkruan autori diktojnë njëfarësoj edhe në stilin dhe qasjet e tij artistike. Për shembull, “Tempulli”, është shkruar me qetësi, në një meditim të përmbajtur, sikur po realizon një vizatim në heshtje, ashtu si kishat të japin njëlloj prehjeje... Por ndonjëherë, autori i ngre tonet e ligjërimit, bie fjala kur i duhet të shtrojë çështje të rëndësishme të emigrimit (“O tempora! O mores!”) apo kur shkon te një temë kaq shumë e diskutuar sot, siç është lëvizja e lirë dhe prurjet e kësaj dukurie, përzierja e racave, mbijetesa në… një autobuz (sikur një shtet) që udhëton me personazhe, ëndrra dhe realitete, gëzime dhe shpresa, probleme gjithaq; (“Autobuzi”). Ndonjëherë ngjarja apo gjendjet e caktuara përcillen nga personazhe të tretë, siç ndodh në tregimin “Një kartolinë”, ku personazhet e vërteta janë disi në largësi, duke u përfytyruar më tepër se sa realë a të cekur nga pena e autorit, madje pothuaj të bërë një me mesazhin e dhimbshën që përcjell tregimi.

I gjithë libri është qetësisht i lexueshëm; gjetjet interesante, sensi poetik, fryma humane, këndvështrimi paqësor e qytetar, thjeshtësia, por edhe dramaciteti, janë cilësitë që e bëjnë të tillë. Gjuha e librit është e pasur dhe e pasuruar nga një jetë e përvojë tjetër; ajo e jetës në emigrim. Është një gjuhë e thjeshtë, mjaft komunikuese, e trazuar ndonjëherë me krahinizma, si për t’i shtuar koloritin dhe nostalgjinë; në shumë episode të prozës së tij, ato shkojnë bukur dhe shkrihen me të tërën, sidomos në tregime të tilla si “Kanadezja”, “Molla buzë Arktikut”, etj.

Më ka pëlqyer gjithnjë të citoj shkrimtarin e njohur H. L. Borges: “Nuk doja që librat e mi të lexohen me detyrim, sepse lexim dhe detyrim janë dy fjalë kundërshtuese; leximi duhet të jetë një kënaqësi, dhe një kënaqësi nuk duhet të jetë e detyruar; ajo duhet të jetë diçka që kërkohet vetvetiu”. Kjo i përshtatet më së miri edhe prozës së Vangjush Zikos, prozë që vjen si një plotësim i mëtejmë i relievit letrar të autorit; një pasuri që e lartëson emrin e tij dhe rri mirë në të tërën e veprës.

Poeti

Megjithë këto kontribute të çmuara, në gjini e zhanre të tjera të krijimit, poezia ishte dhe mbetet fjala e “parë dhe e fundit” e Vangjush Zikos, gjinia ku ai ka krijuar tashmë strehën e vet, arti ku ai ka shkëlqyer dhe shkëlqen më së shumti.

Duke mos harruar ndihmesën e tij në vitet ‘60 - kur, siç kam shkruar edhe herë tjetër, bashkë me I. Kadarenë, D. Agollin, F. Arapin, A. Shehun, Dh. Qirjazin, më pas J. Bllacin, etj., thyen monotoninë dhe vargëzimin kallp të autorëve të mëparshëm (fjala është për ata më skematikët) dhe prunë në letërsi më shumë lirizëm dhe art - edhe në dekadat e mëpasme Vangjush Ziko përcolli te lexuesi një poezi të meditimit, mbrujtur me ndjenjat më të mira për qytetin e lindjes, për vendin ku jetoi, për dashuritë, brengat, njerëzit e punës, natyrën, etj.

