Kulturë

Gjithmonë do flas për librat - Nga Flurans Ilia

  • Published in Kulturë

Gjithmonë do flas për librat. Sepse ka libra shumë të mirë, të cilët nuk lexohen dot nën diell. Nuk ka të bëjë me kualitetin e librit dhe autorin. Është gjendje, ka të bëjë me ndjesinë tënde si lexues dhe njeri, tani këtë çast ndërsa lexon, ku je i vendosur a strukur, si je nga humori dhe oreksi apo seksi, kushtet atmosferikë dhe politikë, të jashtmit edhe kryesisht ata brenda teje.

Jam i mendimit se një libër sado i mirë të jetë, klasik a modern, po qe se nuk ecën nuk është e thënë se duhet vazhduar. Ka vetëm një problem, madhor madje, një lexues amator është si puna e atletit profesionist, nuk e lë garën kurrë përgjysmë (në mendje më ravgon përpjekja kolosale që kam bërë për të shpënë gjer në fund të garës me shpirt nëpër dhembë, Uliksin e Xhojsit, Njeriu pa kualitet i Musil, Shakaja e pafundme e D.F. Wallace, etj.) Po qe se nuk je i tillë, besomë, nuk ia vlen.

Më kujtohet njëherë një vajzë e re ruse që lexonte Dostojevskin në plazh në Punta Cana, dielli, deti, flladi bekonin lëkurën e njeriut, ndërsa kjo vajza e mbyllte librin turfullonte e rihapte dhe e rimbyllte po duke turfulluar. Një moment i them me mirësjellje, keni zgjedhur librin dhe autorin e gabuar në vendin e gabuar zonjush. Eshte Dostojevski, me thotë. Pikërisht, i them, ndërsa me vete mendoja pa zë, po ç'ia dut kot për Dostojevskin, koha për këtë është tani?

Ka nja katër ditë si për marshalla ka bërë diell. Me kafenë e pasditës çdo ditë rreth dy orë lakuriq nën diell, sepse ne jemi të përvëluar për dy pika diell, po lexoja romanin 2084 te Boualem Sansal. Libër shumë i mirë. Për dy arsye madhore. E para, ëndrra e autorit për të shtrirë një vijë paralele me 1984 e Oruellit, shfaqet hapur pa pikën e kompleksit dhe nuk e kërcënon integritetin e romanit si mëvetësi. Në këtë pikë, Sansal ia ka dalë mrekullisht matanë. E adhuroj kurajon edhe sinqeritetin e këtij autori. Së dyti, Sansal te 2084 vizaton një linjë paralele me 1984 duke qenë autentik në stilin që gjeneron lirshmërisht gjenialitetin mistik të alkimistit që vjen nga letërsia e urtë e këtyre trevave, çka mendoj se lexuesi e merr si grishje për të dëgjuar, por edhe si kulturë të ndryshme estetiko letrare të formulimit të mendimit.  E fundit, ndryshimi qendron edhe te gjuha. 1984 e kam lexuar në anglisht dhe 2084 në frëngjisht.

E megjithatë toka rrotullohet miqtë e mi. Të dy këta libra duket sikur janë shkruar për lexuesin shqiptar, e kam fjalën për njeriun e dikurshëm që i përjeton subjektet e veprave në një realitet të cilin e ka jetuar dhe bashkëjeton me të edhe sot. Për të dalë matanë, as Oruelli, as Sansal, nuk janë gatuar për t'u lëçitur në diell. Duan shi. Po. Përkundër kësaj qendron sinqeriteti i diçkaje të pashpjegueshme, por krejt të sinqertë.

I dashur lexues meqë po fillon sezoni i plazhit tani, ji vetvetja, lexo çfarë të ka ëndja, dhe stop postimit në plazh me bikini dhe Bukovski. Gjithmonë duhet folur për librin pavarësisht kushteve atmosferikë. Një përqafim gjigand për të gjithë. E diell me shi.

©Flurans Ilia

Montréal, 15 maj 2022