Dashnor Kokonozi: Sa herë kaloj nga ajo...

Dashnor Kokonozi - Francë
Sa herë kaloj nga ajo, nuk rri pa e kthyer kokën për ta pyetur: së fundi a vendose të na thuash përse buzëqesh?
Ajo përsëri buzëqesh.
As dy herë nuk kam kuptuar të njëjtën gjë nga ajo buzëqeshje!
- Ka një keqkuptim. Nuk e kam mendjen te ju.
- Jeni ju që shihni veç buzëqeshjen te unë.
- Buzëqesh sepse nuk e di se ç’prisni nga unë.
- Në të vërtetë, jeni ju që më bëni të qesh.
- Edhe po t’ua them, ju do të më pyesni prapë.
- Më pyesni sepse e dini që nuk mund të flas.
- Si nuk e kuptoni se buzëqesh nga sikleti? Kam pesë shekuj para syve tuaj, pa asnjë intimitet!
- Çfarëdo që t’ju them unë, ju kurrë nuk do ta ndryshoni mendimin që keni për veten.
- Pse më pyesni mua, sa kohë që as nuk dini gjë për mua?
- Eshtë marrë Leo me mua? Ah, im shoq e paguante mirë.
- E ç’të bëj, tjetër veçse të buzëqesh? Im shoq është mbyllur në dhomën matanë me Leon. Portreti im është drama ime.
- Nuk e dini se jam e shurdhët që nga fëmijëria dhe nuk mund veçse të buzëqesh?
- Kam nevojë t'ju mbaj rrotull meje. Ndihem mirë kështu.
- Ju keni nevojë për dikë që t’ju buzëqeshë, jo t’ju gjykojë. Këtë prisnit t'ju them?
- Sepse ju dua, pa pasion, përjetësisht!
©Dashnor Kokonozi











