Kulturë

Dritëro Agolli, kthim përmes ikjeve - Nga Çapajev Gjokutaj

  • Published in Kulturë

 Çapajev Gjokutaj

Sot është 90 vjetori i lindjes së Dritero Agollit. Pas pak muajsh mbushen katër vjet nga vdekja. E megjithatë mungesa fizike nuk e ka vështirësuar komunikimin me lexuesin, përkundrazi. Kjo e vërtetë për gjithë artistët e shquar, në rastin e Driteroit ka diçka të veçantë: prania e tij artistike është realizuar kurdoherë përmes ikjesh të ndryshme.

Në gjithë krijimtarinë e Poetit, që nga fillimet e deri në fund, hasim ikjen si zhvendosje fizike nga qyteti në fshat, nga trotuaret në shtigje malesh, nga asfalti te zabeli e ugari.

Në fakt zhvendosja nga qyteti në fshat, nga metropoli në natyrë përbën një ikje të hershme, mjaft të hasur në fisin e poetëve. Naimi këndonte ikjen në fusha e male, larg qytetit, larg zhurmës, thashethemeve, rrëmujës e rëmetit. Jo rastësisht, kjo arrati ishte edhe kthim i mërgimtarit në mëmëdhe.

Largimet e kësaj natyre e kanë shoqëruar poezinë në shekuj dhe, me gjasë, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Sido që t’i vejë filli, njerëzimi do të mbetet qytetar i ri, krahasuar me dhjetëra mijëra vjet të fëminisë së vet, kaluar në natyrë e me natyrën. Dhe gjithnjë do t’i pëlqejnë arratisjet drejt fëmijërisë, drejt rustikes, gjeorgjikeve e bukolikeve. Mbi këtë arketip të shpirtit njerëzor, poetë kohësh të ndryshme kanë shtuar versionin e tyre të ikjes.

Ikja e Dritëro Agollit drejt fshatit, megjithëse e konceptuar mbi një arketip universal, është veshur me petkun shqiptar. Jo vetëm se fshati, natyra, bujku, kazili e ugari dalin nga realiteti shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, por edhe se malli dhe nostalgjia për fshatin përbënte një përmasë shpirtërore të shqiptarëve të kohës, një pjesë e mirë e të cilëve porsa kishin zbritur në qytet. Ngjyrimet shqiptare bëhen kështu pjesë organike dhe e pandarë e verbit poetik se burojnë nga pasqyrimi dhe theksohen nga receptimi.

2.

Krah për krah me ikjen nga qyteti në fshat dhe krejt në harmoni me të, Dritëro Agolli realizon edhe një ikje tjetër, kësaj here jo fizike, por psikologjike apo, më saktë, identitare. Fjala është për ikjen nga intelektuali tek fshatari, nga poeti tek bujku. Nuk është e rastit prirja e hasur në shumë raste për të shkrirë në një person poetin me bujkun, për të gjetur pika takimi mes lërimit të tokës dhe lëvrimit të poezisë.

Ikja nga vetja duket si veprim i çuditshëm, madje edhe i kërkuar e artificial. Por vetëm në pamje të parë. Në realitet ikja nga vetja është veprim i rëndomtë, ndaj e hasim mjaft, sidomos në ëndërrime dhe në art. Fëmijës i mjafton të vërë një shkop mes këmbëve, që të bëhet sakaq kalorës e luftëtar për t'i ikur dobësisë dhe mospërfilljes. Duke qenë tendencë psikologjike e njeriut në çdo kohë dhe në çdo vend, ikja nga vetja, shndërrimi në diçka tjetër, haset thuajse në të gjitha mitologjitë, të Lindjes e të Perëndimit, kurse letërsinë e shoqëron që nga Gilgameshi dhe eposet homerike.

 Në periudhën e tranzicionit postkomunist Dritëro Agolli realizoi edhe një ikje tjetër identitare.  Përherë e më tepër në vjershat e kësaj periudhe flet dhe përjeton një plak i varfër e i drobitur, i vendosur në mjedise urbane, jo me bulevarde, trafik e drita, por me rrugica, kazanë plehrash dhe mejhane plot tym, zhurmë e lavire.

Është krejt e natyrshme, mund të thuash, Poeti po hynte në moshën e tretë dhe, i ndjeshëm si çdo poet, përjetonte dramën e pleqërisë që po trokiste. Për më tepër këto përjetime ndodhnin në një kohë përmbysjesh të mëdha, por kaotike, që ia bënin të ardhmen edhe më të brishtë e më të pasigurtë. Të gjitha këto mund t'i thuash nisur nga impresione.

