Janar - Nga Kliti Kallamata
- Nga: Kliti Kallamata

Duke qënë se koha nuk ka as fillim e as fund njerëzit kanë krijuar kalendarët, të cilët nuk janë tjetër veçse sisteme për të organizuar kohën dhe ditët. Ata gjithashtu u kanë dhënë edhe emra periudhave kohore, si muajve, ditëve, javëve, madje edhe viteve.
Fjala kalendar vjen nga 'calendae', me të cilën emërtohej dita e parë të muajit në kalendarin romak dhe që kishte lidhje me foljen ‘calare’ (thërres), duke iu referuar ‘thirrjes’ në hënën e re, që u bëhej qytetarëve për të shlyer borxhet. Kalendari Latin, apo ‘kalenda’ ishte në fakt një "libër llogarish”, apo “regjistër", pasi me anë të tij mbaheshin llogaritë dhe mblidheshin borxhet në kalendat e çdo muaji.
Viti kalendarik romak fillimisht kishte dhjetë muaj dhe fillonte në Mars. Ai ishte një kalendar i lashtë, që i atribuohet mbretit të parë legjendar, Romulus. Tradita thoshte se ishte Romulus që emërtoi muajin e parë ‘Martius’ sipas babait të tij, Marsit, Perëndisë së Luftës. Ky muaj u pasua nga Aprilis, Maius dhe Iunius, emra që rridhnin nga hyjnitë ose aspektet e kulturës romake. Pas tyre muajt quheshin thjesht muaji i pestë (Quintilis), muaji i gjashtë (Sixtilis) e kështu me radhë, deri në muajin e dhjetë, Dhjetor. Muajt Janar dhe Shkurt u futën në kalendar nga Numa Pompilius, mbreti i dytë i Romës pas Romulus, duke plotësuar kështu një kalendar hënor prej 364 ditësh. Reth vitit 450 para Krishtit, Republika Romake vendosi që muaji i parë i vitit kalendarik të ishte Janari, gjë që u respektua edhe më vonë në Kalendarët Julian dhe Gregorian.
Pra edhe sot, mbas gati 2500 vjetëve, vazhdon që dita e parë e viti të ri kalendarik të jetë dita e parë e muajit Janar.
Shumë mendojnë se muaji Janar është emëruar për nder të perëndisë Janus, që ishte perëndia më i lashtë e romakëve. Adhurimi i Janusit daton gjithashtu në kohën e Romulus dhe ndoshta edhe para themelimit të Romës. Në dallim nga shumë prej hyjnive romake, Janusi nuk ka një homolog apo ekuivalent grek. Sipas mitologjisë, Janusi ishte Mbreti i parë i Latiumit dhe besohej se i kishte sjellë njerëzimit qytetërimin dhe rendin shoqëror. Duke vepruar kështu, ai e solli njerëzimin nga barbaria në qytetërim dhe ky kalim nga një gjendje e të qënit në një tjetër personifikohet me dy fytyrat e Janusit. Për romakët e lashtë, Janus ishte perëndia i fillimit dhe fundit, portave që hapen e mbyllen, kalimeve nëpër to, i kohës dhe dualitetit. Paraqitja e tij me dy fytyra, duke parë të kaluarën dhe të ardhmen, është interpretuar gjithashtu si një simbol që përputhet me ndërrimin e viteve.
Por në fakt hyjnia mbrojtëse e këtij muaji për romakët e lashtë ishte Juno, e cila ishte gjithashtu një ndër perëndeshat më të lashta romake. Ajo ishte një nga vajzat e Saturnit, gruaja e Jupiterit dhe nëna e Marsit, Vulkanit, Bellonas dhe Juventas. Ajo ishte ekuivalenti romak i Heras, mbretëresha e perëndive greke. Ashtu sikurse Hera, totemi i saj e shenjtë ishte palloi.
Juno ishte perëndesha mbrojtëse e Romës dhe e Perandorisë Romake. Juno quhej Regina (Mbretëreshë) dhe ishte një nga tre perënditë Triada Kapitolina (Juno, Jupiteri dhe Minerva, perëndesha e mençurisë), për nder të të cilave ishte ngritur një tempull i mrekullueshëm në kodrën Kapitolina të Romës.
Juno dallohej për aspektin luftarak. Kjo shfaqej dukshëm edhe në veshjen e saj. Zakonisht ajo paraqitej e armatosur dhe e veshur me një mantel prej lëkure dhie. Këtë paraqitje luftarake romakët e kishin huazuar nga perëndesha greke Athena, e cila gjithashtu mbante një lëkurë dhie, ose një mburojë lëkure, të quajtur 'aegis'.
Ciladoqoftë prejardhja e emërtimit nga Janus apo Juno, Janari vazhdon ende pas gati 25 shekujsh të jetë muaji i parë i vitit kalendarik.











