Histori

Legjenda e kalorësit pa kokë - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Kur duam të shkojmë diku në një vizitë turistike zakonisht bëjmë "search" në internet ose na vijnë në ndihmë miqtë me sugjerimet e tyre. Këtë radhë sugjerimi erdhi nga 'Washington Irving'. Pasi kisha lexuar përmbledhjen me tregime "Legjenda e Sleepy Hollow-t", kureshtja për të parë këtë vend qe e madhe.

Sipas shkrimtarit të njohur, lugina e vogël në mes të kodrave të larta, është nga vendet “më të heshtura në botë" dhe natyra e veçantë e banorëve të saj, pasardhës të hollandezëve, i dha emrin “Sleepy Hollow”. Vend i çuditshëm ku ende mbijetojnë legjendat. Hijet e fantazmave të shekujve të kaluar kanë zhvilluar supersticionin tek banorët.

Diçka magjike nderet mbi luginë. Legjenda më dominante është ajo e kalorësit luftëtar hessian pa kokë. Ai fluturon gjatë natës me kalin e tij në kërkim të kokës së prerë në betejë nga një top. Legjenda thotë se kjo ka ndodhur gjatë Revolucionit amerikan. Pas mesnatës dëgjohet troku i kalit i cili nxiton të kthehet në varrezat e kishës së vjetër pa u thyer errësira, ku sipas legjendës ndodhet varri i tij. Siluetën e kalorësit pa kokë e gjen kudo. Në këtë qytet të vogël bëhesh pjesë e fantazisë, jeton me fantazmat apo siluetat e së kaluarës. Si do ta ndjenit veten sikur në restorant t'u zgjasnin një menu në kapakun e së cilës u sërvir tabakanë një kalorës pa kokë?

***

“Sleepy Hollow”, është një fshat i qetë dhe i bukur në Westcester, NY, që mori formë në luginën e lumit Hadson, në gjysmën e parë të shek të 17-të nga fisniku anglez, Frederik Filips. Mbretërit e Anglisë, (atë kohë William dhe Mary), i dhuruan fisnikut një rrip toke prej 210 km gjatë lumit Hadson. Pikërisht aty ku bashkohen lumenjtë Pokantiko dhe Hadson, ai ndërtoi rezidencën e vet e cila më vonë u zgjerua e u zhvillua nga i biri, Adolfi, dhe pasardhësit e tij.

Në 1620, në bregun verilindor të Amerikës mbërritën pilgrimët me anijen e vogël të quajtur Mayflower, me qëllim për t’u vendosur aty përfundimisht. Pilgrimët shiheshin me sy te keq në Angli si “separatistë”. Ndaj e lanë Anglinë e shkuan fillimisht në Hollandë, e pastaj për të ruajtur të pastër besimin e praktikat fetare të pacënuara, morën rrugën e Botës së re, ku do të ishin krejtësisht të lirë në ushtrimin e tyre. Banorët e parë të këtij fshati, pra, ishin hollandezët.

Fshatit ‘Sleepy Hollow’, ende në embrionin e vet, i duhej kisha. Kisha hollandeze e Sleepy Hollow, konsiderohet më e vjetra në Nju Jork. Kush e ndërtoi kishën e fshatit? Nuk është vështirë për t’u marrë me mend. Qe pikërisht themeluesi i tij, Frederik Filips.

Ndonëse Frederik Filips e filloi shumë herët ndërtimin e kishës së fshatit, ngritja e saj eci ngadalë dhe përfundoi nga viti 1685. Dhe ja, edhe këtu hyn legjenda. Siç na tregoi Sara, rrëfyesja jonë, aty ku është kisha sot, Frederiku fillimisht u përpoq të ndërtonte një shtëpi, por shtëpia s’arriti të ngrihej kurrë, pasi muret e saj shëmbeshin vazhdimisht nga vërshimet e ujrave. Atëherë i dhanë një këshillë: “Ndërto një kishë”. Dhe ai ndërtoi këtë kishë. Prej asaj dite nuk pati më vërshime.

-Shihni tavanin e kishës, - na thotë Sara, godina është ndërtuar në formën e një varke të madhe të kthyer përmbys. Tavani është barku i varkës.

Qe pikërisht ashtu. Kisha ishte sa e bukur aq edhe e veçantë nga brenda. Ajo u ndërtua në mënyre të atillë, me dritare të vogla që t’u qëndronte shigjetave të indianëve.Vonë-vonë dritaret u zgjeruan dhe ambienti brenda u ndriçua më shumë nga drita e diellit.

Tani le të kthehemi në shtëpinë muze të Frederik Filips.

Për më shumë se tridhjet vjet ai dhe i biri Adolfi e zgjeruan pronën e tyre. Ndërtuan një plantacion dhe zhvilluan tregëtinë përmes Atlantikut. Thuhej se ata patën pronësuar më shumë skllevër se të tjerët, të marrë nga Afrika (burra, gra e fëmijë). Skllevërit punonin brenda dhe jashtë, për rritjen e prodhimeve të plantacionit dhe kujdeseshin për shtëpinë e gjënë e gjallë. Na bëri përshtypje tavani i ulët i katit të parë të ndërtesës, na u desh të ulnim kokat tek hymë brenda.