Por kur shqyrton faktet, pamja rezulton ndryshe. Në ato vite Dritëro Agolli bëhet nga nisjatorët më të zëshëm për reformimin dhe modernizimin e të Majtës, një nga deputetët më të nderuar të opozitës, për të marrë gradualisht aureolën e patriarkut të së Majtës. Shtëpia e tij, gjithë jetën e hapur për miq e shokë, kthehet në Mekë, ku liderët e forcave shizmatike të së Majtës përpiqeshin të merrnin bekim dhe legjitimitet.

Duket paradoksale që një njeri që po përjeton kthimin në mit, një poet që vazhdon të shkruajë dhe të pritet mirë, të vetëndihet plak i drobitur, i varfër e i nëpërkëmbur. Edhe kësaj here kemi një ikje parabolike, nga deputeti e patriarku tek plaku si simbol i shtresave të nëpërkëmbura.

Ikjet nga vetja, që realizon Dritëro Agolli, synojnë kërkimin e rrënjëve, identifikimin me të parët, kryesisht me traditën dhe historinë. Kemi të bëjmë me një prirje humane e demokratike, por që mbart me vete edhe rrezikun e kthimit pas, si prapavajtje apo si regres. Ky rrezik bëhet i dukshëm sidomos gjatë identifikimit me fshatarin. Kushte të caktuara social-ekonomike kanë bërë që fshatari dhe fshatarësia të jenë më konservatorë, më të lidhur pas traditës, por edhe pas dogmave.

Dritëro Agolli e shmang rrezikun prapavajtës se, si poet dhe si intelektual mbetet gjithnjë mendjehapur, larg stereotipeve dhe paragjykimeve. Pavarësisht nëse identifikohet me fshatarin e thjeshtë apo me njeriun e rëndomtë të popullit, poezia e tij ngjizet në një klimë progresive dhe gjithëpranuese. Kjo ka bërë që në vargje të vijnë natyrshëm dukuri të ndryshme e shpesh edhe të kundërta: e bukura me të dobishmen, apolloniania me dioniziaken, shpirtërorja me epikurianen, orientalja me oksidentalen.

3.

Të dyja ikjet identitare, si ajo nga intelektuali tek fshatari, edhe ajo nga deputeti tek plaku i mjediseve urbane, janë ikje për t'u kthyer tek populli i thjeshtë. Këndej duket se zë fill edhe një nga funksionet socialpolitike të poezisë së Dritero Agollit: t’u japë zë atyre që nuk kanë gojë në ligjërimin poetik, të flasë si ata dhe në emër të tyre. Realizohet kështu një tjetër ikje, kësaj here në rrafshin e ligjërimit.

Dritëro Agolli bën pjesë në brezin e poetëve të viteve '60. Bashkë me Ismail Kadarenë dhe Fatos Arapin shënojnë tre majat më të larta të kësaj periudhe artistike, që realizoi një nga transformimet më të thella në letërsinë shqipe dhe e afroi atë me rrjedhat e letërsisë botërore.

Ky transformim përfshiu edhe mjetet e shprehjes, poezia u bë më konceptuale, më përgjithësuese, larg vargëzimeve dhe përshkrimeve të thata, me një fjalor poetik më të pasur, me sintaksë të zhdërvjelltë dhe ngarkesa të fuqishme metaforike e simbolike.

Dritëro Agolli iu bashkua brezit të tij në përpjekjet për më shumë art dhe realizëm, por nuk u largua nga poezia e përjetimit, i qëndroi besnik vjershërimit që, më shumë se mendimin, metaforën dhe simbolin synon detajin, ndodhinë, ndijimin konkret dhe frymën e bashkëbisedimit të thjeshtë e të sinqertë.

Edhe në rrafshin e ligjërimit, Dritëro Agolli realizoi një varg ikjesh. Ikje nga abstragimi intelektual, për të ardhur te konceptime të thjeshta, që të emocionojnë me natyrshmërinë dhe modestinë. Ikje nga folklorizmi i lajleluleve për të ardhur tek konceptime popullore të përcjella me stil bisedor. Ikje nga gjuha burokratike e mediumeve totalitare për të ardhur tek modestia e komunikimit të përditshëm. Stilin burokratik të komunikimit e bëri vazhdimisht objekt humori, për të arritur kulmin tek romani për Zylo Kamberin.

