Kulturë

A janë njëlloj diktatorët? - Nga Dashnor Kokonozi

  • Published in Kulturë

 Dashnor Kokonozi - Francë

Nëpër faqet e librit "Horizontet e kuq" të Ion Pacepa, kryespiunit të Rumanisë

Kur flitet për regjimet komuniste dhe lihet të kuptohet se Shqipëria ishte “një vend komunist si gjithë të tjerët”, rregullisht më vjen ndërmend libri “Horizontet e kuq” i gjeneral Ion M. Pacepa-s, shef i Shërbimeve të Spiunazhit të Rumanisë, i cili u arratis në Perëndim para se të binte Muri i Berlinit.

E kam lexuar para nja tridhjetë vjetësh, por përshtypjet që më la i kam ende të forta.

Për amatorët e biografive shtoj se Ion M. Pacepa thotë diku se nuni i tij ishte Nikolae Jorga, një personazh i vyer për historinë e Shqipërisë, të cilit A. Zogu i kishte shprehur gatishmërinë t'i ndërtonte në Sarandë një institut studimesh. 

Pacepa e fillon librin me një telefonatë nga shefi i tij, presidenti i Rumanisë Nicolae Çaushesku, i cili e urdhëron të paraqitej urgjentisht në rezidencën “Neptun”, diku në bregun e Detit të Zi.

Mua kjo më kujton se tamam në të njëjtën kohë, E. Hoxha thërriste në Drilon të Pogradecit Ministrin e tij të Brendshëm dhe tundte kokën i kënaqur me veten kur degjonte prej tij se të gjithë armiqtë e arrestuar (që nuk po jetonin ditët e tyre më të lumtura në qeli) pohonin deri në detaje që e çudisnin edhe atë vetë, se kishin vepruar ashtu siç e kishte marrë me mend ai në paranojën e titulluar “Tablo sinoptike”.

Po Çaushesku, çfarë bënte në atë kohë?

Gjeneral Pacepa e përshkruan atë “me një pozë napoleoniane” dhe duke iu marrë goja e pyet: 

- Edhe për sa kohë do të zvarrisni punët për të realizuar bashkëpunimin tonë me Fokker-in? (një shoqëri aeronautike franko-gjermano-holandeze).

Kjo, sa për të kuptuar diçka nga planningu i dy diktatorëve, çfarë i zbavit ata më shumë ndërkohë që janë me pushime, njëri buzë Detit të zi dhe tjetri buzë liqenit të Pogradecit.

Gjenerali shpjegon se qëllimi për të bashkëpunuar me Fokker-in ishte prodhimi në Rumani i avionit të famshëm.

Fokker-i nga ana tij, thotë ai, e zvarriste punën sepse dyshonte se Bukureshti synonte që nëpërmjet këtij bashkëpunimi të kishte mundësi të njihej me teknologjinë e aeronautikës ushtarake të Francës dhe Gjermanisë Perëndimore. Dhe për të shpejtuar punët (këtu del edhe qëllimi i kësaj thirrjeje urgjente) Çaushesku e urdhëron këshilltarin dhe kryespiunin e tij të niset urgjent e të takojë kancelarin H. Schmidt, të cilit duhet t’i japë një mesazh personal (si zakonisht gojor, se Çaushesku e ka bezdi të ulet e të shkruajë), pastaj të shkojë e të takojë edhe princin Bernhard të Hollandës, me qëllim që këta dy burra të ndikojnë të arrihet ky bashkëpunim, duke u dhënë sigurinë absolute që asgjë nga teknologjia e Perëndimit nuk do të bjerë në duart e Moskës...

Çaushesku dhe miqte amerikanë

Komunizmi shqiptar nuk lejonte mëdyshje. Nëpërmjet monologëve të Hoxhës nëpër Kongrese, nuk na linin fare të dyshonim se ne kishim fatin të jetonim në një vend të begatë, të sigurt e të lumtur (duke shtuar rregullisht se e ardhmja do të jetë akoma më e lumtur).

Çaushesku nuk paraqitet shumë i vendosur. Ai nuk e vë në dyshim se vendi i tij noton në lumturi dhe mirëqenie, por dyshon se mbase ka edhe ndonjë vend tjetër që mund t’i afrohet. Amerika, për shembull.

