Arte & Media

“Jeta në duart e tjetrit” - Nga Vangjush Saro

 Vangjush Saro - Vancouver

Fjalë për filmin e kinoregjisorit Albert Xholi dhe analogjia me çdo kohë…

“Jeta në duart e tjetrit”, në vështrimin tim, është një nga prodhimet më të mira të kinemasë shqiptare dhe posaçërisht të kinoregjisorit Albert Xholi. Filmi u konceptua sipas skenarit të shkrimtarit dinjitoz e të (pa)harruar Lliko Nano. Por s’është ndonjë gjë e re të shtoj se kinoregjisori Albert Xholi merrte pjesë me sugjerime dhe kontribute konkrete në të gjithë skenarët e filmave të tij, (çka e kam pohuar edhe për kinokomedinë time “Shkëlqim i përkohshëm”).

Pas disa filmave të mirë me temë sociale, filma pa bujë, pa fiksime ideologjike, Xholi thyen tabu dhe godet sërish në “pika të dobëta” të shoqërisë shqiptare, por që sot, duke e riparë filmin, mund të vlerësojmë se janë të çdokohshme. (Në realitetin e të ashtuquajturit tranzicion, dukuria e shitjes në emër të një lloj komoditeti, u bë leksion dite.) Me filmin në fjalë kinoregjisori vazhdoi të krijonte profilin e vet në fushën e kinemasë. Përpjekjet e tij në këtë lëmë - çdo artist rreket ta bëjë veprën e vet sa më të veçantë - rezultuan pozitive, të vlerësueshme; edhe pse janë pak filma në karrierën si kinoregjisor.

Ndër prirjet e Albert Xholit, kryesore është qasja me sa më shumë “ndershmëri’ në art, sjellja e realitetit sa më natyrshëm. Kjo fillon që te “Vjeshtë e nxehtë e ‘41”, një film me metrazh të shkurtër - bashkautor Eduard Makria - kur për herë të parë në kinemanë shqiptare kuadri shfaq një grua që i dridhet zemra dhe ka frikë për të shoqin në prag të një demonstrate… (Gjer më atëherë, në filma kishte vetëm brohori dhe emfazë.) Droja, frika për çfarë na pret nesër, pasiguria për atë që bëjmë, është në natyrën e njeriut; dhe e filtruar nën dritën e xhirimeve, bëhet një nga tiparet e krijimtarisë së Xholit: Te “Fillim i vështirë” personazhi kryesor është në një pikëpyetje të madhe për të ardhmen e saj dhe ajo tronditet jo pak gjatë episodeve të filmit; Teto Kalina (filmi "Familja ime") vjen në Tiranë dhe nuk di si do të shkojë jeta e saj më tutje, por ajo gjithashtu përjeton jo pak trauma; heroi i kinokomedisë “Shkëlqim i përkohshëm” gjatë gjithë kohës është në frikë për të ardhmen e tij; po ashtu personazhet e filmit “Jeta në duart e tjetrit”, që nga akti i parë e më tej, kanë drojen dhe dilemat e tyre.

Duke e rifilluar nga titulli i fundit, le të themi se tipari tjetër i krijimtarisë së Xholit, fusha ku ai kërkoi, është përballja e njeriut me jetën dhe me egoizmin e vet:  Fredit (në rol Kristaq Skrami) pothuaj i erren sytë kur vihet në rrezik karriera dhe puna e tij e zgjedhur. (Vetë)poshtërimi i njeriut, në emër të karrierës dhe një pozicioni më komod në jetë, është një temë e përjetshme dhe jo thjesht shqiptare. Ramadani i filmit “Shkëlqim i përkohshëm”, për hir të qytetit, gjithashtu sajon një dashuri të rreme.

Kërkimet e kinoregjisorit në këto rremba të realitetit e të artit shënuan një kuotë gjithaq të lartë me filmin “Jeta në duart e tjetrit”. Aktorja brilante Eva Alikaj, që ishte në ditët e saj më të mira, shkëlqeu në film me sharmin dhe me talentin e saj. Një nga figurat më të realizuara në karrierën e tij aktoriale sjell në film edhe Bujar Asqeriu. E thjeshtë, e thellë dhe e pasuruar me heshtje nënkuptuese ishte loja e aktorit tjetër të spikatur Stavri Shkurti. Degradimi i personazheve kryesore - Spiros (në rol Bujar Asqeriu) dhe Fredit (në rol Kristaq Skrami) - është në kahje të ndryshme me lartësimin e figurës së Anës (në rol Eva Alikaj); ajo nuk ka motive të bëjë ndonjë zgjedhje tjetër, nuk mund të pranojë ndryshime në dukje të "përkthyera" si lumturi, por në thelb poshtëruese; për më tepër kur figura e atij që e gjuan, nuk i flet asaj për asgjë.

Në këtë vështrim, e gjithë krijimtaria e Xholit ka të veçantën e vet, kurse filmi “Jeta në duart e tjetrit” mbetet një krijim me vlera të spikatura, në përmbajte dhe në detaje, në mesazhe dhe në moral, një punë e realizuar më së miri edhe artistikisht. Kinemaja shqiptare, spektatori, mendimi artistik i çmojnë dhe do t’i çmojnë edhe më tej arritje të tilla. Jo pa njëlloj tërheqje vëmëndjeje, do të duhej të shtoja në këtë pohim edhe institucionet.

©Vangjush Saro