Kulturë

Amerika në sytë e Alexis de Tocqueville - në përgjigje të zërave që thonë se Amerika s'ka qenë asnjëherë GREAT

  • Published in Kulturë
Nga: Albana Lifschin

Albana Lifschin

“Në Botën e Re”, (Amerikë) njeriu veç vetvetes nuk ka armik tjetër. Me qëllim që të jetë i lumtur dhe i lirë ai mjafton të vendosë për të qenë i tillë." Në Amerikë unë pashë më shumë se Amerikën. Unë kërkova imazhin e vetë demokracisë, me të gjitha prirjet e saj, karakterin e saj, paragjykimet dhe pasionet, me qëllim për të mësuar çfarë duhet t'i trëmbemi apo të shpresojmë nga zhvillimi i saj". Alexis de Tocqueville 

Alexis de Tocqueville ishte një aristokrat francez, diplomat e historian, i cili vizitoi Amerikën në vitin 1831, domethënë rreth 50 vjet pasi Tomas Xhefersoni pa Parisin për herë të parë. Ai erdhi në Amerikë me qëllim që siç shkruante ai,"të ekzaminonte në detaje shoqërinë amerikane, mekanizmin e saj, për të cilën flet gjithëkush, por askush nuk e njeh."

Tocqueville kaloi 9 muaj në SHBA në kërkim të esencës amerikane. Ai shkoi nga veriu në jug, nga lindja në perëndim por shumicën e kohës e kaloi në Boston, Nju Jork dhe Filadelfia. Tocqueville intervistoi presidentë, avokatë, bankierë, politikanë, qytetarë të thjeshtë. U takua edhe me Charles Carroll nga Merilendi, delegatin e mbledhjes për pavarësi 54 vjet të shkuara, që pat firmosur Deklaratën (1776) që ishte ende gjallë. Alexis de Tocqueville i shkroi përshtypjet e tij në një libër me dy volume me titull "Demokracia në Amerikë."

"Demokracia në Amerikë" si studim mbi Amerikën, u bë shumë i njohur sepse fliste mbi institucionet e saj politike, mbi çështje të besimit, shtypit, strukturës klasore, racizmit dhe rolit të qeverisë në çështje të rëndësishme për atë kohë por që vlejnë edhe për kohën e sotme. "Demokracia në Amerikë" vazhdon të jetë nga librat më të cituar nga historianët e politikanët edhe në ditët tona.

Pavarësisht nga mosaprovimi që i bënte skllavërisë, Tocqueville besonte se barazia shoqërore dhe politike ishin parim udhëheqës në jetën amerikane. "Avantazhi më i madh i amerikanëve, shkruante ai, është se ata kanë lindur të barabartë. Në familjen amerikane autoriteti patriarkal është reduktuar pothuaj në zero. Me kalimin e periudhës se fëmijërisë, barazia e bashkë me të edhe liria e pavarësia u jepen fëmijëve që nga i pari deri tek i fundit, djem e vajza. Një trajtim i tillë jo vetëm që prodhon një pjekuri të shpejtë dhe vetbesim tek të rinjtë por edhe forcon lidhjet midis djalit dhe babait, nënës dhe vajzës, vëllezërve në mes tyre."

Lidhur me besimin fetar në Amerikë ai shkroi: "Në Francë unë kam parë gjithmonë shpirtin fetar dhe shpirtin e lirisë duke ecur në drejtime të kundërta, por në Amerikë unë i gjeta ato të bashkuara imtësisht. Tocqueville shkruante se "ndërsa ligji i lejon amerikanët të bëjnë çfarë u pëlqen, besimi i ndalon ata të gënjejnë e të bëjnë akte të padrejta."

Atij i bëri përshtypje arsimimi amerikan i vulosur nga karakteri i tij demokratik. Shkolla ishte bërë e mundur për të gjithë. "Çdo njeri ishte i lirë për të ndjekur një shkollë publike si t'i pëlqente, shkruante ai,-por shkolla është vetëm një pjesë e sistemit arsimor. Qytetari i Shteteve të Bashkuara, nuk e fiton praktikën shkencore nga librat. Amerikani mëson t'i njohë ligjet si pjesmarrës aktiv në aktin legjislativ dhe mëson artin e qeverisjes gjatë procesit të qeverisjes."

Fisnikut francez i ra në sy që populli amerikan ishte një popull i palodhur dhe krejt i lirë në vendimet që merrte për jetën e tij.

"Në Shtetet e Bashkuara, njeriu ndërton një shtëpi për pleqërinë e tij dhe e shet atë para se t'i vërë çatinë, mbjell kopshtin dhe e le pikërisht kur pemët po lidhin frutat, e mbjell arën dhe një tjetër vjen dhe e korr, fillon një zanat të cilin më pas e ndërron, ngulet në një vënd të cilin e braktis për të shkuar diku tjetër."

Francezit Tocqueville i bëri përshtypje rritja e shpejtë e qyteteve të reja amerikane. Ai pa rrugë që ende s’u ishin vënë emra, shtëpi që nuk kishin ende numra tek dyert e ndërtesa të shumta që ishin në ndërtim e sipër pa ndonje plan ndërtimi por imazhi i industrisë dhe punës ishte dukshëm në çdo hap, shkruante ai.

Në kryeqytetin e vendit, në Washington D.C., ai pa nga afër se si punonin institucionet qeveritare, kongresi amerikan, madje takoi vetë presidentin Endrju Xhekson. Ai shkroi se kryeqytetit dhe presidentit i mungonte ajo madhështi dhe autoritet që kishte imagjinuar ai.

"Qeveria, shkruante Tocqeuville, mirëpret ndihmë nga kushdo që është i talentuar dhe i aftë. Brenda kufijve të Unionit (shtetit amerikan) mbretëron paqja si brenda zemrës së një perandorie të madhe. Jashtë ai renditet krahas vendeve më të fuqishëm në botë.

@Alifschin. Nga libri "Udhëtim në Historinë e Amerikës" 2003