Kulturë

Vangjush Ziko: Moikom Zeqo - I (Pa) Zhdukuri i Madh

  • Published in Kulturë

Vangjush Ziko - Kanada

Në njëvjetorin e largimit të Poetit     

Kam mbi tavolinë ciklin me poezi të poetit Moikom Zeqo, që mbajnë një datë të përbashkët krijimi, vitin 2004.

Janë 17 poezi, të cilat i lidh një temë unike, kredoja poetike dhe filozofike, pasioni dhe përkushtimi i tij gjatë gjithë jetës së vet krijuese.

Cikli fillon me poezinë, “Spinoza dhe Zoti”.

Është një çast kur filozofit Buruh Spinoza, të lodhur dhe të raskapitur nga vetmia, i shfaqet Zoti dhe i bën ateistit të pandreqshëm gjyqin e jetës.

Zoti e gjykon për “furrinë e tij racionale” dhe për jetën prej asketi, të katandisur mos më keq, pa katandi, pa kujdes për veten e vet, pa shtëpi për të qenë, pa të ardhura, pa familje, pa ato që Zoti i quan “çështjet e mëdha”.

Filozofi vetëm hesht.

Ai të gjitha i ka thënë qartë me “latinishten gjeometrike, sintaksën e qartë dhe simetrinë e konkluzioneve” të tij.

Një “prolog” alegorik ky. Një paralele metaforike.

I vetmuar është edhe Poeti.

Ai “rri përballë detit” i menduar. Ndjek gjurmët e mendimeve të veta dhe pyet i habitur:

“Kush - i dha - një liri, - kaq të pacak - edhe ndërgjegjes sime, - endacake? “

Përgjigjen e jep nëpërmjet alegorisë së “Tre Magëve” biblikë, që shtegtuan për të gjetur “kuintesencën” e lindjes së një besimi të ri.

Ai është i bindur plotësisht se ka arritur të ndërtojë sistemin e ligjërimit të vet poetik, ka bërë të vetën “kuintesencën'” e këtij ligjërimi:

“Pa lëvizur, - shoh gjurmët e mia, - që shkëlqejnë, - mbi pllajën e mendimeve!”.

Këtë Moikomi e arriti me aktin e vetëflijimit, duke ia kushtuar jetën e vet punës së palodhur dhe të frymëzuar, plot sakrifica individuale për të shkruar pa rreshtur dhe për të botuar deri në çastet e fundit të jetës veprën e vet poliedrike.

Ai “kalëron me Kohën, me jele ankthi dhe patkonj tipografikë”.

Ai me vetëdijë i ka mbushur “humnerat bosh” dhe i ka bërë “dete të plotë, - të tallazitur”.

Për këtë ai ka luftuar me veten e vet, me sëmundjen e pabesë dhe me Kohën.

Lufta e tij ka qenë me “tigrat e fjetur të gjakut”, që “zgjohen shqyejnë - ëndërrat - dhe realitetet”.

Ai qëndron “përtej mashtrimeve të fakteve të shpikura!”

Ai vuan dhe ndihet mirë nga kjo vuajtje.

Ai e ndien veten një murg “rishtar”, që ndriçon lexuesin me krijimtarinë e vet, me mendjen dhe me magjinë e një arti të ri. Ky art e ka burimin e frymëzimit të vet në traditat e lashta shpirtërore dhe kulturore alternative, të njohura shumë mirë nga arti dhe kultura botërore.

Moikomi e quan veten dishepull të “Dionisit të pavdekshëm”, të perëndisë mitologjike të vreshtave, të verës, të fuqive ripërtëritëse të natyrës.

E ndien veten “dishepull të Budës”.

Ai përjeton dehjen dioniziake dhe magjinë e meditimit të nirvanës budiste.

Ai nuk ua vë veshin fare ëngjëjve të qiellit, që i drejtohen për ta “shpëtuar nga mëkati”:

“Kerubinët - më thërrasin, - janë larg, - zërat, - i kanë shurdhues! - Po unë - s’u shkoj pas!”

Poeti “s’ka më nevojë, për vizitat e perëndive!”.

“Vdekja - është - Shakaja e vockël”, që mundi të bëjë Zoti me të.

Ai e pranon që është një ëngjëll i ndëshkuar për këtë mosbindje:

“Njëqind ëngjëj bronxi - të Parajsës - derdhen - për statujën time të Ferrit!”

