Kulturë

Marrëveshja e Shën Stefanit -Nga Ardian Muhaj

  • Published in Kulturë

Në vitin 1878, më 19 shkurt u nënshkrua një nga marrëveshjet më absurde në historinë botërore: Traktati i Shën Stefanit, në dukje mes Rusisë dhe Shtetit Osman, por në realitet mes Rusisë dhe Rusisë. Ky traktat i dha fund de fakto Perandorisë Osmane ose atij që quhej nga vetë osmanët si Shteti i Lartë Osman (Devleti Alije Osmanije). De jure shteti osman vazhdoi të ekzistojë dhe për gjysëm shekulli, por në realitet si një shtet i marrë peng nga Rusia dhe më pas edhe nga Fuqitë Europiane. Në këtë traktat interesat e shtetit osman nuk përfaqësoheshin fare dhe rusët morën aq shumë sa që edhe për ata ishte habi lehtësia me të cilën Sulltani dhe qeveria osmane po lëshonte gjithçka në duart e rusëve. 

Absurditeti i qëndrimit osman u duk shumë shpejt kur u morën vesh detajet e marrëveshjes që ia falte praktikisht Rusisë dhe aleatëve ose kukullave të saj ballkanike gjysmën e shtetit osman, ose krejt Rumelinë. Një fitore e tillë në tavolinë nga ana e Rusisë është preludi i fatkeqësive që e pllakosën Balkanin në dekadat në vijim dhe që vazhdojnë ta destabilizojnë edhe sot. Në Shën Stefan, Sulltani u bë më car se Cari dhe pranoi dhënien e faljen e tokave të shtetit osman jo vetëm ndaj fuqisë me të cilën ishte në luftë, pra Rusisë, por edhe miqve e akrabave të carit rus. 

Rusia jo vetem mori për vete territoret e banuara me armenë e gjeorgjianë në Kaukaz e brigjet e Detit të Zi, por edhe qytete të Turqisë së sotme si Ardahanin, Artvinin, Karsin, Oltune, Bajazitin dhe Eleskirtin. Në veri të detit të Zi mori Dobruxhën veriore që më vonë e ndërroi me Rumaninë duke marrë Besarabinë. Jo vetëm kaq, por edhe rikrijoi perandorinë bullgare të para njëmijë viteve. Në vend të Shtetit të Lartë Osman, sulltani dhe cari ranë dakord me kriju Bullgarinë e Madhe me dalje në detin e Zi dhe në detin Egje, dhe që mbërrinte gati në detin Adriatik, duke përfshirë edhe tokat shqiptare nga Manastiri, Shkupi, Tetova, Ohri, Korça, Dibra, e deri në Elbasan. Kjo Bullgari e Madhe që zëvendësonte në Ballkan shtetin osman përfshinte Maqedoninë Veriore dhe atë Jugore përveç Selanikut, Trakinë dhe krejt Bullgarinë e sotme. 

Akrabatë e tjerë të carit gjithashtu edhe pse nuk kishin marrë pjesë në luftë dhe nuk ishin lodhë fare, papritmas u zgjuan me dhurata të paimagjinueshme. Sulltani u jepte territore osmane pa bërë asnjë sekond luftë, pa humbur asnjë ushtar, e pa harxhuar asnjë gram barut. Edhe vetë Shën Stefani do ishte treguar më dorështrënguar se sa sulltani. Kështu malazezët për habinë e tyre të madhe e dyfishuan territorin e tyre duke marrë për herë të parë qytete që mund të quheshin të tilla si Nikshiqi, Podgorica, Shpuza, dhe Tivari. Por e prapritura më e madhe ishte se sulltani kishte vendosë me u dhanë pavarësinë e plotë dhe shkëputjen nga Shteti i Lartë Osman për kokërr të qejfit. Malazezët kështu nuk patën nevojë me ngritë flamur as me shpallë pavarësi, se pavarësinë e morën qyl pa u lodhë as me e shpallë. 

Por thesi i dhuratave të sulltanit ishte i madh dhe nuk mbaronte kollaj. Serbia që po ashtu nuk kishte marrë pjesë në luftë mori qyl e për kokërr të qejfit Nishin, Vranjën e Leskocin. Rumania gjithashtu fitoi pavarësinë. 
Një pjesë e këtyre vendimeve absurde që e shkatërruan shtetin osman dhe vazhdojnë të pengojnë paqen e stabilitetin e Ballkanit edhe sot u anuluan në favor të shtetit osman nga Fuqitë Europiane tre muaj më vonë në Kongresin e Berlinit. Natyrisht që Rusia nuk ishte e kënaqur me heqjen e disa copave të marra me lehtësinë më të madhe në Shën Stefan, por u detyrua të pranojë vendimet e rinegociuara në Berlin. Megjithatë në telenovela aktorët e Shën Stefanit, Rusia dhe sulltani i asaj kohe janë engjëjt që tregojnë batuta të bukura, të cilat kur i dëgjon ia bën hallall gjithë tragjeditë që e pllakosën Ballkanin, shqiptarët dhe turqit që prej asaj kohe e deri sot.

Burimi: www.albmendimiarts.com