Prirja e Dritëro Agollit nga poezia e detajit, ndodhisë dhe ndijimit është bërë jo një herë shkak kritikash e pakënaqësish, madje edhe mohimi. Edhe sot e kësaj dite nuk janë të pakta gjykimet e njëanshme që absolutizojnë e thonë se poezia, që të jetë bashkëkohore, kërkon përgjithësime të thella dhe metaforikë goditëse. Poezia e thjeshtë, pa metafora e përgjithësime nuk paska vend në sofrën e artit bashkëkohor.

Por historia e krijimtarisë poetike botërore dëshmon se poezia është dukuri e larmishme dhe e ndërlikuar, që u ikën përkufizimeve dhe absolutizimeve përjashtuese. Mbase i vetmi përkufizim që funksionon mbetet ai i njohuri: poezia është ligjërim që ikën nga norma, duke gjenerur kënaqësinë e surprizës dhe të befasisë. Lexuesi pret diçka tjetër, diçka brenda logjikës a normës, poeti e befason. Parë kështu poezia e Dritëro Agollit është art që realizon një larmi ikjesh dhe tërheq, befason e emocionon numër të madh lexuesish, nga masat dhe nga elitat.

4.

Kur të mos jem më mes të gjallëve, do më gjeni në veprën që lashë pas. Me këtë kumt, që haset jo njëherë në krijimtarinë e tij, Dritëro Agolli shënon një tjetër ikje, më të zakonshmen, atë nga jeta reale tek vepra, nga gjallimi tek leximi. Dhe mbetet besimplotë se do të lexohet, do të çmohet e shijohet edhe nga brezat e ardhshëm.

Dritëro Agollit i ra shorti i poetit në një kohë të vështirë, kohë kanunesh politike dhe ideologjike, që synonin dogmën dhe përpiqeshin t'i zinin frymën artit, ta kthyenin në propagandë. Devolliu i ndjeshëm e i talentuar arriti që, shumicën e herëve, t'i shpëtojë kësaj trysnie dhe të krijojë art.

Në një vështrim ekstraletrar, mund të thuash se Dritëro Agolli, për nga origjina dhe, ca më shumë, për nga identifikimi artistik, përfaqëson atë pjesë të fshatarësisë që u lidh me luftën çlirimtare të udhëhequr nga komunistët dhe i përkrahu me dëshirë shndërrimet sociale dhe kulturore që pësoi fshati, sidomos në periudhën e parë. Njeriu Dritëro asnjëherë nuk e mohoi përkatësinë e majtë dhe, siç e thamë, ndikoi dukshëm dhe në çaste fatcaktuese për modernizimin e të Majtës shqiptare.

Është vështirë që të biem në një mendje për raportet e tij të ndërlikuara me politikën. Studjues që do të vijnë, të çliruar nga pasionet politike të bashkëkohësit, do të gjykojnë gjer në ç'masë u konformua Dritëro Agolli me politikën dhe ideologjinë totalitare, ç'pasoja pati ky konformim në biografinë dhe në veprën që krijoi.

Gjithsesi, kjo do t'i takojë Historisë së Letërsisë. Leximi është diçka tjetër. Përvoja e letërsisë botërore dëshmon se sa më shumë kalon koha, aq më pak biografia e shkrimtarit ndikon leximin, që priret t'i ikë politikës dhe të kthehet në dukuri estetike dhe psikologjike. Ovidi citohet sot e kësaj dite, por arsyet pse Augusti e internoi nuk janë ruajtur. Kur lexojmë Balzakun vështirë se kujtojmë që ishte monarkist në kohën e idealeve republikane.

Dritëro Agolli shkroi dhe botoi për gati 70 vjet. Dhe ishte punëtor e prodhimtar si ai. Vetëkuptohet se jo çdo krijim i këtij korpusi gjigand do t'i mbijetojë kohës. Shirat e harresës do bien e do bien mbi relievin e përthyer të krijimtarisë së tij, do ta përmbysin dalëngadalë për të lënë vetëm majat. Është ky një proces krejt i natyrshëm, ndodh me çdo artist.

E sigurt është se majat e krijimtarisë së Dritëro Agollit do vazhdojnë të lexohen gjatë. Edhe brezat që do të vijnë, sado të përparojë jeta dhe teknologjia, do të ndjejnë mall për të shkuarën, për fëmijërinë dhe të parët, për të thjeshtën dhe të natyrshmen, për sinqeritetin dhe humorin, për erën e bukës dhe shijen e kripës, për të vërteta e përralla.

©Çapajev Gjokutaj