……………………

“Këmbëzbathur - përplasem - tek Porta e Pranverës!”

……………………

“Me gjakun tim, - surrealist - Salvator Dalia, - pikturon - më tepër Luçiferrin, - se sa Krishtin!”

…………………..

“Nga një Tjetërkohë - shikoj - dhe hesht!”.

Ky është ligjërimi i Poetit në këtë cikël poetik dhe jo vetëm. Ai shpreh pikëpamjet filozofike dhe estetike, ëndrrat dhe përpjekjet e veta për një art avangardist, i cili i krijoi “telashe” me të kaluarën, me dogmat e Realizmit Socialist. Le të pohojmë se këto “telashe” nuk mbaruan edhe me ballafaqimin me traditën, me guximin e tij për të shkruar “ndryshe”, jo me një gjuhë të zakonshme, me gjuhën e ligjërimit tradicional, por me një gjuhë të re.

I tërë cikli është një “poemë kaleodoskopike” për jetën dhe vdekjen, për tokësoren dhe kozmiken, për të tashmen dhe të ardhmen, pa përjashtuar të kaluarën; është një art i paparë sinkretik në poezinë tonë.

Sinkretizmi tematik i krijimtarisë së tij është forma më e përshtatshme, që i mundësoi shkrimtarit pasqyrimin shumëdimensional të ëndrrave të tij krijuese, kurse lexuesit inteligjent rrokjen dhe shijimin maksimal të këtij ligjërimi poetik, të vlerave artistike dhe estetike të vërteta të poezisë moikomiane.

Në poezinë e tij, ndodh ajo, që ndodh me gurët e çmuar të bashkuar në një gjerdan, i cili e jep të plotë bukurinë dhe magjinë e tyre.

Në këtë cikël ai gërsheton temat për fatin e “poetëve të dikurshëm”; për “shpirtrat e humbur të derdhur në kallëpë prej ari”; për realitetin që grish për ta vrarë; për botën e ndryshuar nga imagjinata; për gojët e statujave që klithin; për poetin “shtyllë kurrizore të ideve”; për shpirtin e masakruar e të tjera tema të lidhura spontanisht dhe çuditërisht në një ligjërim unik të paparë.

Ai bashkërendit motive, në dukje të largëta, por që janë pjesë e një së tëre, që krijojnë një rrjedhë të çuditshme të mendimit dhe të kredos së tij poetike.

Në librin “Centauri i fundit” ai shkruan: “Poeti artikulon me syfytyra shekujsh. Ai i jeton në një kohë të gjitha kohërat”.

Moikomi është idhtar i ligjërimit kuantik, ku çdo varg e çdo poezi është një “grimcë”, një njësi më vete, që në të njëjtën kohë, mbart vetitë e së tërës, të “rrymës”, të vetë valës.

Vepra e Moikomit kërkon një lexim të vëmendshëm, krejt ndryshe, lexim vertikal, jo lexim horizontal. Lexim jo i lehtë ky, por jo i pamundur.

Ai habiti, stepi, trazoi lexuesit me frekuencën e lartë të mendimit dhe të frymëzimit të tij të jashtëzakonshëm.

Dikush nuk e kuptoi.

Dikush nuk e vlerësoi.

Dikush mbylli sytë e lbyrur nga ai ndriçim.

Të tjerë i ngazëlloi dhe i magjepsi!

Ai shkruan:

“Koha - është mosbesuese, - por Hapësira - e di, - i Zhdukuri i Madh, - do të kthehet - një ditë - më në fund! - Ave! - Ave!”.

“I zhdukuri i Madh” është Luçiferri i Biblës, ëngjëlli rebel, i përjetshëm si dhe vetë Zoti, që e mohoi.

Simbolika e kësaj metafore (“I Zhdukuri i Madh”) është sa tronditëse po aq edhe sfiduese me të vërtetat që ngërthen në vetvete.

Moikom Zeqo është një meteor i rrallë shkëlqimtar në qiellin tonë, që lajmëroi lindjen e një poezie të re, të poezisë konceptuale.

Moikom Zeqo është dhe do të mbetet një “Ikonë Prometeike” e artit dhe e kulturës bashkëkohore shqiptare!

Qershor 2021

©Vangjush Ziko