Ashtu siç kam pasur rastin të shkruaj edhe herë tjetër, e rëndësishme është të vlerësojmë se duke kapërcyer vitet, Vangjush Ziko diti të lexonte realitetin me mendjen e vet. Atë asnjëherë nuk e tërhoqi fraza e angazhuar; i qëndroi besnik rafshit ku ndjehej më mirë: Lirikës. Në veçanti, pas vitit ‘90, jo thjesht për shkak të përmbysjes së shumë normave e të vetë rendit, por edhe ngase fillon një jetë krejt tjetër, në një tjetër kontinent, Vangjush Ziko i jep poezisë së tij një dimension të ri. E. Jevtushenko thotë: “Poezia është si një zog, ajo i shpërfill të gjithë kufijtë”. Shtegtimi ka qenë inspirues edhe më parë, në jetën dhe në vargjet e Vangjush Zikos; por realiteti në hemisferën tjetër, ashtu si për të gjithë krijuesit shqiptarë që ndërruan “fole”, solli jo pak risi.

Le të ndalojmë për një vështrim më nga afër në këtë lëmë. Poezia, shpresoj të jem pranë së vërtetës, është ndër artet më avangarde në gjuhën shqipe. Numri i madh i atyre që lëvrojnë poezinë, nga më të njohurit deri te amatorët, nuk e zhbën dhe nuk e denatyron këtë të vërtetë. Tek emrat që sjellin prurjet e tyre në këtë lëmë, gjithnjë si unë e shoh këtë pamje, ka të përbashkëta dhe dallime. Vangjush Ziko është një nga poetët tanë lirikë më të spikatur; ai vargëzon shumë natyrshëm, pa maniera, por gjithnjë me një mendim a vizion të rëndësishëm, që ua beson metaforave.

Nga viti në vit, Vangjush Ziko e përsosi lirikën e peizazhit, atë të dashurisë, ndërtoi - me thjeshtësinë që karakterizon tërë krijimtarinë e tij - poezinë e mendimit dhe të qasjes në motive filozofike. Me të drejtë, poetesha R. Moisiu thotë në një shkrim të sajin se poezia e tij “dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike”. Këtë konstatim e shohim edhe në shënimet letrare të shkrimtarit dhe kritikut F. Terziu. Midis të tjerave, ai thotë: “Vangjush Ziko sjell bashkërisht njohurinë dhe vizualen, për të ndriçuar më tej atë që i ndërlidh të dy këto koncepte filozofike në poezinë e tij.”

Po vazhdoj të ndalem edhe në cilësi e shfaqje të tjera të artit të tij. Ashtu si gjithë poetët e lindur, Vangjush Ziko nuk e heq asnjëherë nga vëmendja tablonë e vendlindjes; gjithaq fëmininë, kur siç thotë ai, “Purtek' e mënjollës/ më bënte kalorës.” (Fëminia) Ai ka shumë për të treguar dhe e bën këtë përmes gjetjesh të mrekullueshme: “Më hodhi dimri/ duke shkundur retë,/ kristalet e bardha/ mbi thinjët e mia./ Thinjë/ mbi thinjët që pata./ Me ëndrra rinie/ u gdhi nata.” (Thinjët e dimrit) Ai shkruan kaq mjeshtërisht dhe në mënyrë të natyrshme, tejet njerëzore, për stinët e jetës, veçmas për dashurinë. “E mban mend/ kur shëtisnim bashkë të dy/ sikur ishim në një tjetër yll.” (Ato çaste) Si një poet me kulturë të gjerë dhe përvojë të pasur, edhe në këtë episod të rëndësishëm të jetës ai ndalet jo thjesht në ngjyrën rozë të dukurisë, por e shikon atë në gjithë spektrin dhe gjerësinë e duhur, e ndjen thellë, është i ndërgjegjshëm për “historinë” e saj; romantizmin dhe dhimbjen pakgjë i ndan.

Përkthyesi L. Prifti, midis të tjerave, i shkruan autorit për këtë aspekt: “Për guximin apo lirinë e pakufi në problemet e sotme të dashurisë, më i drejtë më duket konkluzioni juaj hipotetik për ta vlerësuar vetëm si një sfidë kalimtare, të cilën dashuria do ta vuajë e do ta përballojë, por me shumë kosto. Do të jetë ky çmimi i lartë, me të cilin dashuria do të riimunizohet e do t’i shërbejë njeriut, me dhe për fisnikëri.” Dhe ja një prej krijimeve, që e ilustron më së miri këtë vëzhgim esencial, në një poezi vërtetësisht të bukur, ndërtuar mbi similituda te gjetura dhe, mandej, zhytur në një det ndjenjash e besimi të patundur për jetën dhe dashurinë: “Do mbyll një ditë syt’ e mi/ e s’ do t’i hapë as dashuria…” (Një ditë)

