Histori

Poezia e parë në gjuhën shqipe

Nga: Dorian Koçi

Tradita e shkrimit të shqipes tek arbëreshët është e dokumentuar të paktën nga vepra e Lek Matrëngës “E mbsuame e krështerë” 1592, libër që ka 28 faqe, i shkruar në dialektin tosk dhe që përfshin brenda tij poezinë e parë të dokumentuar shqipe. Ky fakt dëshmon se tradita e të shkruarit të shqipes në Shqipërinë e Jugut ishte po aq e konsoliduar sa dhe në Veri.

“E mbsuame e krështerë”, përmban doktrinën e krishterë, shkruar në dialektin toskë nga prifti arbëresh Lukë Matrënga. Siç pohon titulli, “E mbsuame e krështerë”, është pra, ‘Doktrinë e Krishterë’ në gjuhën shqipe dhe është një Katekizëm, përkthim i veprës së jezuitit spanjoll, At Dr. Jakob Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht.

Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në gjuhën italiane, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet të marrë sakramentet e shenjta. Kjo vepër u hartua për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin latinisht apo italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri, Sicili e në Pulje të Italisë.

 

Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,

të mirë të krështë, burra gra,

mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,

se s'ishtë njerii nesh çë mkatë s'kaa;

e lum kush e kujton se ka të vdesë,

e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,

se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,

e bën për bijr të tij e për vëlla.

(1592)

 

Burimi: doriankoci.blogspot.ca