Pas 84 vjetësh, eshtrat e gjuhëtarit Gjergj Pekmezi do të prehen në atdhe
- Published in Kulturë
Falë një bashkëpunimi relativisht të gjatë midis Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë dhe ambasadorit Roland Bimo me Bashkinë e kryeqytetit të Austrisë, më në fund eshtrat e gjuhëtarit, etnologut, profesorit, bibliografit, diplomatit dhe përkthyesit Gjergj Pekmezi do të prehen në vendlindjen e tij Pogradec. Përveç ambasadorit Bimo, për realizimin e këtij qëllimi kanë bashkëpunuar edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Bashkia e qytetit të Pogradecit. Një ceremoni nderimi për përcjelljen e fundme do të mbahet në mjediset e Akademisë së Shkencave, nesër më 19 nëntor 2022, ora 10:00-12:00. Nxitës të gjithë procesit të riatdhesimit të eshtrave të Pekmezit nga nisja deri në përmbyllje janë trashëgimtarët e familjes së tij.
Personaliteti i Gjergj Pekmezit është i shumanshëm për kontributet e tij. Emrin e tij (“Prof. Dr. Gjergj Pekmezi”) e mban katedra e albanologjisë në Vjenë, ku ai mbajti ligjëratat e shqipes.
I formuar në Beograd e më pas në Universitetin Oriental të Vjenës, Gjergj Pekmezi kontribuoi pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve dhe punoi si përkthyes pranë këtij komisioni. Më 1914 u emërua përkthyes i Misionit austro-hungarez në Durrës.
Me pushtimin austro-hungarez, Pekmezi u emërua kryetar i Komisisë Letrare të Shkodrës, ku bashkëpunoi me albanologët Maximilian Lambertz e Theodor Ippen. Dha dorëheqjen nga Komisia sepse dokumenti themelor i saj “Parimet e rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme” u miratuan në mungesë të tij.
Në vitet 1920-1924 e 1926-1928 kreu detyrën e Konsullit të përgjithshëm të Shqipërisë në Austri. Prej vitit 1928 deri sa u nda nga jeta (1938) ishte profesor në Universitetin e Vjenës.
Disa nga veprat kryesore të Gjergj Pekmezit janë:
1. “Vorläufiger Bericht über das Studium des albanesischen Dialekts von Elbasan” (“Raport provizor për studimin e të folmes së Elbasanit”), 1901;
2. “Grammatik der albanesischen Sprache” (“Gramatikë e gjuhës shqipe”), hartuar në bashkëpunim me albanologun Raiko Nachtigal, 1908;
3. “Bibliographija shqype” (“Albanesische Bibliographie”), 1909;
4. “Sprachführer zur schnellen Erlernung der albanischen Sprache” (“Manual për të nxënë shpejt gjuhën shqipe”), 1913;
5. “Lehr und Lesebuch des Albanischen” (“Doracak dhe këndonjës i shqipes”), në bashkëpunim me albanologun Maximilian Lambertz, 1913;
Gjergj Pekmezi është i pari dijetar që transliteroi me alfabet latin “Bletën shqiptare” të Thimi Mitkos (1924). Ai gjithashtu ka lënë në dorëshkrim një punim me titullin “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes” dhe një arkiv dorëshkrimesh prej mbi 8 mijë fletë të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve austro-hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze.
Burimi: Faqja zyrtare e Akademisë së Shkencave të RSH











