Arte & Media

Endacakët qiellorë - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi

Ishte një mik që më ftoi mbrëmë në çeljen e ekspozitës së Gazmend Lekës në Galerinë FAB. Sikundër në letërsi, edhe në pikturë duhet të kesh gjithnjë diçka për të thënë. Në mos, hesht!

Gazmend Lekën e shoh në kërkim të vazhdueshëm. Më befason nga ekspozita në ekspozitë. Është një artist që kërkon me nerv e mjaft aktivisht ide të reja. Në fakt është e rrezikshme. Si çdo eksperiment. Nuk i kam parë ato të fundit, por disa miq më folën mirë sot në mëngjes, ndërsa pinim një kafe.

U shkëputa vite më parë, kur më dukej se ai po kridhej në një lloj mistiçizmi, në një lloj alkimie pikturale. 

Mbrëmë pashë se shihte dritë në fund të tunelit. Nuk vura re ndonjë emërtim të saj, të ekspozitës së tij të re, por që në fillim më lindi ideja ta quaj “Endacakët qiellorë”.  Ishte një transpozim i një realiteti të ashpër tokësor i lexuar apo më saktë i interpretuar nëpërmjet teksteve biblikë.

Thënë shkurt, ashtu siç e kuptova unë, për të kapur kthjelltësinë dhe shenjtërinë shpirtërore, duhet të zhvishesh nga çdo lloj babazie e lakmie materiale. Dihet historia e Krishtit me një pasanik që donte ta ndiqte, por nuk hiqte dorë nga pasuria e tij.

Personazhet e Gazmendit kanë emra biblikë, Mark, Marie, Andrea, Pjetër, Lazar...  emra apostujsh dhe të atyre personazheve aq të rëndësishëm që ishin pranë  atij grupi të vogël njerëzish që i ndryshuan faqen botës.

Po të ngrini pak sytë, do të vereni se mbi ta dritëron zbehtë një brerore...

Por nuk duhet të ngrini fare sytë nga qielli për t’i parë ata vetë. Të paktën në formën tokësore të mishërimit të tyre. Përkundrazi, duhet t'i ulni që t'i shihni varfanjakët e rreckosur në cep të rruginave tonë, apostujt e një drite hyjnore, të një kujtese, mbase pa dashje, për mëkatët që i kanë shkatuar dhe po i shkaktojnë kësaj bote babëzia, pangopësi, lakmia për pasuri.

Ekspeditës i “mungonte” një apostull, Juda, ai, lakmia e të cilit për “30 aspra” shkaktoi aq drama për njerëzimit. Por, duhet të pranojmë, se pa të, mbase Krishtërimi nuk do të kishte lindur kurrë. Edhe kjo çështje pikëpamjeje.

Nuk e di pse e ndjeva aty mungesën e atij apostulli problematik, si kundërfigurë. Ama, jo duke lypur! Ai nuk kishte nevojë, me sa di ka qenë arkëtari i grupit.

Do të desha ta shoh me një litar në dorë. Aty ku e çoi babëzia dhe tradhtia e tij.

Një kujtesë kjo për shumë vetë, sot!

©Dashnor Kokonozi