Oxhaku, ishte ruajtur si në origjinal, e rreth e qark pamë voza druri, dybek,tava balte, shporta etj. Kjo ishte dhoma ku punonin skllevërit. Pyetëm se përse tavani ishte kaq i ulët. Përgjigja nga rrëfyesja e veshur me rroba të shekullit të 17 -të, ishte: “Atëherë njerëzit nuk ishin kaq të gjatë sa janë sot (buzëqeshëm) dhe e dyta, duke patur dhoma me tavane të ulta, nuk harxhohej shumë dru për ngrohje. Kjo përgjigje na u duk më e arsyeshme. Në dhomat lart, tavanet ishin më të lartë dhe dhomat më të gjera. Dhomat e fjetjes ishin trajtuar me kujdes të veçantë. Krevate të gjërë të bollshëm, rrethuar me perde, tipike kjo për fisnikërinë e asaj kohe.

Takëmet e kuzhinës, filxhanet e kafesë, ibrikët ishin të një cilësie krejt të veçantë. Na thanë që ishin të ardhur nga Evropa - shenja fine, dëshmuese të pasurisë se të zotit të shtëpisë.

Në një parvaz dritareje na ranë në sy një palë pranga. Guxonte skllavi të largohej nga plantacioni? Ku të vente? A ishte i sigurt se nuk do të kapej, e të kthehej në pranga tek i zoti?

Jashtë shtëpisë tre katëshe syri shijonte një atmosferë baritore. Në natyrë, dele që kullotnin. Nën një tendë qe ekspozuar një kanistër me lesh, një furkë, një çikrik. Pak më tutje kulla e barit. Aparatet fotografike shkrepnin. Na kishte marrë malli për mjedis fshati.

Pas Revolucionit amerikan, anglezi Filips bashkë me familjen e braktisën pronën e tyre dhe u kthyen në Angli. Prona kaloi nëpër duar të tjera. Diçka edhe mund të ketë ndryshuar, shtuar a munguar. Gjithësesi, origjinalitetit historik iu qëndrua besnikërisht, duke i dhënë dhënë mundësinë qytetarit të sotëm amerikan të bëjë këtë udhëtim në të kaluarën e hershme.

Sara na tregon se Frederiku dhe familja e tij janë varrosur nën godinën e kishës, pikërisht nën atë vend ku qëndron prifti gjatë meshës. “Dmth pikërisht nën këmbët tona”, thashë me vete unë duke vështruar dyshemenë. Matanë dritareve dukeshin varrezat. Aty ndodhet edhe varri i kalorësit pa kokë, siluetës që rendte nëpër natë duke nxituar për të hyrë në varr para se të thyhej nata…

* * *

Meqënëse legjenda e kalorësit pa kokë është e pandashme nga shkrimtari që e përjetësoi atë në letërsinë artistike, le të themi edhe dy fjalë për Washington Irving (Uashington Ërving).

Uashington Ërving, është i pari autor amerikan i njohur në Evropë. Ai u lind në 1783, vitin e fundit të Revolucionit amerikan. Më i vogli nga 11 fëmijët, prindërit e tij skocezë i dhanë emrin e Xhorxh Uashingonit, heroit të preferuar të familjes. Nga historia mësojmë që edhe Markezi De Lafajet, pas Revolucionit amerikan, kur u kthye në vendin e tij, në Francë, djalit që i lindi ia vuri emrin Uashington, nga dashuria e respekti për kryekomandantin legjendar, të cilin e respektoi dhe e deshi si të ishte babai i tij.

Edhe pse studioi për drejtësi, Ërving iu dha letërsisë dhe fitoi simpatinë e mbështetjen e Uollter Skotit, Bajronit, Merri Shellit dhe Henri Longfellout. Fitoi reputacion të madh në Evropë dhe në tërë Amerikën si mendimtar e shkrimtar i madh dhe u nderua me medalje ari nga disa kryeqytete të Evropës. Kur u kthye nga Evropa u vendos në Sunyside, pranë Terry Town, e jetoi për 25 vjet me vëllezërit dhe fëmijët e tyre.

Pas vdekjes së të fejuarës së tij, Matilda Hofman, (1809) ai nuk u martua kurrë. Veç librave të tjerë, përfundoi biografinë e Xhorxh Uashingtonit në 1859, në prag të Luftës civile dhe vdiq atë fund Nëntori i rrethuar nga familja e tij. Shtëpia ku ka banuar Uashington Ërving, është qendër turistike dhe vizitohet nga artistë, politikanë e shkrimtarë nga e gjithë bota.

Shkrimtari i madh u varros në varrezat e Sleepy Hollow, në kishën e vjetër hollandeze, në atë pjesë toke të veçantë për të gjithë familjen Ërving, ku binte në sy një flamur amerikan.

©Albana Lifschin