Kulturë

“Madame” Flaubert - Nga Flurans Ilia

  • Published in Kulturë

(me syrin e një lexuesi)

1.

Me Gustave Flaubert për herë të parë duhet të jemi parë diku aty nga fundi i Marsit apo fillimi i Prillit, në vitin 1998. Një kohë dilemash të shumëllojshme, përballë sprovash po aq të larmishme, kundrejt edukimit të ndjenjave që jeta shpaloste, brinjazi, në rrugëtim, përmes një bote të huaj.

Më kujtohet ajo stinë sepse, ndërsa përshkoja rreshtat e “L’education sentimentale” ose siç është quajtur ndryshe romani i tij i Parisit, përshkoja njëherazi me autobus linjën urbane Rive-Sud - Montréal, duke u futur në zallamahinë e zhurmshme të qytetit ku frëngjishtja gjithmonë e më tepër vjen dhe shndërrohet në një faktor komunikimi në këtë cep të Amerikës së Veriut.

I shqetësuar për ekzistencën si individ në ato vite, si refugjat i paftuar në sofrën e një gjuhe të huaj, e Flaubert në këtë rast, kapërceja për çdo ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje Urën Champlain poshtë së cilës masivët e akullit fillonin e thyeshin në këtë stinë të vitit dhe merrnin rrjedhën pëgjatë ujrave të ftohta të lumit Saint-Laurent.

Për një arsye ose një tjetër, u desh jo më pak se njëmbëdhjetë vjetë për t’u përballur me një tjetër vepër nga Flaubert. Kësaj here me kurvicën “Madame Bovary”.

Jam një lexues fanatik i Flaubert dhe jetoj në pjesën Veri-Perëndimore të qytetit në Cartierville. Jam më i qetë se njëmbëdhjetë vjet më parë kur lexoja “Edukimi i ndjenjave” jo nga pozicioni gjeografik ku jetoj, gati si në një provincë ku zhvillohet subjekti i romanit, se sa nga pajtesat e paqta me udhën e jetës. Madame Bovary shëtit me mua gjithandej, ka arsye t’i ngulë thonjtë thellë në shtratin tim të rrugës Daigle, në masivin e pemëve në parkun përbri rrugës Salaberry, në kabinën e makinës time të parkuar në pjesën veriore të lumit Saint-Laurent, në lokalet aspak të zhurmshme ku njerëzit gjerbin urtësisht kafenë, bri rrugëve të ngjeshura nga trafiku dhe shtëpizave mbuluar nga bryma. Të gjitha këto nuk kanë asnjë funksion përgjat leximit të “Zonjës Bovari”, përpos faktit të vetëm që jam 11 vjet më i rritur si lexues.

Ime shoqe shqetësohet më kot ndërsa më sheh t’i kushtoj vëmendje të tepruar Emma Bovary-së. “Shqetësim” prej ku lindi titulli i kësaj arabeske, kuturisjeje fluide.

Një ditë, në vend të më thoshte: “Akoma nuk e ke mbaruar së lexuari “Madame Bovary?” - padashje ç’mbështolli një të vërtetë të padukshme duke më thënë: “Akoma nuk e ke mbaruar së lexuar Madame Flaubert?” - “Zonja Flaubert?” pyeta i habitur.

Gustave Flaubert, shkrimtari, artisti, burri i pamëshirshëm i letrave, i njëtrajtëzuar me identitetin e personazhit të tij, i shkrirë njëtrajtësisht me veprën e tij, i kthyer kokë-poshtë si figura e plakut-maç, më kishte ngelur në dorë si në një lojë-kumari ku, të gjitha bastet e vëna në emër të hamendësimit se “Ç’është një vepër e mirëfilltë arti? Ç’është vetë shkrimtari në fund të fundit?” kishin rezultuar të humbura dhe të pasakta.

