Arte & Media

Njëmijë fjalë vizatimi ose simbolika dhe zbërthimi i njeriut Vitruvian të Leonardo da Vinçit - Nga Burim Bardhari

Një këndvështrim i këndshëm i gjeometrisë së shenjtë dhe raporti i dualitetit ose dysisë hyjnore shpaloset mjeshtërisht nga gjeniu Leonardo da Vinçi ‘Rilindëstar’ (mëndjendrituri i periudhës së Renesancës evropjane) i cili në vizatimin e tij ‘Njeriu Vitruvian’ me tematikë të njohur nga arkitektura romake gërsheton dy trupat gjeometrikë që pasqyrojnë ‘ndërtime’ përkatëse në qiell dhe në tokë, ‘si lart ashtu poshtë,’ duke përvijuar rrethin dhe katrorin në rrafshin dy-dimensional, thjesht nëpërmjet trupit të njeriut të vizatuar brenda; tërheqja e vijës rrethepërqark nga kërthiza në mes dhe rrotull në perimetër si tek voglushja Vlora në ranishte (shih fotografitë) ose tërheqja e vijës së katrorit kur hapen krahët si tek voglushi Shkodrani.

Trupi i njeriut cilësohet edhe si tempull i shenjtë, jo vetëm për nga simetria e bukur e trupit por edhe si bartës shpirti dhe i frymës së dhuruar, metaforë e filozofisë hyjnore mbi rrafshin e dualitetit ose dyzimit duke shkrirë dy pjesët ndërthurëse të raportit gjeometrik mes diametrit të rrethit dhe diagonales së katrorit, njëlloj si medaljoni me dy faqe ose dy dimensione në kundërvënie por brenda bashkësisë së njëjtë. Rrjedhimisht, pohimi i njohur murasonik ‘si lart në qiell ashtu edhe poshtë në tokë,’ nënkupton ‘katrori(zi)min e rrethit’ që përputhet në gjeometri me diametrin e rrethit (dhe rruzujve të trupave qiellorë si yjet, dielli dhe hëna) si dhe me diagonalen e katrorit (dhe kubit të ndërtimeve mbi sipërfaqen e tokës, parimi i ndërtimit mbi katror). Ky bashkëdyzim është përçuar nga vëllazëritë e lashta mirëpo të njëjtin përfundim enigmatik e ka zbëthyer edhe bashkëkohaniku ynë, doktori shqiptar Apostol Vaso (shih ‘Youtube’ video “ABC e Mëngjesit”).

Gjatë periudhës së Renesancës ose Rilindjes evropjane në shekullin e 15-të dhe 16-të, me flakjen e prapambeturisë mesjetare, nuk lulëzoi sërish vetëm rizbulimi i vlerave të mëhershme klasike evropiane por pohohet se papandehur sipërfaqësuan edhe ‘njohuri tjera të reja nga mësime poashtu të vjetra’  të lashtësisë së artë që hamendësisht buronin nga thesari para-përmbytësor (para Përmbytjes biblike, para vërshimit të botës që përmendet edhe qindra vite më herët se librat e shenjtë, në epopenë babilonase të Gilgameshit), me siguri nga ndonjë qytetërim i zhdukur, por për fat paskërkan shpëtuar njohuritë (ndoshta edhe shkrimet e shenjta, përkthim barasvlertas i fjalës ‘hieroglif’) duke përfunduar shumicorisht në duart e Egjiptianëve të lashtë;  tërësi mësimesh të fshehta e të gjatëkërkuara dhe dërmuesisht të pakuptuara të mistikës së lashtë të cilat shkridhen në dukje rastësisht ose ‘fatthënësisht’ për pronarët përkatës apo përshtatshmërisht në vazhdimësi të trashëgimisë së njëjtë në Firencën rilindëstare.

Prandaj kjo periudhë përparimi pagëzohet si ‘Ri-Lindje,’ e trupit të njohurive, dijes dhe mbarësisë së lashtë, qoftë i klasicizmit evropjan qoftë krahas dijes tjetër në heshtje të ashtuquajtur ‘Trupi Hermetik’ qe i vishet si meritë Hermes Trismegistus (emër i latinizuar nga helenishtja) ose shqip vëllimet shkrimshenjta Hermetike, të Hermesit Trefishlëvdar. Sipas disa burimeve dhe ‘Wikipedia’ (lexo Uikipidia), përmendet se gjatë periudhës së sundimit Aleksandrian të mbretërisë Ptolomeike të Egjiptit, Hermesi helen krahasimthi njihet si barasvlerë (mirëpo e huazuar) e hyjnisë pararendëse dhe më të famshme egjiptiane Thot që përfaqëson ‘thëniet ose mësimet,’ dijen, urtësinë, shkrimet e shenjta, artin etj, ndoshta si profeti Enok nga tradita krishtere dhe me pas si profeti Idriz sipas disa dijetarëve të traditës myslimane, rrëfim i përbashkët ose ‘bashkë-prindësi’ që dëshmon se burimi është i njëjtë dhe ‘tipologjik’ por me shpjegime të reja e ‘mbishkrime të mbivendosura,’ ripërshtatje të kohëpaskohshme me etiketa të reja kohëvendore (ose kronotopike).

