Poeti më i vjetër në botë - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto
Arti poetik është një nga artet më të vjetra të ligjërimit.
Historia e ligjërimit më të vjetër poetik të njohur dhe dokumentuar deri më sot, lidhet me emrin e poetes Enkeduanna.
Vargjet e saj janë shkruar në pllaka të pjekura argjili me shkrimin kunifer shumer 4258 vite më parë dhe konkretisht, midis viteve 2285-2250 para erës sonë. Shkrimet e saj u zbuluan nga kërkimet arkeologjike në vitin 1927 në Yre të Mesapotomisë.
Ajo pat qenë princeshë dhe fallxhore. Ishte fallxhorja e rangut më të lartë e Nannit, perëndeshës së hënës.
Janë gjetur dy poema me himne për perëndeshën Inanne dhe një vepër tjetër me himne të shenjta kushtuar perëndive dhe perëndeshave.
Ligjërimi i saj është një ligjërim ndryshe nga i i shkrimeve të shenjta kanunore. Ato janë vargje lirike të shkruara në vetën e parë, të cilat përcjellin emocionet e saj të drejpërdrejta.
Ajo përshkruan me hollësi përgatitjen e saj shpirtërore për t'u shkrirë plotësisht me perëndeshën, që adhuron, duke u bërë njësh me të e aftë që ta përtëritë ditën ndriçimin e përftuar prej asaj: “unë për hirin tënd kalova në trans,/Unë jam fallxhesa më e përkushtuar Enkeduanna!”
Ajo nuk i kursen epitetet duke përshkruar veten dhe bukurinë e vet. Ajo shkruan dhe për përgjegjësinë dhe peshën e rëndë që ka përkushtimi për të marrë shpesh vendime tronditëse: “Le të rrjedhin lirisht lotët e mi si pije e ëmbël për të shenjtën Inanni!”.
Ajo nuk dyshon për fatin që e pret. Në fund të poemës ajo e përshkruan veten e saj te dyert midis qiellit dhe tokës, si grua dhe si perëndeshë:
“Ato (lutjet) e arritën dritën e ditës, po për mua
Drita u shua.
Hijet e arritën dritën e ditës”
Në një himn tjetër Enkeduanna aludon, se internimi, që mund të merret si “sëmundje”, ishte “ndëshkim” për lëndimin që i shkaktoi perëndeshës së vet:
Këshillë (...)
Trishtim dhe pikëllim...
Zonja ime... përdëllim...bashkëvuajtje...
Jam e jotja! Dhe përherë do të jem! Më mëshiro,
Po e vuaj ndëshkimin tënd të madh,
Zonja ime, madhështia jote është e pamasë,
Ktheje dashurinë tënde ndaj meje!
Të pakrahasueshme janë bëmat e tua,
E lavdishme është madhështia jote...











