Kulturë

Lenka e Virgjër e Tepelenës e të tjera – Nga Sami Milloshi

  • Published in Kulturë

Mbi romanin "Hijet e Muzgut" të shkrimtarit Arben Kallamata

Që në krye të herës më duhet të them se romani "Hijet e Muzgut" i Arben Kallamatës, është një ngjarje e shënuar jo vetëm për atë vetë si autor, por edhe për prozën moderne shqipe. Por, unë me këto pak rradhë nuk pretendoj të shteroj gjithë vlerat e shumanshme që ka ky roman. Le ta bëjnë studiuesit e letërsisë, sa nuk është vonë dhe, shpresoj ta bëjnë. Me sa di unë ky është romani i parë i Kallamatës. Ndoshta edhe proza e tij e parë. Por ai nuk vjen prej askundit. Ai ka qenë dhe është një prej publicistëve më të spikatur shqiptarë që ka lëvruar me një nivel elitar probleme të thella politike, sociale, të religjioneve, të letërsisë e të kulturës në përgjithësi. Gjithnjë ka qenë magnet për lexuesit.

Me romanin në fjalë ai ka bërë një kapërcim të atillë që rrallë autorë e bëjnë. Ka qëlluar në shenjë me të parën në mënyrën më preçize të mundshme. Në të gjitha aspektet. Mbi 400 faqe të këtij romani lexuesi i përpin ethshëm sepse Arben Kallamata ndjehet princ i frazës së rrjedhshme me një gjuhë të kulluar që dallgëzon si Shkumbini që nga kohët prehistorike të Qygjes dhe Palloshit anekënd viseve pellazgo-ilire. I konceptuar në mënyrë moderne, ky roman i thyen kornizat klasike romanore. Ai mëton të jetë një lirikë e unit të autorit e shkrirë në një udhëtim retrospektiv në histori ku figura të njohura e të panjohura historike bëhen tokësore dhe na vijnë të gjalla sikur të jetojnë sot e kësaj dite.

Për Arben Kallamatën ka qenë tepër e lehtë ta ndërtoje këtë udhëtim fantastik në histori sepse, për mendimin tim ai e ka pasur tepër të kthjelltë se çfarë do t'i përcjellë lexuesit. Për të Ylli Polar si romancier ka qenë t'i japë përgjigje pyetjes: se si ka qenë dhe madje është e mundur të mbijetojë gjuha shqipe si palca e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Njohës i thellë i kryqëzimit të kulturave dhe i krahasimit të religjioneve, Kallamata ia ka dalë ta zbresë në Tokë dhe prej një pikëvështrimi të kthjelltë logjik të tërheqë lexuesin në një qasje realiste të arsyes së mbijetesës së ilirëve. Atmosfera humoristike, në më të shumtën e gjithë këtij udhëtimi artistik në histori, duke filluar që me Lenkën e Virgjër të Tepelenës, me shtatë Mariet që provokojnë dyshimet e shtatëzanësisë, meshkopët, perandorë e perandoresha, patricë e plebej, gjithkush që i jep jetë aksionit romanor, nëpër hapësira të njohura e të panjohura, që nga Xhyra e Martaneshi e gjer tek Aitoku ku Helena çon Ushtën e Shenjtë, gjithçka pra, ngjan epike në përmasat e saj. Por, për shkak të një ligjërimi gati gati bisedimor që ka përdorur autori, i gjithë ky udhëtim metaforik në histori, i serviret lexuesit kaq natyrshëm, sa thua me vete: "Ja kështu dua të ma tregojnë historinë mua".

Mjeshtër i antitezave, Arben Kallamata e fton lexuesin në hapësirat e lirisë së mendimit për të zgjedhur çfarë të besojë. Dhe këtë jo rrallë e bën me një grotesk të spikatur dhe humor që të shkakton të qeshësh me të madhe. Ja një çast nga qindra të tillë nëpër faqet e romanit: "Nuk e kuptoni vëllezër? Vëlla Mateo, vëlla Gjon, vëlla Mark, Cuf, e shikoni sa e mrekullueshme është që Lenkën e Virgjër të Tepelenës e ka lënë shtatzënë Perëndia. Halelujah-ia bëri Gjoni"(faqe 173).

Është pikërisht ajo Lenkë e Virgjër që ia ka marrë zemrën Pirros së të Pirit që bën pastaj ligjin në Romë e gjithandej viseve pellazgo-ilire. Sensi laik i shkrirë në stigmatizimin e të palogjikshmes shkakton pothuaj në të gjithë romanin situata humori aq të këndshëm sa që ke dëshirë që aty për aty, ta lexosh për së dyti.

Në pikëpamje të kompozimit strukturor "Hijet e Muzgut" është një mozaik aksionesh dhe personazhesh që alternohen në kohë dhe në hapësirë, mjafton që të frymojnë në unin lirik të autorit si kalorës i historisë. Gurgullima e gjuhës shqipe tek Kallamata, pa ndrojë e them është e nivelit të mjeshtrave të prozës sonë, përfshirë Kutelin, Kadarenë, Zija Çelën, Anton Pashkun.

Unë e di që tashmë në Shqipëri botohet shumë letërsi. Dhe është e vështirë të evidentohen vepra që kanë vlera. Së pari, sepse ka një kaos si në të gjitha fushat e jetës. Por, edhe sepse është krijuar një lloj diktature shijesh estetike në të cilën, fatkeqësisht, vendos udhëheqja politike. Ajo që i "di" të gjitha, dhe ndoshta nuk di asgjë. Cilitdo që mund të përpiqet ta anashkalojë pa vëmemdje këtë roman fantastik të Arben Kallamatës, unë do t'i sugjeroja të lexonte një grotesk të tij me titull "Manual mbi përdorimin e kullës së Korçës".

Thjesht, për ta mbyllur, po them me zë të butë (si Helena e romanit në fjalë kur mban fjalim në hipodromin e Atiokut ku zëdhënësit e parë dhe zëdhënësit e dytë përsërisnin një për një çdo fjalë të saj) se romani “Hijet e Muzgut” është një majë letrare e prozës shqipe.