Pasi vendosa ta titulloj “Madame” Flaubert kuturisjen time, kuptova se pak rend dhe organizim të dhënash mbi romanin do të ishte kundërhelmi më i mirë kundrejt pikëpyetjeve që si larvat e molës shumohen pambarimisht në dollapin e mendimeve.

2.

Pas kthimit nga një sërë udhëtimesh, përfshi Egjipt, Tokën e Shenjtë, Turqi, Greqi dhe Itali, në 20 Shtator 1851 Flaubert i shkruan Louise Colet: “E fillova dje në darkë romanin tim”. Në pranverë të vitit 1852, pretendon se për një vit do ta ketë mbaruar së shkruari, për çka ishte i gabuar sepse, “Zonja Bovari” përfundoi së shkruari vetëm në Mars të vitit 1855. “Bovari po më mbyt” shkruan Flaubert, “më lë pa gjumë”, “do ia dal mbanë, por ka për të qenë vështirë”. Gjashtëdhjetë-e-pesë faqe shkruan për pesë muaj; më tej në tre ditë, vetëm tetë fjali. Por tek e fundit: “Zonja Bovari, jam unë, sipas meje” i dëshmon në një letër Amélie Bosquet. “Zonja Bovari jam unë”! Dëshmon Flaubert. 

Viti 1857, në historinë e letërsisë, është viti i dy proceseve famëkeqe gjyqësore. Procesit të romanit “Madame Bovary” nga Gustave Flaubert, dhe librit poetik “Les fleurs du Mal” të një tjetër burri të pamëshirshëm të letrave, poetit Charles Baudelaire. Arsyeja? Vepra të mbushura me karaktere të një “realizmi të rëndomtë dhe shpesh herë tronditës”. Kjo frazë përmbledh kah frazash të tjera ankesat e Ministrisë Publike (Prokurorisë së Shtetit) kundër “Zonjës Bovari”, që sapo ishte publikuar në gjashtë numrat e radhës të Revistës së Parisit (La Revue de Paris), nga 1 Tetori gjer më 15 Dhjetor, të vitit 1856.

Flaubert fitoi pafajësinë në fund të procesit gjyqësor dhe romani i tij u shfaq si botim i plotë më tej tek Michel Lévy në Prill të vitit 1857.

Baudelaire pati më pak fat. Autorit dhe botonjësit të librit “Lulet e së keqes”, do t’u duhej të paguanin shpenzimet e procesit të mbajtur ndaj vëllimit me të vetmen akuzë se duhej qysh më parë të kishte autocensuruar disa nga poezitë të tij që tash kishin hipnotizuar syrin e lexuesit me bukurinë e tyre poetike prej djallushke të gjelbërt.

Buja e këtyre proceseve famëkëqinj në fakt u dha krahë veprave. Lexuesi i asaj kohe i etur për çka shpërfaqej pas proceseve gjyqësore u zhyt me kokë në ujërat e vrullshëm dhe shpesh të rrezikshme të “luleve të së keqes” dhe “kurvërisë” së “Zonjës Bovari”. I përpiu reshtat e këtyre librave. I vendosi në opusin e letërsisë si vepra të së ardhmes, vetëm e vetëm në saj të rrethanave në të cilat u shfaqën ato në atë kohë.

Pas gjurmëve të tyre në pamje të parë u vu re një lexim totalisht njerëzor i tronditur dhe i magnetizuar nga të vërtetat e pathëna mbi realitetin bashkëkohor (apo bashkëshortor?) të shoqerisë së atëhershme. Një shoqeri e tërë ndjeu trandjen si reflektim nga fjalët.