Ndonjëherë poezia e tij krijon edhe imazhe të pazakonta, të rënda, pesimiste, që vijnë e shfaqin një finish që as ai vetë nuk e kishte parashikuar, në jetën e tij e të personazheve të tij, në vuajtjet e heroit të vet lirik. “Jam bosh si kungull halloween-i, / m’i kanë bërë prerjet e syve dhe buzëve,/ ndez qirinë dhe nuk e di po qesh apo qaj…” (Post Halloween) E megjithatë, vargjet më të bukura, përkushtimin më të madh poetik, ai i përcjell në botën e mrekullive dhe të shpresave, në jetën e pafund, atje ku këndon brengash a gëzimesh që i vizaton mjeshtërisht. E kështu, krahas ndjesive më intime, si edhe peizazheve - në të cilat profesionalizmi i tij është ndër të rrallët në poetikën shqiptare - Vangjush Ziko merr përsipër të përfshihet edhe në tema kardinale, ndonjëherë mjaft të prekshme, gjithsesi duke pasur parasysh qënien, si krijesa më e përsosur, por shpesh e lodhur paragjykimesh e luftërash pa sens. Në këto krijime, trendi i përjetimeve të tij shkon drejt një mirësie dhe harmonie pa fund: “A s’është Bota/ bredh i përbashkët/ ku ne festojmë/ Bajram dhe Pashkë?”

Poezia e tij është ndonjëherë pranë këngës; duket sikur frymëzon vërshëllimën nën buzë të një melodie a ndjekjen e një ritmi, që të fton të jetosh çfarë “vizatohet” në ato vargje; poezia e tij është e dëshiruar dhe ia del të komunikojë me një rreth të gjerë lexuesish, duke prekur mijëra e mijëra zemra, jetë, përvoja. E gjej me vend të citoj shkrimtarin F. Myrtaj: “…Ndaj dhe Vangjush Ziko, jo i thinjuri, “krye-shtëllunga”, por poeti i natyrës, poeti i natyrshëm, këndon kaq thekshëm si në thirr-a-vaj, një dhimbje që në të vërtetë nuk është vetëm e jona, nuk është vetëm e mërgimtarëve.”

E kam vënë në dukje edhe në shënime të tjera, që letërsia nuk është koment; një poet a shkrimtar i mirë nuk zbulon asnjëherë açik çfarë ai ka ndërmend të thotë. Krijuesi nuk duhet të japë shpjegime; nuk jep shpjegime. Edhe Vangjush Ziko nuk “di” të na thotë ku fillon filozofia dhe ku ajo bashkëjeton me artin, në ç’kthesa e labirinthe të shpirtit ravgon; por ndërkaq, mesazhi i tij kumbon sikur edhe ti si lexues ta kishe përjetuar atë çast. “Reja e bardhë mbështolli panjën lakuriq si një furkë,/ pena m’u bë drugë, torri renë,/ veshi panjën e çveshur. / Tërë jetën tjerr vargje dhe lakuriq kam mbetur.” (Reja) Për ta vazhduar mendimin, ai të ka përfshirë edhe ty, si lexues, në mjegullën e vet poetike.

Ky është arti; është gjithaq një nga mësimet që na jep me krijimtarinë e tij, me vargjet e brishta e të vërteta, poeti Vangjush Ziko.

