Kulturë

Adem Mikullovci, Mohikani i fundit - Nga Xhemi Agaj

  • Published in Kulturë

Xhemi Agaj - Toronto

Herën e fundit që e ndamë skenën/shesh xhirimin, ishte në vitin 2010, në serialin vendor “Kafeneja Jonë”. Kur u takuam atë dite më hodhe sytë me shumë kureshtje dhe më the: “djalo, po më dukesh i njohur Bacit”.

Qesha me veten e ta ktheva vështrimin me shumë mall. Une e dija që nuk po të kujtohesha, sepse nuk ishim pa qysh prej vitit 1996. Ta përmenda takimin tonë të fundit sëbashku me aktorin, kolegun dhe shokun tonë Jehon Gorani. Ma ktheve me një buzëqeshje të ëmbël e më the: “Djalo tu paska ba fytyra tash si Kryesupovc”! Plazi gazi dhe e qeshura...

Në vitin 1996 Baca Adem kishte filluar xhirimin e filmit “Qëndresa” ku Jehon Gorani luante rolin kryesor. Ai po kërkonte dhe nje aktor të ri, i cili do duhej të luante një rol negativ. Saktesisht rolin e një “Supovci/Sigurimsi shtetëror”.

Edhe pse unë isha ende student i vitit të dytë në Akademinë e Arteve, Jehon Gorani, që gjithmonë ka besuar tek unë, me propozon për atë rol, gjë për të cilën i mbetem mirënjohës përjetë. E kështu u takuam te “Hani i dy Robertëve” me Bacën Adem. Ai më shikoi fund e krye e mu kthye: “E paske fytyren taman të Supovcit”. Qeshëm e u shkulëm gazit…

Baca Adem, të përulem e të falenderoj nga zemra për shancin dhe besimin që ma dhe për t’u bërë pjesë e filmit. Me atë rol mua mu hap një derë e re në karrierën time dhe gjate xhirimit e kuptova që unë mund ti kushtohesha e kisha dhunti për role negative…

Baca Adem, ti ishe një njeri shpirtmirë e shpirtmadh. Ishe Artist me plot kuptimin e fjalës. Ishe Mohikani i fundit!

E tash që shkove në amëshim të lutem u bëj të fala Bekimit, Farukut, Istrefit, Lezes, Xhevatit, Aleksandër Moisiut e të gjithë të tjerëve e tregoju që ne po mundohemi e përpëlitemi me mish e me shpirt qe t’iu bëjmë krenarë jo vetëm juve, por gjithë kombin shqiptar.

Por gjithashtu të lutem tregoju se si na kanë katandisur, degraduar, zhvlerësuar e shtypur në misionin tonë fisnik, artistik, shpirtëror, kombëtar... tregoju po ashtu se si po tallen me ne... tregoju po ashtu se si e kemi humbur rrugën në oborr si komb...

Pastë dritë gjithmonë shpirti yt! Ra Perdja...

Me shumë dhimbje, respekt e dashuri,

Toronto, 15 Shtator 2020