Kulturë

Lindja e Rock’n’Roll - Nga Arben Kallamata

  • Published in Kulturë

Arben Kallamata

Një mëngjes në Gushtin e vitit 1953 një shofer kamioni trokiti në portën një studioje të vogël muzikore në Memfis, Tenesi. Vinte për të regjistruar një disk.  Në atë kohë vizita të tilla në studiot muzikore anembanë Shteteve të Bashkuara ishin më se të zakonshme.  Studiot ishin të hapura jo vetëm për muzikantët profesionistë, por edhe për njerëzit e zakonshëm që regjistronin këngë ose përshëndetje gojore për miqtë e të afërmit. Njerëzit vinin drejt nga rruga, këndonin një këngë dhe e regjistronin diskun aty për aty. Pra ishte pjesë e biznesit të studiove muzikore që të bënin para shtesë dhe ndoshta edhe që të zbulonin rastësisht edhe ndonjë talent.

Shoferi, që s’ishte më shumë se 18 vjeç, sqaroi se donte të bënte një disk për ditëlindjen e të ëmës, që në fakt, nuk ishte aspak e vërtetë, sepse e ëma e kishte pasur ditëlindjen muaj më parë. Ai thjesht donte të dinte si i dilte zëri në disk.

Djaloshi regjistroi nja dy balada të zakonshme country. Këngët nuk linin ndonjë përshtypje të veçantë, por zëri i atij djalit i ngeli në mendje Mariane Kaisker, redaktores që qëlloi atë ditë të merrej me klientët. Djaloshi ishte simpatik dhe kishte zë interesant baritoni. Ajo u kujdes t’i merrte emrin dhe të shënonte: “Elvis Presley, këngëtar i mirë baladash.”

Një vit të tërë Mariane Kaisker nuk e hoqi dot nga mendja atë djalë. Ajo punonte për Sam Filips, pronar dhe kryeproducent i studios së vogël “Sun Records”.  Në studion e Filips kishin kaluar me dhjetëra artistë, shumë prej të cilëve do të bëheshin vërtet të rëndësishëm për muzikën amerikane, si për shembull legjendat e bluzit BB King dhe Hawlinn Wolf.

Mariane Kaisker e pyeste vazhdimisht bosin e saj se kur do t’i bënte ndonjë disk serioz atij djaloshit me baseta të trasha. Më në fund, andej nga Korriku i vitit 1954 Filips pranoi. Në 4 Korrik Elvis ishte ftuar për vizitë në shtëpinë e Filips. Ai kishte veshur një këmishë rozë, me një shirit të zi, dhe mbante edhe pak makiazh në fytyrë. Në shtetin e Tenesit në vitin 1954 kjo nuk duhet të ketë qënë edhe aq e normale. Për fatin e mirë të Elvisit, Filipsit i pëlqenin njerëzit jo normalë.

Ndërkohë muzika që donte të regjistronte Elvis nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme. Atij i pëlqenin serenatat, prandaj edhe atë natë filluan të merren me ca balada. Elvis këndonte mirë, por askush nuk mbeti pa mend.

Të nesërmen në studio Elvisin e vunë të punonte me dy muzikantë, Scoti More dhe Bill Black. Pas nja dy orësh përpjekje për të goditur si duhet dy baladat country që kishin në duar, të gjithë dukeshin të lodhur dhe pa pikë frymëzimi. Elvisi ishte jo keq, por jo ndonjë gjë e veçantë. Prandaj vendosën të bënin pushim.

Dikush ndezi cigaren, një tjetër doli jashtë të merrte dicka për të ngrënë. Elvis, ndenji në studio, kapi një kitarën dhe filloi të englendisej me të. Ia nisi me një melodi bluz që e kishte dëgjuar kohët e fundit në radiostacionet e Memfisit që sapo ua kishin hapur dyert artistëve të zinj. Ishte kënga e Arthur Big Boy Crudup “That’s All Right Mama”, të cilën Elvis po e luante shpejt. Aq shpejt saqë tingëllonte gati qesharake. Aty pranë u ndodh edhe Scotty More, që hyri menjëherë në lojë dhe filloi edhe ai të bënte humor me Elvisin. Atë çast Sam Filips ngriti veshët. Ai hapi derën e studios dhe thirri:

“Hej, cuna, ç’farë po bëni?”

Elvis pa Scottin, ngriti supet dhe tha:

“Hm, ku di unë.”

“Prit, prit,” tha Filips duke dalë në anën e mikserit. “Provojeni edhe një herë.”

Muzikantët bënë gati veglat. Minutat që pasuan ishin magji e vërtetë dhe kanë hyrë në histori. Mund t’a dëgjoni:

https://www.youtube.com/watch?v=NmopYuF4BzY

*Ky pasazh është përshtatur nga podkasti i Sebastjan Major “Kush e Shpiku Rock’n’Roll-in”.

* Sam Filips me studion e tij Sun Records (fillimisht Memphis Recording Service) është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e muzikës amerikane. Nga studioja e tij kanë kaluar artistë si BB King, Elvis Presley, Johny Cash, Jerry Lee Lewis, Carl Perkins, Roy Orbinson, Ike Turner.

©Arben Kallamata