Modeli i njeriut të letrave dhe kulturës

Shkrimtari dhe poeti i njohur Vangjush Ziko, profesori Ziko, në të njëjtën kohë, vjen te ne si një model ekselent i njeriut të letrave dhe kulturës. I qendrueshëm dhe koherent në mesazhet dhe në artin e tij; i pabujë e, për më tepër, me qasje plot respekt, dashamirësi e politesë te krijimtaria e të tjerëve; i përkorë, kokëftohtë gjithnjë, me një vështrim realist mbi dukuri e fenomene jetësore e letrare të të gjitha kohërave, pse jo, edhe mbi vetë karrierën e tij letrare. Ai nuk mësoi asnjëherë të shtirej; atij nuk i kanë thurrur lavde, si ndoshta kanë bërë vend e pa vend me kolegë të tij. Por krijimtaria është më vitale se reklama. Një portret realist dhe të përkorë të autorit e gjejmë në reportazhin e gazetarit F. Memeli (“Një takim me poetin e shquar Vangjush Ziko”) Thjeshtësia e këtij përfaqësuesi tipik të poezisë dhe përkthimit, është proverbiale dhe një leksion më vete nga jeta dhe krijimtaria e tij.

Vangjush Ziko është antipodi i krijuesve që ndjekin devizën e atij personazhit të Dikensit, i cili thoshte: “Unë kurrë s’do të pushoj së përgëzuari veten time.” Në këto kohë të vështira, kur krahas arritjeve të padiskutueshme, arti përgjithësisht është koperativizuar, modele si ky i Vangjush Zikos marrin vlerë të posaçme. Për hir të së vërtetës, shkrimtarët e mirë nuk e konsumojnë kohën e tyre për publicitet fals e për reklamë vend e pa vend. Shkrimtari i mirë, shkrimtari profesionist, ai që i di vlerat e vetes dhe nuk ka zili kërkënd, është i fokusuar tërësisht në veprën e tij, në përsosjen e saj dhe nuk ka kohë dhe as që është në kulturën e tij të bredhë papushuar nëpër sokakë llafesh apo nëpër qoshe intrigash e thashethemesh “profesionale”.

Një shkrimtar i mirë shërben gjithnjë si model për të tjerët. Kujtoj që ai, i miri Vangjush Ziko, ka shfletuar me durim çfarë ne kemi shkruar në rini, edhe më pas, duke na këshilluar, edhe duke na vlerësuar, kur është parë se ka një prurje në ato që ka lexuar. Ai është i hapur dhe i qartë, i saktë dhe kompetent, në gazeta dhe në rrjete, për çfarëdo teme e polemike në dobi të artit të vërtetë, që është një. Është e rëndësishme, ndoshta nuk e teproj po ta them, që të krijosh modelin dhe të bëhesh lider për disa breza krijuesish, deri te moshatarët, kjo është po aq e rëndësishme dhe me peshë, sa edhe krijimtaria vetë. Ky model i çmuar, është një nga dimensionet më të rëndësishme të kësaj figure tashmë emblematike, padyshim një ikonë e kulturës shqiptare. Atij, si rrallëkujt i shkojnë fjalët e thjeshta dhe aq të vërteta të Ç. Bukovskit: “Mos u bëj si ata shkrimtarët e shumtë,/ mos u bëj si ata mijëra njerëz që e quajnë veten shkrimtarë,/ mos u bëj i plogësht dhe i mërzitshëm/ nga ata që duan të duken,/ mos u konsumo nga dashuria për veten.”

Përfundime

Vangjush Ziko është një personalitet i spikatur i letrave shqip, një figurë shumëplanëshe. E. Sabato na mëson: “T’i thuash të gjitha, është e pamundur.” Por besoj se në këto radhë janë pohuar disa të vërteta të qenësishme për figurën dhe pjesën më të mirë të krijimtarisë së këtij autori në zë. Vangjush Ziko lëvron plot sukses poezinë, dramën, prozën; po ashtu, përkthen në mënyrë mjeshtërore. Ai ka përcjellë në karrierë shkrimtarë dhe poetë që e kanë thënë dhe po e thonë mirë fjalën e tyre në këtë art të vështirë. Në këtë episod të jetës dhe veprimtarisë së tij intelektuale, me të drejtë poeti K. Duka thekson: “Me meritë e pa meritë, titullin Profesor e mbajnë shumë njerëz në Shqipëri. Sigurisht, me kalimin e kohës e rivlerësimit të vlerave, shumë tituj humbasin së bashku me emrat dhe “veprat”. Por ka vlerësime të tilla që tingëllojnë aq besueshëm, sa shpejt bëhen pjesë e nderimit të merituar e të përhershëm nga një masë e madhe njerëzish.” Mendoj se është një vlerësim i merituar, për prurjet artistike dhe për vetë figurën e nderuar të një mësuesi dhe lektori në disa arte. Poezia, dramat, monografitë, përkthimet e tij, janë një punë e madhe, e rëndësishme dhe që do të lënë gjurmë në kulturën shqiptare. Veças në këto dy dekadat e fundit, Vangjush Ziko shfaqi dukshëm një rritje të krijimtarisë së vet, në sasi, në gjini letrare ku u qas, por sidomos në mjeshtërinë e të shkruarit.