Sapo përfundon rreshtat e fundit të romanit ndjen se brenda teje vepra ka krijuar një boshllëk kaotik që i jep hov dhe i përmbyt refleksionet dhe abstragimet e tua si lexues. Kjo ndodh sepse në brendi të romanit sikurse në thellësi të shpirtit të Emës nuk gjen absolutisht asgjë si moral. Një shembëlltyrë e absurdit? Një refleksion mbi jetën? Përpëlitje krahësh në ajrí? Fjalë. Fjalë. Nuk gjen asgjë të servirur si ide. As të konsideruar si të tillë. Si moral jo-e-jo. Duam apo jo pra, ideja e romanit si objekt i shkëputur nuk ekziston për Flaubert si shkrimtar. Ideja ekziston për të veç si një mori e një-pas-njëshme përjetimesh estetike. Madje vetë fjala nuk mëshon për të përqafur dhe konkretizuar idenë si ide. Qellimi i saj nuk është i tillë. Fjala e Flaubert synon subjektin.

Çdo përdorim i fjalës së duhur në vendin e duhur, qellim i epërm i Flaubert, njeriut të apasionuar me fjalët dhe lojën e harmonishme me tingullin, në rrjedhë të tonit që mbart çdo fjalë në shtrat të kumtesës në kuadër të stilit të tij tejet vetiak në mënyrën më matematikore, jo si me qenë në letërsi por në terrenin e shkencave ekzakte, në mënyrën më tiranike e më të pamëshirshme (Cili jeni ju zoti Flaubert?), më të pavarur nga subjekti, mahnit me vërtetësi! Magjeps me hijeshinë e thjeshtë natyrore të një detaji në funksion të po atij subjekti të cilit i kishte dëshmuar pavarësinë pak më parë. Po aq sa skandalizon syrin e lexuesit, e bashkë me të edhe idetë e krijuara në mendjen e këtij të fundit si forma abstraguese mbi tekstin.

Kur fillon shfletimin e faqeve të para të “Zonjës Bovari”, ndjen dendësinë e detajeve, skenave, karaktereve që pasojnë njëri-tjetrin në një proces zinxhir në trajtën e hallkave që ndërthurin krejt subjektin. Heroina kryesore e romanit që prisnim me aq ngut të ishte një Heroinë, nuk na paskërka qenë fare ashtu siç e prisnim. Mund ta konsiderojmë (sikur Don Kishotin) personazhin e Emës, të parin personazh antihero në rrjedhë të romanit evropian. I pari personazh i gjinisë femërore në këto pozita. Zonja Bovari (si edhe Don Kishoti i Servantesit), janë veprat e para, pionierët e parë të antiromanit. Ngaqë fjalët skandalizojnë shqisat tona, por, asnjëherë shpirtrat tanë të mbrujtur me një hapësirë shumë herë më të madhe shëronjëse se sa dëmi që shkakton e vërteta e njëzetekatërorëshit në loçkë të zemrës.

Flaubert nuk e njeh kultin e virtytit. Mohon moralin. Anashkalon idenë. Eksploron njëzetekatërorëshin. Na jep veprën. Një model. Thjesht. Një antiroman me një antihero si zemrek ore në qendër të kohës që duhet të përshkojë.

Flaubert ka arsye të forta të ngelet një stilist nga më të mëdhenjtë në artin e romanit. Nuk mund ta krahasojmë me paraardhësit e tij. Me pasardhësit po. Ai ngelet një artist i pamëshirshëm. Një shkrimtar që i kthen vërtetësisë sytë e pamëshirshmërisë së tij.

Të gjitha shkollat e mëpastajshme më kot u munduan ta kanalizonin veprën dhe autorin si pjesë të tyre, ndërkohë që vepra e tij qendron e pavarur me shumë “bovarizëm”, me shumë “donkishotizëm” e paprekur nga ngjyrimet e shkollave letrare.

