Kulturë

Arben Kallamata-Biblioteka e librave të djegur

  • Published in Kulturë

Në kohën e Nazizmit në Gjermani letërsia e konsideruar si “anti-gjermane” digjej publikisht. Librat e padëshiruar mblidheshin pirg dhe iu vihej zjarri. Ishte një veprim i llogaritur për të përhapur tmerr dhe frikë.

40 vjet pas rënies së nazizmit një qytetar gjerman filloi të mblidhte atë që do të njihej më vonë si Biblioteka e Librave të Djegur. Georg P. Salzmann (1929-2013) nisi të grumbullonte libra të ndaluar. I ati kishte qënë nazist dhe kishte vrarë veten në vitin 1945, ngjarje kjo që Salzmann, ende adoleshent e kishte përjetuar me shumë dhimbje. Më pas ai u dha pas letërsisë dhe filloi pasionin e tij të vërtetë, mbledhjen e librave të ndaluar prej nazistëve. Salzmann arriti të mbledhë rreth 12000 libra të cilat ia shiti Universitetit të Aubsburgut në 2009.

Sot Biblioteka e Librave të Djegur është pjesë e Bibliotekës së Studimeve Gjermanike të universitetit. Librat e përmbledhjes së Salzmann-it janë kryesisht botime para vitit 1933, që më vonë, për arsye të ndryshme, u bënë të padëshirueshëm për Nazistët. Pjesa më e madhe e tyre janë autorë hebrej. Të tjerë janë autorë socialistë apo komunistë, si edhe autorë kundër luftës, të cilët kishin kaluar përmes tmerreve të Luftës së Parë Botërore, pacifistë, si Erich Maria Remark, që kundërshtonin tmerret e luftës duke i përshkruar realisht ato në romanet e tyre.

Georg P. Salzmann e filloi mbledhjen e librave të ndaluar në vitin 1976. Libri i parë që bleu ishte “Beteja”, nga Ernst Weiss, botuar që në 1916. Ernst Weiss ishte mjek hebre, që emigroi në Francë. Në 1940 kur nazistët pushtuan Parisin ai u hodh nga dritarja që të mos e kapnin të gjallë. Kur filloi djegia e librave në vitet 1930 nga Gjermania ishin larguar shumë autorë të ndaluar, por jo të gjithë.

Universiteti nuk e pati të lehtë t’i blinte librat, pasi Salzmann nuk pranonte të ndahej prej tyre. Ai kishte frikë se mos librat do të viheshin në ndonjë fond të rezervuar për studiuesit dhe nuk do të ishin të lira për t’u përdorur nga kushdo. Për këtë arsye, biblioteka e universitetit vendosi që librat të ishin të hapur për të gjithë.

Çfarë literature digjnin nazistët në Gjermani?

Librat e tradhëtarëve, emigrantëve dhe autorëve nga vende të huaja që mendoheshin se sulmonin ose denigronin Gjernaminë e Re (H. G. Wells, Romain Rolland);

Letërsia e Marksizmit, Komunizmit dhe Bolshevizmit;

Letërsia pacifiste;

Letërsia me prirje dhe qëndrime liberale, demokratike dhe krijime që përkrahnin Republikën e Weimarit (Walther Rathenau, Heinrich Mann, Thomas Mann);

Të gjitha shkrimet historike që kishin për qëllim denigrimin e origjinës, shpirtit dhe kulturës së popullit gjerman, ose që të dëmtonin strukturën racore dhe idenë e Volk-ut, ose që mohonin rëndësinë e figurave historike duke mbështetur barazinë e masave, dhe që kërkonin t’i tërhiqnin masat drejt baltës (Emil Ludwig);

Shkrime të natyrës filozofike dhe shoqërore përmbajtja e të cilave merrej me ndriçimin shkencor të Darvinizmit dhe Monizmit modern (Ernst Haeckel);

Libra që propagandonin “art” dekadent, pa gjak, ose thjesht konstruktivist (George Grosz, Otto Dix, Bauhaus, Felix Mendelssohn);

Shkrime mbi seksualitetin apo mbi edukatën seksuale që i shërbenin qëllimeve egocentrike të individit dhe që rrjedhimisht, shkatërronin krejtësisht parimet e racës dhe Volk-ut (Magnus Hirschfeld);

Shkrimet dekadente, shkatërruese dhe anti-Volk të liberatëve të “Asfalti dhe Qytetërimi” (Oskar Maria Graf, Heinrich Mann, Stefan Zweig, Jakob Wassermann, Franz Blei);

Letërsia e autorëve hebrej, pavarësisht nga fusha;

Letërsia argëtuese popullore që e trajton jetën dhe qëllimet e saj në mënyrë artificiale, jo-realiste dhe të sheqerosura, bazuar në pikëpamjet e shtresave të pasura dhe borgjezisë për jetën;

Letërsia nacionaliste dhe patriotike e shkruajtur keq;

Pornografi dhe letërsi erotike nga autorë hebrej;

Të gjithë librat që ulnin vlerat e pastërtisë gjermane.

(Shkruar me materjale te mara nga BBC dhe Wikipedia)