Ndërkaq, nuk bëjmë asgjë që mund të quhej teprim, nëse tërheqim vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për evidentimin dhe vlerësimin e kësaj krijimtarie të çmuar. Sigurisht, ai ka një auditor të gjerë, në Shqipëri dhe në vende të tjera, një auditor që e njeh mirë dhe e nderon pa masë; ai ka merituar disa vlerësime, që s’është vendi t’i reshtojmë prapë, (sikur na duhet t’i bëjmë biografinë). Megjithatë, e nënvizova edhe më sipër, janë pak për emrin e tij. Veç mund të them ndërkaq, me bindje, Tirana dhe Prishtina, pse jo edhe qendra të tjera ku jetojnë komunitete shqiptare, duhet të jenë edhe më të interesuara për të njohur dhe bërë të vetën krijimtarinë e tij të pasur. Ka shumë mënyra për ta kryer këtë “detyrë” dhe ka shumë ente që duhet të lëvizin e të punojnë në drejtimin e duhur. Akademitë respektive. Bibliotekat. Universitetet. Shtëpitë Botuese. Degët dhe shoqatat lokale të shkrimtarëve.

Vangjush Ziko është një emër i dashur i poezisë shqiptare, është një figurë e rëndësishme e letërsisë dhe e kulturës shqiptare. Ai është një lirik i lindur, që ka vendin e vet të rëndësishëm në poezinë shqipe dhe që ka sjellë e vazhdon të sjellë kontribut të vyer në krejt hapësirat e kulturës sonë kombëtare. Mbi të gjitha këto, mbase jo më pak e rëndësishme është që ai na ka dhënë modelin e një shkrimtari profesionist, që ka ditur ta ndërtojë e përcjellë me seriozitet, me thjeshtësi e madhështi njëherësh, jetën dhe krijimtarinë e tij. Nuk e kemi dëgjuar a parë të mburret, të bërtasë, të denigrojë dikë a ndoca, për të ngritur veten e vet, apo të përpiqet të na “shesë” nga mendja dhe kultura e vet. Kemi parë dhe shohim tek ai një shkrimtar dinjitoz, kokëulur, i njohur dhe i vlerësuar nga lexuesit e kolegët, modest dhe kontribues në jetën letrare, tash sa kohë.

Duken mjaft kreative e, si të hedhura me penel në ndonjë tablo, fjalitë e mëposhtme të shkrimtarit V. Vasili: “Pozia juaj përçon filozofinë e parë të njeriut, natyrizmin, natyrisht me dhimbjen e përhershme të përkohshmërisë sonë. Nga mënga e dhimbjes, kur e ndjejmë, lind poezia si një mohim... i përkohshmërisë sonë. Te ju nuk ndihet as pesimizmi, as optimizmi, jeni të bashkuar gjithmonë me natyrën. Ju e dini rendin e gjërave dhe veproni sipas këtij rendi. Poezia juaj stilistikisht shpreh thelbësoren, te imazhi dhe te figura shkoni me më të paktat fjalë të mundshme. Ju jeni të shënuar nga përkorja artistike.”

Kërkoj ndjesë, gjërat e bukura edhe përsëriten ndonjëherë, por në rastin e Vangjush Zikos, vetiu të shkon në mendje ajo që thotë Faik Konica për Shtjefën Gjeçovin: “Një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta”.

Vancouver, Gusht-Tetor 2018

Publikuar për here të parë në nr. 15 të revistës “ILLZ”, Tiranë.