Në vjeshtën e vitit 1856 ndërsa “Zonja Bovari” publikohej numër pas numri në Revistën e Parisit, paralelisht, në publik filloi të dilte një tjetër revistë me titullin Realizëm (Réalisme), e themeluar nga romancieri Edmond Duranty. Numri i parë i revistës daton në 15 Nëntor 1856. Revista pati një jetë krejt efemere. Pas numrit të saj të gjashtë (Prill-Maj 1857) u ndërpre së publikuari. U ndërpre pikërisht në momentin kur “Zonja Bovari” u botua tek Michel Lévy në Prill të vitit 1857. Realistët nuk reshtnin së konsideruari Flaubert si pjesë të ideve estetike dhe moralit të tyre. Ai dora vetë në 6 Shkurt të vitit 1857 i shkruante George Sand: “Po të nënvizoj se e kam vdekje atë që vjen për hise të quhet realizëm, mirë kjo, por më kanë bërë kacagjel të tyre palé”.

Përgjatë këtij harku kohor, njëri nga frekuentuesit e lokaleve të grupimit realist ishte edhe Baudelaire. I vetmi bohem ndër ta që kishte sy të shikonte, shpirt të lirë të dëshmonte, vizion dhe domethënie në atë që lexonte. Në një artikull që daton më 18 Tetor 1857 për revistën Artisti (L’Artiste), Baudelaire hedh poshtë pretendimet e shfaqura nga realistët. Poeti kundërshton me forcë që Flaubert dhe romani i tij i përkasin realizmit. Baudelaire si lexues na jep versionin e vet të çuditshëm po aq sa ndriçues se si ai e sheh dhe kupton Bovarinë dhe rolin e Flaubert si shkrimtar.

Duke e gjetur dhe përkthyer artikullin e Baudelaire, krijova bindjen se, opinioni i tij është variacioni më i saktë që i përafrohet pyetjeve që, si larvat e molës shumohen pambarimisht në dollapin e mendimeve. Për shembull; Cili jeni ju zoti Flaubert? Ç’është tek e fundit një vepër arti? Ç’është një vepër e mirfilltë? Ç’është vetë shkrimtari në fund të fundit? A duhet me të vërtetë arti, arti i romanit, arti i fjalës, të matet me metrin e një shkolle apo periudhe të caktuar të historisë?

Pyes veten; A është e nevojshme kjo? As që e marr mundimin t’i përgjigjem të gjitha këtyre pyetjeve që në fakt janë embrioni e i refleksionit. Kjo ndodh ngaqë një vepër arti dhe autori i saj ka një gravitet shumë herë më të epërm se përpjekja ime si lexues për t’i dhënë një konfigurim diku. Ku? Si? Nuk di të përgjigjem, por mjaftohem dhe kuptoj shqetësimin e gruas time ndërsa vëren se i kushtoj më tepër vëmendje seç duhet “Zonjës Bovari”.

3.

Shkrimi im ndalet sot tek bora e parë e këtij dimri që sapo troket në dritaret e shtëpisë. Përballë meje shkretina e parkut Salaberry që ka filluar të çveshë veten. Për të gjithë ata që jetojnë këtu, ky është veç fillimi i një dimri të stërzgjatur. Gjer në Prill kur akujt do të rifillojnë të shkrijnë rishtazi dhe rrjedhat e lumenjve do të marrin udhën e tyre të natyrshme, monotonia e përditshmërisë së jetës do mbretërojë, dhe gjithsecili e ka të qartë se njëzetekatërorëshit nuk i shpëton dotë kudo ku jeton njeriu. Në këtë pikë jam fare i qetë dhe i paqtuar me mendimin tim përfundimtar nga larmia e të gjitha variacioneve që përjetoj me artin e Flaubert. Një art i veçantë. I ndryshëm nga të tjerët. Pse? Sepse fillon nga pika e lëngët dhe vjen drejt ngrirjes. Kjo është ndjesia që përjeton ai lloj lexuesi brenda meje ndërsa lexon romanet e tij. Ka një pikë ngrirjeje ndër to. Dhe kam përshtypjen se shkrimtari e konsideron të mbyllur, të vdekur, të ngrirë, të mumifikuar, në atë pikë, veprën e vet për aq sa vepra vjen dhe ftohet për tu rishkrirë në vetëdijen e lexuesit më tej.

Montréal, Tetor 2009

©Flurans Ilia