Me sa del në libër, Çaushesku i ka vizituar Shtetet e Bashkuara të paktën pesë herë (e përfytyroni qoftë edhe për një sekondë një vizitë të Hoxhës në Amerikë? Dhe nuk po flas për takimet e tij me Papën dhe mbretëreshën e Anglisë)

Çaushesku, madje i ka bindur amerikanët t’i japin Rumanisë statusin e vendit të privilegjuar në marrëdhëniet tregëtare duke përfituar kështu teknologji moderne dhe devizë të fortë.

Diku në vizitën e tij të tretë a të katërt, i shtyrë nga e shoqja Elena, ai viziton në Nju Jork një qendër të madhe tregtare, Macy’s (nuk e di në ekziston më), ku u shoqërua nga drejtori i saj.

Ion Pacepa thotë se në fund të vizitës Çaushesku kishte mbetur pa mend.

- Si mundën t’i sjellin kaq shpejt gjithë këto mallra? -  pyet ai ambasadorin e tij.

Ky, duke e kuptuar se udhëheqësi i vendit të tij mendonte se qendra tregtare ishte furnizuar shpejt e shpejt me rastin e vizitës së tij, përpiqet t’i shpjegojë të vërtetën, por ndërkohë ndërhyn Elena që e këshillon të shoqin të mos i dëgjojë pallavrat e ambasadorit. Ky, thotë ajo, meriton të kthehet në Bukuresht për një kurs edukimi politik dhe të lexojë Scinteia-n (simotrën rumune të Zërit të Popullit).

Çaushesku nuk është i sigurt për këtë. Të nesërmen, gjithnjë dyshues për të vërtetën e Macy’s ai porosit Pacepa-n të shkojë fshehurazi te qendra komerciale dhe t’i tregojë të vërtetën nëse janë zbrazur raftet e saj të mallrave...

Viktimë e propagandës së vet, ai kurrë nuk besonte se një vend jo komunist mund të plotësonte nevojat ushqimorë të popullsisë së tij.

Për mua, nuk është kjo mendjembyllje me origjinë ideologjike më e rëndësishmja e kësaj historie. I etur që çdo gjë të mrekullueshme që shihte nëpër botë ta kishte edhe në vendin e tij, Çaushesku me t’u kthyer në Bukuresht dha urdhër të ndërtohet një qendër e madhe tregtare, si ajo që kishte parë në Amerikë, gjë që edhe u realizua.

Magazina në fjalë, u mbush ditën e parë të përurimit e u zbraz brenda një kohe të shkurtër.

Me tej, raftet e saj furnizoheshin vetëm kur vizitohej nga delegacione të ndryshme të huaja apo nga vetë Çaushesku.

Gjatë një vizite tjetër amerikane Çausheskun e pritën në NASA. Ndërsa po shoqërohej në mjediset e saj nga astronomi J. Young, ky i fundit i shpjegon se në Qendrën Hapësinore punonin 3 600 inxhinierë, matematikanë, pilotë, astronomë etj.

Çaushesku kthehet nga Pacepa dhe i thotë.

- Ne kemi më shumë se kaq në uzinën tonë të këpucëve.

Çaushesku dhe disidentët

Nuk mund të mendohet që ai ta privonte veten nga kënaqësia për të rrahur ata që kritikonin kultin e tij. Por Pacepa, sjell disa fakte që lexuesi shqiptar i kohës do ta kishte vështirë t’i interpretonte.

Një porosi e tillë për rrahje Çaushesku u dha shërbimeve tê fshehta për shkrimtarin Paul Goma, një disident rumun i papërkulur që ishte bërë shkas i zemëratave të tij pakontrolluara.

Në të gjitha takimet me lexuesit rumunë Goma jo vetëm denonconte kultin e tij të individit, por organizonte edhe grupime të tëra shkrimtarësh për të denoncuar pranë Komitetit të Helsinkit mosrespektimin e të të Drejtave të Njeriut.

Kur ketë e bëri dhe pak para se Çaushesku të nisej për udhëtimin e radhës në Amerikë, ai në tërbim e sipër dha urdhër të mbahej ca kohë i arrestuar. Kishte tmerr t’i bënin pyetje për problemet që ngrinte Goma gjatë vizitave jashtë vendit.

Me të dalë Goma doli nga burgu, ai nisi një njeriun e tij pranë presidentit Karter, për ta bindur se “edhe ai vetë ishte fort i shqetësuar për respektimin e të Drejtave të Njeriut në Rumani dhe bënte çmos që të ruheshin të gjitha standardet.”

Kur nga Uashingtoni erdhi një telegram që njoftonte se Karteri i kishte pranuar shpjegimet e dhëna, ai, me inatin e tij, porositi t’i jepet një dru i mirë  Gomas “që ta mbajë mend gjithë jetën”.

