Kulturë

Edhe vendimet gjyqësore mund të lëndojnë!

  • Published in Kulturë

Përballë shenjtërisë të seancës gjyqësore, me liturgjinë dhe zbukurimet e saj, shtrembërimi ritual i togës dhe mbikresës (paruka në gjykatat angleze), i shndërron ose na duket sikur i shndërron gjyqtarët në simbole identike dhe të barasvlefshme të të njëjtit funksion, ngaqë të gjitha cenet e rënda vetjake arrijnë të mbulohen me uniformën zyrtare.

Mes këtyre ceneve, që kjo maskë do të donte t’i fshihte, duhet të llogariten edhe ato lëngime fizike, të ndryshme në njerëz të ndryshëm, që hera-herës ndodh ta dhunojnë natyrën e brishtë dhe të dhimbsur njerëzore. Por ligji i procedurës nuk i njeh këto cene: ai nuk pranon që magjistratët e ulur në seancë, të veshur me të njëjtën togë, mund të kenë moshë të ndryshme, shëndet të ndryshëm apo humor të ndryshëm; nuk bën dallimin mes të riut dhe plakut, sagllamit e sakatit, anemikut dhe pletorikut. Nuk e pranon që këta personazhe të palëvizshëm dhe dinjitozë, që në ceremonitë solemne mbajnë veshje të purpurt, me gëzof hermelini, mund të jenë prekur nga ndonjë sëmundje e pashmangshme e pleqërisë, nga mëlçia që lëngon apo nga zemra që rreh me vërtik.

Sipas teoricienëve, për procesin ka rëndësi forma, ajo që është e njëjtë për të gjithë; gjyqtarët janë të gjithë shëndoshë e mirë, modele të integritetit moral dhe fizik, me ndjenja të çelitura e nerva çeliku; për ta nuk shtrohet fare problemi i qëndrueshmërisë fizike, sepse nuk janë njerëz që epen nga pesha e dhimbjes, por abstraksione simbolike, që s’duan t’ia dinë nga uria dhe nga etja, nga lodhja e nga mosha.

Por avokatët e dinë që fati i çështjes së tyre mund të varet konkretisht edhe nga një krizë e mëlçisë apo nga një sindromë e moshës së vonë. Edhe vendimet mund të sëmuren nga artriti apo nga verdhëza dhe simptomat e tyre zbulohen në përmbajtje të vendimit. Shpesh apelimi para një gjykate më të lartë i ngjan një kure detoksifikuese, të zgjedhur për të shkrirë gurët e tëmblit; kundër vendimit të gjyqtarit të sëmurë, kërkohet drejtësia e gjyqtarit të shëndoshë (ose, të paktën, e atij që vuan nga një sëmundje tjetër).

Piero Calamandrei, Elogio dei giudici, Ponte alle Grazie, 2008.

Përktheu: Henrik Ligori