Fillimisht, gjatë shekullit të 4-të, ithtarët e neo-platonizmit rishqyrtuan konceptin e njohur si ‘Zinxhiri Qenësor’ (i ngjashëm më Shkallën e Përparimit) nga mësimet klasike të filozofëve të dalluar si Platoni dhe Aristoteli, i cili zinxhir vendos Krijuesin në epërsi, në majë të piramidës si syri gjithëpamës ose në majë të malit (rrafshnalta Giza, malet Sinai, Olimpi ose edhe Tomorri ynë për ne) dhe pastaj radhiten engjëjt që janë urdhërzbatues dhe kujdestarë të kurdisur të Mëshirës Hyjnore deri te gjallesat e ndryshme ose format tjera jetike, shtazët edhe bimët, deri te pika më e ultë e ferrit, vendbanimi i djallit në fund, ndërsa njeriu është në mes të boshtit; edhepse trupi i tij është nga trualli, i ngujuar dhe ‘zvarrit’ veten në tokë si gjarpëri simbolik në flamurin shqiptar shpirti i tij është i lirë dhe drejton trupin kudo, me lundra edhe në planete tjera, madje është i shqitshëm dhe qiellor në frymëzim si shqiponja në fluturim.

Mirëpo më vonë gjatë periudhës së Renesancës, Xhovani Piko della Mirandola e zgjidhi njeriun nga mesi dhe shpjegoi liratën e lëvizjes; varësisht nga aftësia, sjellja dhe vullneti i tij njeriu mund të ngjitet lartë shkallës deri në majën e bekuar ose bie në fund të sketërres dhe greminës së mallkuar. Njeriu vetëm se nuk mund të hyjnizohet me fjalë e vetëbindje dhe të bëhet zot i përsosur përderisa ka nevoja njerëzore, por ai me mirësjellje dhe arsimdashje përvetëson vetëm cilësitë ose atributet hyjnore siç është aftësia e tij si krijues me punë ose mbikqyrës i drejtë dhe shfytëzues i matur i natyrës që e rrethon dhe furnizon për mbijetim. Pasiqë njeriu është i papërsosur gabimtar ose mëkatar kjo nuk përfaqëson dënim por shpërblim të fshehtë sepse ashtu mëson, duke dyshuar dhe duke pyetur, sidomos duke gabuar dhe duke u penduar deri në përmirësim e përparim.

Si lart ashtu poshtë! Rrethi si rruzulli lartë dhe katrori si kubi poshtë, përputhtas me thënien e lartëpërmendur: si lartë në qiell ashtu edhe poshtë në tokë, përvijohet bashkërenditja nëpërmjet të trupit tempullor të njeriut në mes! Në anglisht, jo rastësisht, edhe fjala përkatëse për sheshin e qytetit ose lagjes është barasvlerë e fjalës ‘Katror’ (Square).

Nëfillimthi, nga mistikët e mitologjitë Zoti krijoi qiellin dhe tokën, pastaj vendosi njeriun në kodrinë kepi të ngritur mbi ujë. Ngase njeriu humb aftësinë e drejtimit në hapësirë pafundësisht të papërkufizuar  si në errësirë tmerruese ashtu edhe në bardhësi verbuese, Krijuesi e vendosi njeriun në rreze veprimi (gjysëm-diametër) brenda  rrethit me katër anë kryesore, që të orientohet sipas diellit (fjala ‘orient’ përcakton krahun e lindjes së diellit por dhe adhurimin e diellit) për shikim e lëvizje djathtas e majtas dhe poshtë e lartë, sepse rrethi 2D është figura më e lehtë gjeometrike dhe e persosur njëlloj si rruzulli 3D i yjeve dhe diellit që rrezit të gjitha drejtimet duke ndriçuar anekënd kopshtin hapësinor (sistemin tonë diellor me planete e hëna shoqëruese).

Mirëpo rrethi dhe rruzulli nuk janë gjithëmonë të përshtatshëm për ndërtim në tokë prandaj katrori përdoret në binjakësi ose si zëvendësim më i qëlluar që të përfitohet jo vetëm nga hapësira e shfrytëzuar plotësisht por edhe nga fortësia e ndërlidhjes, ndonëse në raste të veçanta edhe gjashtë-këndshi ose tetë-këndshi  janë edhe më të fortë; marrim shembull hojet e bletës me mure të përforcuara nga gjashtë anët, njëlloj si rrjetë futbolli, ekonomikisht shfrytëzohet tërë hapësira që përndryshe humbet në mes nëse dot’ ishin rrathë unazor si në logon e Olimpiadës, madje edhe trupi rulor cilindrik i bletës nuk has në pengesa por përputhet për hyrje brenda hojës ose huallit si në rreth të përsosur. Kjo përkon me parimin e ndertimit mbi katror ‘ad quadratum’ të katedraleve.

Qëndron një arsyetim bindës se pse mbijeton sistemi imperial i matjeve kur bota në përgjithësi e ka përqafuar sistemin internacional dhe përdor metrin si njësi matjeje në vend të këmbës (shputës apo pëllëmbës së dorës ose bërrylit të krahut). Nëse shumëzojmë katër këndet e drejta të katrorit 2Dimensional përfitojmë të njëjtën shumë shkallësh si të rrethit, 4x90=360 shkallë, mirëpo nëse i shumëzojmë me gjashtë faqet e kubit 3Dimensional (Qabe - Kaaba arabisht) përfitojmë një numër tjetër poashtu i rëndësishëm, 6x360=2160 që përfaqëson diametrin e hënës, në rrumbullakësim nga 2159.2, vetëm se me milje imperial - jo me kilometra ndërkombëtarë; ndoshta rastësi e ndoshta zgjuarsi e Egjiptit të lashtë për njësinë e tyre të matjes që njihet me emrin ‘kubit,’ (një bërryl), gjatësia nga maja e gishtave të dorës deri te bërryli që është diku rreth 21 inç ose 52cm, prandaj hëna e rruzulltë në qiell është përfaqësim përafërsisht si kubi (Qabeja) në tokë, e cila varet nga ndriçimi i rrezeve të diellit jetëmbështetës sepse pa yllin parësor nuk duket as hëna as toka.