Policia e Paskajores - Nga Mehmet Elezi
- Published in Kulturë
Një rekomandim elegant kërkuesish mendjehapur zgjoi praktikat e vjetra. Dikush që merret me gjuhësi hartoi një peticion. Filloi mbledhja me ngut e nënshkrimeve. Kundër kujt? Kundër një vlere të pazëvendësueshme të shqipes. Kundër paskajores së frikshme. Paskajore, mos kujto se të kemi harruar. Ta njohim mirë fytyrën. Edhe biografinë ta dimë. Mos i jepni lirinë paskajores. Poshtë paskajorja!
Nismëtarët e peticionit s’kishin gjetur aleat te shkenca, shkenca nuk bën aleancë me ata që shpërfillin argumentet e saj. Ndaj iu drejtuan metodave të politikës. Të politikës së djeshme. Të mbledhim sa më shumë nënshkrime. I thoni edhe këtij, edhe atij, shikoni te klubi i, kërkoni në bibliotekë. Akëcilin profesor e gjeni në shtrat. Është shumë sëmurë, por e nënshkruan. Një firmë të lutem, hidhe shpejt këtu, ja. Duan të amnistojnë paskajoren!
Ndodhi kur Konferenca e Durrësit, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike me studiues të njohur nga krejt trevat shqiptare (dhjetor 2010), rekomandoi me shqyrtue mundësinë e integrimit të paskajores, si pjesë e përpjekjeve me dinamizue standardin e gjuhës shqipe.
Në botën e qytetëruar kjo duket e pabesueshme, groteske, hollivudiane. Në botën tonë ndodhi. Dhe mund të përsëritet!
©Mehmet Elezi (nga libri “Gjuha shqipe dhe ëndrra e një nate vere”)