Më tutje, meqë Paul Goma nuk vinte mend, do ta urdhërojë ta përzënë në Francë, ku ai vazhdoi të kritikonte Çausheskun me të njëjtin pasion.

Dua të besoj se poeti H. Nela nuk do refuzonte një ndëshkim të tillë përballë alternativës tjetër, varjes në litar në mes të qytetit. Flas për të dhe jo për të tjerët, sepse diku në një vjershë të tij Nela është i vetmi që permend frymën e shpresës së Kartës së Helsinkit, gjë që më ka prekur shumë. Se sot shoh mjaft poetë në tv-të shqiptare që asokohe vdisnin shtatë herë për marksizmin dhe ngjalleshin tetë herë!

Nela foli për tjetër gjë dhe për këtë meritoi varjen.

Një rast tjetër, që Çaushesku ka dhënë urdhër të rrihet, por duke nënvizuar që “të mos vritet”, është ai i disidentes rumune Monika Lovinesku, që jetonte në Paris dhe shprehte opinionet e saj në Radio Free Europe.

Për një veprim të tillë, u ngarkuan agjentë të shërbimeve palestineze që J. Arafati i vinte në shërbim të agjenturave rumune, me qëllim që të mos binte në sy se cili ishte komanduesi i vërtetë. Përfundimisht, meqë Lovinesku ulëriu tek iu versulën, qentë e Arafatit, ia mbathën nga frika e fqinjëve, pa i thyer “nofullën” dhe “gishtat”, siç ishte porosia.

Disidentëve që ishin jashtë Rumanisë ai u bënte presion të mbyllnin gojën edhe duke i kërcënuar se nuk do t’u jepte viza daljeje familjarëve të tyre të bashkoheshin me ta. Por kur një inxhinier dhe agjent i shërbimeve të tij sekrete (Costantin Rauta), dezertoi në Amerikë (ku ishte me detyrë) dhe denoncoi kultin e tij, Çaushesku mbeti keq para presionit të Qeverisë amerikane, për t'i lejuar gruan të shkonte edhe ajo në Amerikë.

Atëherë, ai dha urdhër: “M’i gjeni një mashkull të mirë asaj gruaje, që vetëm me forcën e k... ta bindë të qëndrojë këtu e të mos shkojë te i shoqi!”

Nuk e di nëse mashkulli që i gjetën kishte aftësi të tilla aq bindëse, por di që në këtë libër të I. Pacepas del që urdhri i mësipërm u dha shprehimisht nga presidenti rumun.

Duke kërkuar të mësoj arsyen e këmbënguljes së tij për të rrahur, por për të mos vrarë, gjeta një shpjegim të Pacepa-s në faqen 125 të librit në fjalë. Sipas tij, pak kohë pasi Çaushesku erdhi në pushtet (1965), kryeministri i asaj kohe Ion G. Maurer, specialist i njohur i të Drejtës Ndërkombëtare, kërkoi një takim me të dhe i tha:

- Nik, si udhëheqës suprem i Rumanisë, ju mund të bëni çfarë të doni, për të mirë a për të keq. Me përjashtim të një gjëje: mos jep urdhër për të vrarë. Quhet krim, pavarësisht se nga cili është urdhëruar nga një mbret apo lypës.

Kontrolli i makinave të shkrimit

Kur letrat anonime me sharje ndaj regjimit nisën të vërshonin gjithandej jashtë vendit (se për ata që shanin brenda nuk merakosej shumë), Çaushesku  dha urdhër t’u kërkohej të gjithëve të dorëzonin nga një mostër me shkrimin e makinave të përdorimit personal, për ta identifikuar kollaj “armikun”.

Këshilltarët e tij e kundërshtuan me forcë duke i thënë se këtë mund ta bënin për makinat shtetërore të shkrimit, por jo për ato private.

-Pse, ia bën i habitur Çaushesku.

- Sepse nuk na lejon Kushtetuta, - ishte përgjigja e tyre.

- Kushtetuta na ka bërë ne apo ne Kushtetutën?  pyet ai i pakënaqur.

Një pyetje e tillë Pacepa-s i kujton një episod me N. Hrushovin.

Kur ky dha urdhër që trafikantët e tregut të zi të dënoheshin deri me pushkatim, Prokurori i Përgjithshëm i thotë se këtë nuk e lejon ligji.

Dhe me këtë rast Hrushovi bën pyetjen e tij të famshme:

- Kush komandon këtu, ne apo ligji?

