Kulturë

Ku është libri ynë i xhepit? - Nga Dashnor Kokonozi

  • Published in Kulturë

Mbrëmë, gjatë paraqitjes që po i bënte një libri, Robert Badinter, një nga juristët më të mirë të kohës sonë, ai që në histori do të mbetet për heqjen e dënimit me vdekje, pyetjes se cili kishte ndikuar më shumë në jetën e tij iu përgjigj: libri në tërësi dhe libri i xhepit në veçanti.

Ai nuk ia njeh formimin e tij prindërve, ndonjë personaliteti, mësuesve a një njohjeje të rastit që ka ndikuar në jetë etj.  Ia njeh librit në tërësi dhe librit të xhepit në veçanti.

Se si çdo student dhe gjithkush tjetër me të ardhura minimale, ai vetëm libra xhepi me çmime mjaft popullorë mund t’i lejonte vetes të blinte.

Nota bene! Formati i xhepit përfshin të gjitha llojet e botimeve. I vetmi "cen" i tij, që edhe sot e kësaj dite ia pranoj me gjithë qejf, është se për botimet e fundit fare, duhet pritur pak muaj që t'i blesh me çmim fare qesharak. Hiç gjë, fare!

Eshtë kjo përparësi e këtij formati që ka ndikuar në formimin e elitës evropiane në një periudhë kur për askënd nuk mungojnë vështirësitë financiare.

Origjina e botimeve të tilla është mjaft e vjetër, por pas Luftës së Dytë Botërore një botues rimori si ide sepse pa një ushtar amerikan në një  stacion treni që bleu një libër dhe e shqeu për ta futur në xhep.

Veçse ana praktike është vetëm njëra nga përparësitë e këtij lloj botimi. Atributi i tij më i rëndësishëm është çmimi i tij: katër herë e më shumë i ulët se sa librat me format normal.

A e shpjegon mungesa e tij nivelin e përgjithshëm të ulët kulturor dhe mosinteresimin për librin në Shqipëri? Pjesërisht mbase, por para së gjithash ky shndërrim i librit në mollë të ndaluar vret edhe të ardhmen e vendit, por edhe të vetë industrisë së botimit. Kur libri ç’interesohet për lexuesin me të ardhura modeste sot, ai e përjashton atë nga klientët e nesërm, atëherë kur ai do të ketë mundësi të blejë edhe librat me çmime “normalë”. Tërthorazi dëmtojnë edhe autorët. Shumica e tyre honorarin e fundit e ka marrë në kohën e komunizmit.

U përpoqa të mësoj këto ditë nëse ka tendenca për futjen e librave me paraqitje low cost në tregun shqiptar, ndërkohë që vërehet se lexuesi po shndërrohet në specie të rrezikuar të zhduket?  Përgjigja që vjen është se nëse një libër i tillë ka interes për lexuesin, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për botuesin a mbase për industrinë e librit në tërësi.

Pjesërisht është e kuptueshme, marzhi i fitimit ulet së tepërmi. Por nuk jam unë ai që duhet t’u kujtoj se rritja e volumit të shitjeve nuk është një element për t’u shpërfillur në këto llogari. Por nuk është kjo më kryesorja. Me librin e formatit të xhepit me çmime të ulta, botuesit në një farë mënyrë përgatisin blerësit e tyre të nesërm, sigurojnë jetëgjatësinë e biznesit të tyre, se fatkeqësisht, kur sheh çmimet që aplikohet për shumicën e botuesve bëhet fjalë për një biznes si gjithë të tjerët.

Por në një jetën kohë edhe industria më e fuqishme ka rol relativ në rritjen e një kombi. FIAT-i pa dyshim është nga industritë e mëdha botërore, por nuk është ai që ka zhvilluar intelektualisht e shpirtërisht kombin italian, por shtëpitë e mëdha botuese, Garzanti, Feltrineli, Hoepli, Adelphi, De Agostini, Laterza, Einudi... Jam emra që i kam mësuar që në fëmijërinë time.

E meqë jemi këtu, kujtoj se ne fillim të viteve ’90 ndaloja gjithnjë në Termini ku gjeja botime nën siglen “1000 lire”, një sivëlla i formatit të xhepit. Në një rast bleva 40 tituj që i kisha ëndërruar gjithë jetën t’i lexoja, se ishte çmimi që ma lejonte. Me zbritjen që më bëri librashitësi u ktheva në shtëpi me një bibliotekë të vërtetë, që nga fjalimet e Ciceronit e deri te filozofët e shekullit tonë. Dhe e gjitha nuk më kushtoi më shumë se 25 euro me këmbimin e sotëm.

Duke u kthyer edhe një herë te fjalët e R. Badinter-it them se është bërë e patolerueshme burgosja e librave pas çmimesh aq të lartë, kur sot e gjithë ditën të paktën 80% e shqiptarve jetojnë me gjysmën e të ardhurave të një studenti francez.

©Dashnor Kokonozi