Kulturë

Edhe zhanret e gjinitë letrare, viktimë e mediokritetit dhe snobizmit - Nga Vangjush Saro

  • Published in Kulturë

Nga fillimi i viteve ‘90, kur për disa kohë drejtoja një gazetë në Tiranë, krahas bashkëpunëtorëve të tjerë, vinte dikush me nja tre-katër skica në çdo prurje. Ato (skicat) ishin të zakonshme, që mos them të rëndomta. Por vartësi im (në gazetë) e kishte nga anët e veta shkruesin; dhe kështu, bënte njëlloj trysnie për t’ia botuar. (“Gruri det/misri gjer te retë/Oh, ç’gëzim/kur redaktori bën lëshim…” Poezi satirike e autorit të këtyre radhëve, botuar në revistën “Ylli” diku nga fundi i viteve ’70.)

Lexova para ca kohësh që ky autor ka botuar tashmë… 40 e kusur libra. Libra (!) Shiko, ndodhin edhe çudira, e pranoj. Por fakti është që grafomanët po e mbysin botën në fjalë, në llafe më mirë. Libraritë nuk kanë më kapacitet për t’i mbajtur e menaxhuar librat; rrjetet gjithashtu janë ngarkuar dingas. Ndërkohë, pareshtur sajohen komisione, çmime, kurora; është krijuar një kaos i vërtetë, ku grafomanët vegjetojnë. Dhe ata, siç thotë diku Ç. Dikens, “jo vetëm që s’kanë mbetur në zall, por tani kanë hyrë në ujërat më të thella dhe nuk po ia gjejnë dot fundin… mendjemprehtësisë së tyre.”

Po e shoh këtë dukuri në dinamikën e goditjeve, që ajo u jep edhe parimeve të artit, përndryshe deformimi i zhanreve, gjinive e llojeve. Natyrisht, koha sjell ndryshime në të gjitha pamjet e jetës e të krijimtarisë artistike. Por në parimet themelore dhe në termat e njohur botërisht e në kohëra, ndryshimet asnjëherë nuk bëjnë që të devijojë produkti për hir të mediokritetit apo snobizmit. Këto dy dukuri - siç jam përpjekur ta shpjegoj edhe në ndonjë shënim të mëparshëm - çuditërisht në “harmoni” me njëra-tjetrën, rrahin pareshtur të vonojnë të vërtetat mbi jetën dhe artin.

E, për fat të keq, klima artistike dhe shkallimi virtual, i ndihin ato. Kështu që, edhe më tej, moskuptime të gjithanshme shoqërojnë zhvillimet në letërsi dhe në art. Ndër këto moskuptime, krahas SASISË marramendëse të botimeve, bie në sy pikërisht ngatërrimi i zhanreve, gjinive dhe llojeve letrare. Ndonjëherë, në këtë udhë të talljes me parimet artistike, bëhet justifikim qasja “modern”, që realisht s’është e tillë fare. Por, ca më shpesh, në këto shkelje ndihet varfëria cfilitëse në njohjen e termave dhe të parimeve të artit. E thënë ndryshe, përfshirja në këtë lëmë e gjithfarë shkruesve diletantë - që s’ua pret hovin askush, por tani, duhet ta dinë vendin e tyre - pra, nga rendja e verbër dhe me çdo kusht në krijimtari, sado pa rëndësi e dukje, prapë e trazon klimën në arte dhe në letërsi.

Nuk mund të mbikalohet (më mirë të mbiluhet) çdo parim e çdo ligjësi falë përpjekjeve të dëshpëruara letrare, ku më së shumti mund të gjesh imitime, në mos edhe ngjashmëri të frikshme, kopjime flagrante, skematizëm, etj.  Sot, një llafazanëri e mbushur me rrëfime të rëndomtë e të lodhshëm, pa gjuhë artistike, pa hapësirat, teknikat dhe kompozicionin e duhur, cilësohet PROZË. Poezia po vuan nga ata apo ato që mbiluajnë ndjenjën, që psherëtijnë orë e çast, duke shtuar pasthirrmat dhe shtirjen, ndërkohë që gjithnjë e më shumë thahen mendimet dhe vyshken metaforat. Ka krijues që ende nuk kuptojnë sa shumë ndryshon një poezi, nga një… BEJTE; që do të thotë vargëzim i rëndomtë, rima foljore ose të sajuara me emra njerëzish, mungesë finese artistike, komente e deklarata sheshit, pa asnjë ngarkesë stilistike, etj.

Por ata vazhdojnë refrenin si në vitet ‘70 e ‘80 kur diskutohej pareshtur për letërsinë, por… shumica e autorëve thjesht lexonin dhe “vlerësonin” njëri-tjetrin. (“Nuk doja që librat e mi të lexohen me detyrim, sepse lexim dhe detyrim janë dy fjalë kundërshtuese; leximi duhet të jetë një kënaqësi, dhe një kënaqësi nuk duhet të jetë e detyruar; ajo duhet të jetë diçka që kërkohet vetvetiu.” H. L. Borges) Ndërhyrja e politikës në një zhanër delikat siç është FABULA, si dhe ngatërresa e saj me vjersha rëndom satirike, ka krijuar gjithashtu një situatë konfuze. Sikur të mos mjaftonin aq shumë debate, qindra shkrime e biseda zulmëmëdha në studio televizionesh, politika hyn tash me përdhunë edhe në një zhanër kaq të brishtë si fabula, duke e denatyruar atë.