Spiunazhi në shërbim të imazhit

Një nga detyrat që Çaushesku u kishte vënë shërbimeve të tij  diplomatike dhe të spiunazhit ishte realizimi i një platforme me emrin e koduar “Horizont”, që kishte për qëllimi t’i shpjegonte botës se Rumania është një ishull latin në zemër të vendeve sllave.

E vërteta është se ai ka një urrejtje të madhe për udhëheqjen sovjetike e veçanërisht për L. Brezhnjevin, i cili kur ishte Sekretar Politik në Moldavi, kishte internuar me miliona qytetarë rumunë në Siberi dhe kishte sjellë aty qytetarë të pjesëve të tjera të Perandorisë ruse.

Me mijëra e mijëra agjentë sekretë rumunë lobojnë në çdo cep të globit. Selitë e tij diplomatike presin personalitetet më të mëdha tê kohes.

Me spiunët e tij Çaushesku u është afruar edhe rretheve më të afërta të udhëheqësve evropianë dhe punon të bëjë një gjë të tillë edhe në Shtëpinë e Bardhe.

Pasi ka marrë informacion se Presidenti Karter konsultohet dhe dëgjon shumë pastorin e tij, Çaushesku jep porosi që njerëzit të rekrutojnë dhe bindin priftin në fjalë t’i flasë mirë presidentit amerikan për Rumaninë.

Më tej ai do të urdhërojë shefat e tij të spiunazhit të afrohen dhe rekrutojnë edhe vetë Bill Karterin, vëllanë e presidentit Xhimi Karter.

Spiunazhi i pabesueshëm industrial

Pjesa më e madhe e librit i kushtohet veprimtarisë mjaft të suksesshme të vjedhjes së teknologjisë perëndimore.  

Njerëzit e N. Çausheskut arritën deri te rrëmbimi i tankeve të sofistikuar izraelitë në fushën e betejës, të cilët i transportonin nëpërmjet kamionëve të shoqërisë TIR, shoferët rumunë të të cilës ishin të gjithë oficerë të DIE-s, shërbimit të tij sekret.

Këtë sektor të spiunazhit industrial ai e drejtonte vetë dhe shihet qartë se aspiratat e tij teknologjike nuk mbeteshin në nivele të natyrës “patatja është edhe bukë edhe gjellë”.

Interesohej sa për sekretet e prodhimit të djathit dhe parfumeve franceze aq edhe për reaktorët e centraleve bërthamore.

Për këtë u rekrutuan një brez i ri inxhinierësh rumunë të specialitetit bërthamor, që u nisën me identitete të rreme në Perëndim. Në pak kohë ata infiltruan gjithë ç’kishte më të mirë dhe më sekrete industria e Kanadasë, ajo e Amerikës (General Electric of Canada, Combustion Engineering of Ottawa, General Electric dhe Combustion Engineering në USA, Siemens dhe AEG, ITT dhe Kraftwerke në Gjermaninë Perëndimore, Ansaldo Nucleari Impianti në Itali etj.) dhe nisën drejt Rumanisë të dhëna të çmuara.

Një operacion sekret u organizua menjëherë sapo mësoi se Kanadaja po prodhonte një reaktor atomik që funksiononte me uranium natyror (dhe jo të pasuruar) i cili gjendej me shumicë në Rumani.

Teknologjia mediko-farmaceutike, me të cilën merrej kryesisht e shoqja Elena, u ngrit dhe modernizua nga e para në saje të teknologjisë së vjedhur në Amerikë, Gjermani, Francë dhe Itali. Zhvillime impresionuese pati edhe industria metalurgjike, prodhimi i çeliqeve speciale, aliazheve etj.

Kur u ftua në Angli, ai kërkoi të vizitojë uzinat e Rolls-Royce-it dhe në pamundësi për të vjedhur teknologjinë e prodhimit të motorëve të famshëm, kërkon të blejë patentën e tyre, me qëllim që pastaj t’i përdorë edhe për motorët e avionëve të tij ushtarakë.

Mikroelektronika dhe informatika ishte një nga fushat më të parapëlqyera të Çausheskut.

Fatkeqësisht nuk dimë se çfarë interesi kishte E. Hoxha për të.

Gjithsesi, nga një “burim i brendshëm” këtu e 40 vjet më parë kam dëgjuar se një herë kur (për çudi) L. Çuko i thotë Hoxhës se “kompjuterët do ndihmonin në punën e institucioneve tona”, ai e pa me ironi dhe i tha: atyre mut t’u japësh, mut nxjerrin.

