Kulturë

Kallinj të këputur - Nga Artan Fuga

  • Published in Kulturë

Kur qytetarët shpesh pyesin të habitur se si i bëhet që ka degraduar gjithmonë e më shumë niveli kulturor i deputetëve, drejtuesve të partive politike, ministrave, etj., mund ta gjejnë pa frikë një pjesë të përgjigjes që kërkojnë. Deputetët dhe ministrat duhet të jenë hije të zbehta të personalitetit të bosit kryesor të partisë

Partia nivelon.

Mbi dymijë vjet më parë vetë Aristoteli, te libri i tij i famshëm Politika, e kishte konstatuar këtë forcë niveluese si në tirani ashtu edhe në demokraci.

Aristoteli në librin e tij thërret për ndihmë edhe mitologjinë kur u referohet argonautëve, të cilët nuk e pranuan në anijen e tyre Herkulin për shkak të peshës së tij të rëndë.

“Peshat e rënda” sot në partitë politike vështirë se i pranon shefi dhe bashkë me të ata ai i mban nën kontroll, i lufton, i refuzon, i përjashton, edhe një grup i standardizuar individësh, shpura e shefit që me përjashtime të rralla është përzgjedhur vetëm me kriterin që të pranojnë që mbi ta të bjerë hija autoritare e shefit. Këta jo vetëm që duhet të kenë personalitet të bindurish, por edhe inteligjenca e tyre është mirë të jetë përgjithësisht mediokre. Pavarësisht përjashtimeve që nuk mungojnë dhe arrijnë të mbijetojnë përkohësisht.

Duke iu referuar përsëri mitologjisë, Aristoteli tregon se si tirani Trasibul e kuptoi mesazhin që i solli kasneci i tij nga orakulli Polyandër. E kishte dërguar atje për ta pyetur orakullin se në çfarë mënyre ta qeveriste shtetin e tij. Orakulli nuk i përgjigjej kasnecit, por në një arë të mbjellë me grurë godiste me dorë duke këputur kallinjtë që kishin ngritur kokën pak më lart se të tjerët.

Bosi ka nevojë të nivelojë për ta drejtuar partinë me efikasitet.

Aristoteli në kohën e tij shprehej kështu: “Trasibuli e kuptoi se duhej të përzinte qytetarët që ngriheshin përmbi nivelin mesatar të përbashkët: kjo, në fakt, është një praktikë që nuk është e dobishme vetëm për tiranët, dhe nuk janë vetëm tiranët që e përdorin, por që përdoret po aq mirë nga oligarkitë dhe në demokracitë, sepse ostracizmi zotëron, në njëfarë mënyre, të njëjtin efikasitet, me anë të poshtërimit dhe dëbimit të qytetarëve që ngrihen mbi të tjerët.”

Prandaj theksojmë se pushteti i bosit është formuar gradualisht në partitë politike edhe në Shqipëri.

Vertikaliteti i hijes së tij politike ka kaluar në beteja ku ai ka përjashtuar dhe ka kryer akte ostracizimi ndaj rivalëve të tij, të cilët nuk u janë bindur metodave të tij në drejtimin e partisë. Nuk ka nevojë të kujtojmë përjashtimet nga partitë politike. Me kalimin e kohës jo vetëm të pabindurit në tre dekada u spastruan nga skena politike partiake, por edhe ata që hyjnë në politikë nga e para e kuptuan se atje mund të mbijetojnë vetëm me anë të bindjes. Përndryshe i pret pa një pa dy përjashtimi.

Kështu Maks Weberi, kur përpunon idetë e tij mbi demokracinë si lëvizje masash dhe marrëdhëniet e saj me autoritetin e bosit karizmatik, shkruan: “Sigurisht që bosat i rezistojnë çdo “ardhacaku” që mund të kërcënojë burimet e tyre të parasë dhe të pushtetit."

Bindja e verbër, mediokriteti, pushteti i pakufizuar i bosit kryesor, shfaqen më me forcë kur partia është në qeverisje sesa kur ajo është në opozitë.

Në këtë mënyrë krijohet një paradoks sa i rrezikshëm aq edhe i dëmshëm në bazë të të cilit forca politike në pushtet ndërtohet me një pushtet vertikal shumë herë më të madh sesa partitë opozitare që gjithsesi nuk janë aspak të çliruara nga dogmatizmi hierarkik dhe bindja e nënshtruar e anëtarëve të tyre ndaj bosit si mekanizma karriere politike.

Le të mos harrojmë se pushteti hierarkik vertikal i kryetarit të partisë në pushtet është i gjithëfuqishëm. Në cilindo rast ai ka pushtet mbi administratën, forumet drejtuese të partisë, Kuvendin e Shqipërisë, pothuajse njësoj, ose edhe më të madh sesa Enver Hoxha dikur. Nga kjo pikëpamje rikthimi në modelin vertikal të ushtrimit të autoritetit të bosit, kthimi i liderit politik në bos, është edhe njëfarë vendosje e pushtetit karizmatik të diktatorit.

Mjaft anëtarë forumesh, veçanërisht kur partia është në pushtet, janë nëpunës të lartë të shtetit ose përfaqësues të lartë të pushtetit lokal. Varësia e tyre ndaj bosit kryesor është sa partiake aq edhe administrative. Të mos harrojmë se ky i fundit është, sa herë vjen në pushtet, edhe kryetar i partisë, edhe kryeministër, edhe komandues i grupit të deputetëve, pra duke qenë i shumicës parlamentare është edhe drejtuesi real i Kuvendit, dhe për rrjedhojë edhe i të gjitha ministrive të marra së bashku, i organeve të drejtësisë që dalin nga Kuvendi i Shqipërisë, pra është ai që edhe zgjedh presidentin e Republikës, çka është thjesht funksion i tij.

Kushtetuta le t’i quajë sa të dojë të ndara pushtetet në Shqipëri. Lideri kryesor i partisë në pushtet, bosi kryesor, i ka të gjitha pushtetet nën kontrollin e tij personal. Ajo që kushtetuta e quan një republikë parlamentare është në fakt një monarki e mirëfilltë që vetëm emri i mungon, madje jo një monarki kushtetuese, por absolute. Bosi është lideri absolut.

*Pjesë nga libri “SHOQËRIA PIRAMIDALE” (Papirus)

©Artan Fuga