Flitet aty për zgjedhje, për votime, për parti(ra), për qeveri(ra) etj., sikur jemi në publicistikë apo në një muhabet kafeneje gjatë fushatës zgjedhore. Mendoj (dhe jam shprehur në disa intervista) që nëse një fabul na tregon se si dhelpra, kur u bë “drejtore”, mori një makinë tjetër… këtu kemi dalë nga fabula, kemi dalë nga zhanri, prandaj mund t’i biem drejt: Meremja, kur u bë drejtore, ndërroi makinën… Është e thjeshtë, jemi në një vjershë satirike dhe kështu le të mbetet.

Ndodh që fabula, ndonjëherë edhe disa shënime (në dukje) të llojit publicistik, mbështeten thjesht mbi qyfyrin. (E di që kjo fjalë është një barbarizëm; por siç thuhet edhe në tekstet më të rrepta, këto përdoren me masë për të karakterizuar gjendje të caktuara.) Pra, fjala është që në disa raste, një QYFYR këso, një përgjigje a batutë - le të themi e artikuluar me njëlloj tangërllëku - përbëjnë bazën e fabulës apo të shënimit publicistik dhe, në këtë rast, mungojnë elementet më të rëndësishme të krijimit artistik: Subjekti, karakteret, rrëfimi artistik, kompozicioni; (elemente që edhe fabula, sado modeste për nga ‘shtati’, i kërkon ato).

Ky lloj krijimi i thatë, për të shkuar radhën, është vërtet si një qyfyr rruge, nuk arrin të ngrihet në nivelin e fjalës artistike a gazetareske, nuk bëhet dot letërsi ose publicistikë. Madje, në PUBLICISTIKË, emocionet dhe animi dukshëm - në njërin krah, në njërin klan - janë bërë natyrë e dytë e gjithfarë shkruesve. Aty gjen klithma, sharje, fjalë të ndyta, deri edhe mallkime, që nuk kanë asgjë të përbashkët me profesionin dhe gazetarinë reale. Rënia në ekstazë gjatë të shkruarit, nuk shton ndonjë vlerë, përkundrazi, e nxjerr krijuesin nga zhanri. 

Edhe më keq paraqitet tabloja e mosnjohjes së gjinive e llojeve në KRITIKËN LETRARE. Qasja e diletantëve në “parajsën digjitale”, e ka bërë të rëndë imazhin dhe situatën e Letrave Shqip. Herë pas here, krijues të dashuruar me veten përcjellin në publik shënime letrare të miqve të tyre, shkrues pothuaj anonimë, në shënimet “letrare” të të cilëve mungojnë elementet jetikë të analizës së tekstit, kurse terminologjia që përdorin është e cekët dhe shpesh e pavend.

Por, siç mund të merret me mend, përtej gafave dhe gabimeve skandaloze në sintaksë, drejtshkrim e pikësim, në këto shënime nuk mungojnë lëvdatat e artikuluara në emfazë. Si i bëhet hallit me këtë hipokrizi në mësymje të vazhdueshme? (“Mos bëj pyetje dhe… s’do të dëgjosh gënjeshtra.” Xh. Xhois). Gjer edhe në FILMIN ARTISTIK, kudo dhe prej kohësh, vërehet një dalje e sforcuar nga zhanri, çka fillon me subjekte fantazmagorike, që duken të sajuara nga mendje të çartura, vazhdon me shpërdorimin e figurës njerëzore dhe mbytjen e saj në çdo dimension nga produkti-kukull i përftuar nga kompjuteri, më tej me degradimin e finaleve gjer te tallja me titrat, jo më pak me prodhimet buxhetpakët, ku mbizotërojnë temat teknike, motivet politike ose ngushtësisht sociale e të lidhjeve me biznesin, karrierën etj. Këto motive marrin aq shumë “vëmendje”, kurse në planin human, filmi është pa jetë, pa dashuri e dhimbje të vërtetë njerëzore, pa episode reale, pa ngjarje të vërteta dhe pa individualizime, deri edhe pa kërkime detajesh e gjuhë filmike.

Moskuptimet në lidhje me zhanret artistike, gjinitë e llojet, janë një botë e ngatërruar për të gjithë, por sidomos për diletantët. Kjo pjesë e pamjes së përgjithshme, ku gjenden sot letërsia dhe artet, ka goditur rëndë shijet e lexuesve, por i ka vënë gjithashtu një pikëpyetje të madhe tregut. Shkolla dhe institucionet, prej nga duhej të fillonte shpjegimi dhe vlerësimi i situatës në art e letërsi, kanë për vete mungesa të dukshme e moskuptime gjithaq. Nëse po kërkojmë në një terren ku ka disa parime e rregulla elementare dhe sadopak drejtësi, le t’i përmbahemi asaj çka thotë S. Strunski: “Statistikat janë zemra e demokracisë.” Vetëm afirmimi përmes tregut dhe mbështetjes së kritikës profesionale mbeten dimensioni që tregon realitete dhe arritje bindëse.

©Vangjush Saro