Në thelb nuk e ka keq, ky ishte parimi bazë i asaj gjenerate kompjuterësh, por ai mut që del, është tashmë i paketuar, etiketuar, seleksionuar, etj. Dhe kjo bën diferencën dhe kursen kohë dhe energji.

Ndërkohë, tamam ndërkohë, Çaushesku ishte i pari udhëheqës komunist, që këmbënguli dhe arriti të vizitojë uzinën Texas Instruments në Dallas, ku në fjalimin e rastit siguroi autoritetet se Rumania është kundër luftës dhe se është e interesuar vetëm për paqe. Dhe pastaj u kujdes të pyesë Pacepa-n nëse pala amerikanë u bind për fjalët e tij.

Kishte arsye për një gjë të tillë sepse agjentët e tij më të mirë punonin për të vjedhur sekret e teknologjisë ushtarake në Texas Instruments.

Dhe në pak kohë, qarqet e integruara për të cilat ajo korporatë kishte investuar aq shumë, nisën të prodhohen në sasi industriale nga uzinat rumune.

Mrekullia e përgjimit të telefonave privatë

Duke pretenduar se kishte nevojë për “anketimin e përhershëm të opinionit  publik”,  Çaushesku urdhëroi përgjimin telefonik të të gjithë popullsisë. Për këtë doli nevoja e ndërrimit të të gjithë telefonave të vjetër me një model të ri të prodhuar sipas kërkesave të shërbimeve sekrete.

Me këtë rast, thotë Pacepa, ditën e përurimit të qendrës së re të përgjimit (versioni rumun i Shtëpisë së gjetheve) ai mban një fjalim të shkurtër, ku thotë se me këtë teknologji të re, ne do të kemi sondazhe dhe anketime të menjëhershme të opinioneve dhe dëshirave të popullsisë.

Ja pra, e mbyll ai, si arrin komunizmi të vërë shkencën në shërbim të njerëzimit.

Për të provuar si funksionin rrjeti i ri i përgjimit, ai urdhëron të bëhet një provë. Një gjeneral i ngarkuar me këtë punë zgjedh rastësisht një numër telefoni dhe i bie.

- Teatri Kombëtar? - pyet me kast gjenerali i shërbimit.

- Jo gabim, përgjigjet qytetari.

Të dy ulin telefonin por sistemi është programuar që të vazhdojë regjistrimin. Një çast më pas dëgjohet gruaja e qytetarit që pyet se cili ishte në telefon?

Qytetari:

 - Një trap që kishte ngatërruar numrin. Tani më lërë rehat të dëgjoj Free Europe (stacion radiofonik amerikan, që me vështirësi dëgjohej edhe në Tiranë). Po flet për udhëtimin në Amerikë të diktatorit tonë dhe të asaj rrospies së tij...

Tamam atë çast gjenerali ndërpret regjistrimin, por përderisa e ka dëgjuar Pacepa, që e riprodhon, pa dyshim që e kanë dëgjuar edhe të gjithë ata që ishin të pranishëm aty. Me sa duket bëjnë sikur nuk e dëgjuan dhe shefi merr urdhër të shtype një buton tjetër, për të përgjuar edhe një familje të zgjedhur po aq rastësisht.

Këtë herë dëgjohen ofshamat e britma të papërmbajtura eksitimi të një çifti që po bënte dashuri.

- Këta të m’i arrestoni! - ndërhyn menjëherë Elena Çaushesku, - Në ora njëmbëdhjetë, njerëzit duhet të jenë duke punuar dhe jo duke bërë dashuri...

***

Të zgjedhësh midis dy diktatorëve është si të zgjedhësh midis kolerës e të vdesësh nga shpërthimi i diarresë e të vjellave dhe murtajës, nëse për ndonjë arsye personale, parapëlqen të vdesësh nga ethet bubonike dhe lungat e ganglioneve limfatike që mbushen me ujë e qelb.

Por nëse vërtet të vënë koburen në kokë dhe të detyrojnë të bësh një zgjedhje, duke mos i njohur vetes stofin e heroit, do të drejtoja gishtin nga ai diktator që i ftonte Beatles të jepnin koncert në mes të Bukureshtit, jo nga ai që na detyronte t’i dëgjonim me radion nën jorgan. Sado qesharake, të duket!

P.S. Ion Pacepa vdiq tani vonë nga Covid-19.

©Dashnor Kokonozi