Histori

Përse Dita e Kolombit? - Nga Arben Kallamata

Zyrtarisht, e Hëna e dytë e Tetorit në SHBA festohet si Dita e Kolombit. Por jo për të gjithë është përkujtim festiv. Për vendasit ajo është një ditë e tmerrshme. Sa vjen e më shumë njerëzit po bëhen të vetëdijshëm përse.

Republika Domenikane mbahet si një ndër vendet më të bukur, me plazhe të mrekullueshme dhe bimësi të gjelbëruar gjithë vitin. Vendasit të tregojnë me krenari se ishulli i tyre, Hispaniola, është nga të parët e zbuluar nga Kristofor Kolombi në 1492. Kolombi u mahnit aq shumë nga bukuria e atyshme saqë në ditarin e tij e quajti ishullin ‘Parajsë në tokë’.

Shënim 1: Pjesën lindore të ishullit e zë Republika Domenikane, që sot numëron afro 10 milionë banorë dhe përbëhet etnikisht nga 16 perqind të bardhë, 11 përqind të zinj, dhe 73 përqind të përzjerë midis tyre. Në perëndim të Hispanioles shtrihet Haiti, gjithashtu me 10 milionë banorë, kryesisht zezakë, mulatë dhe pakica të ardhura nga Afrika Veriore. Në të dy shtetet e Hispaniolës banojnë vetëm pasardhës të njerëzve që kanë mbërritur në ishull pasi aty shkeli për herë të parë Kristofor Kolombi. Asnjë shenjë, madje as edhe një gjurmë në AND nuk gjendet që të tregojë se në atë ishull përpara Kolombit ka jetuar një popullsi tjetër.

Pakkush në Republikën Domenikane, në Haiti dhe në botë është i vetëdijshëm ose dëshiron të flasë për tragjedinë njerëzore të ishullit, për gjenocidin që zhduku nga faqja e dheut ndoshta 3 milionë banorë që për mijëra vjet e kishin quajtur ishullin shtëpinë e tyre. Pakkush dëshiron të flasë e të mësojë se ishte pikërisht ai, “zbuluesi i madh”, admiruesi hyjnësisht i frymëzuar i bukurive të natyrës së këtij vendi i cili me vetëdije të plotë, me një plan të studiuar mirë, me gjakftohtësi, përllogaritje dhe mungesë të plotë emocioni, hartoi dhe zbatoi një nga kasaphanat më të mëdha të historisë.

Shënim 2: Fjalori i Oksfordit jep këtë përkufizim për fjalën gjenocid: vrasja e paramenduar e një grupi të madh njerëzish, veçanërisht të atyre që i përkasin një grupi etnik apo kombi të caktuar. Ndërsa Wikipedia e përcakton si eliminimi sistematik i të gjithë ose e një pjese të madhe të një grupimi racor, etnik, fetar, kulturor apo kombëtar.

Kristofor Kolombi u nis të shkonte në pjesën lindore të Azisë i mbështetur në një të vërtetë të njohur për kohën dhe një gabim në llogaritje. E vërteta ishte fakti që Toka është e rrumbullakët, fakt që dihej prej shekujsh dhe konsiderohej i padiskutueshëm nga ata që merreshin me shkencë, megjithëse kisha nuk e pranonte. Ndërsa gabimi u bë nga vetë Kolombi kur llogariti perimetrin e Tokës dhe largësinë që i duhej të përshkonte përmes oqeanit për të mbërritur në Azi. Ndërthurja e të vërtetës për rrumbullakësinë e Tokë me gabimin e Kolombit sollën një nga rastësitë më të rëndësishme në historinë e njerëzimit - takimin e dy qytetërimeve të zhvilluar për mijëra vjet larg njëri-tjetrit. Duke menduar gabimisht se kishte mbërritur në pjesën Lindore të Azisë, Kolombi i quajti vendasit e tokave në perëndim të Atlantikut “indianë”.

Në vend që ta shfrytëzonte këtë takim si një rastësi fatlume për banorët e të dy anëve të oqeanit Atlantik, si mundësi për të harmonizuar dy kultura të ndryshme që mund të zhvilloheshin fare mirë përkrah njëra-tjetrës, Kolombi përdori dinakërinë, forcën, djallëzinë, egërsinë dhe mungesën e plotë të humanizmit për të shkatërruar e vrarë.

“Nuk kanë as hekur, as çelik, as armë, dhe nuk janë në gjendje të përdorin armët; ndonëse janë njerëz me trupa të fortë, të bukur dhe çuditërisht të ndrojtur… Janë aq të padjallëzuar dhe të lirë në mënyrën si sillen, saqë vështirë ta besosh po s’i pe me sytë e tu. Kërkoju çfarë të duash dhe nuk të thonë kurrë jo; përkundrazi, të ofrohen vetë që ta ndajnë gjithçka me ty; dhe të çfaqin aq shumë dashuri sa të duket sikur ta japin me gjithë zemër; pak rëndësi ka nëse gjërat që të japin kanë vlerë apo jo.”

Ky është përshkrimi i parë që iu bënte Kristofor Kolombi në ditarin e vet vendasve të ishujve Bahamas ku shkeli në 12 Tetor 1492. Brenda muajit ai udhëtoi në ishujt ku sot janë Kuba dhe Republika Dominikane me Haitin. Në këto ishuj të lulëzuar ai gjeti popullsi që s’kishin pasur kurrë rastin të takonin të huaj - njerëz të qeshur, të shëndetshëm që dolën t’i prisnin të porsaardhurit nga deti me krahë hapur, buzëqeshur dhe të gatshëm për të ndihmuar.

Për herë të parë takoheshin dy kultura që për dhjetra mijëra vjet ishin zhvilluar të shkëputura nga njëra-tjetra. Në njërën anë vendasit e qetë dhe paqedashës, që jetonin në një shoqëri pa pronë, të organizuar në mënyrë të thjeshtë. Në anën tjetër europianët të ardhur me tre anije të mbushura me ish-kriminelë dhe të drejtuara nga Kristofor Kolombi, një ekspeditë e financuar nga Mbretëresha Isabelë dhe Mbreti Ferdinand me ambicien për të vënë në zotërim sa më shumë toka, për të mbushur arkën mbretërore me ar dhe argjend.

Ishin dy shoqëri krejtësisht të ndryshme. A kishte të drejtë njëra ta quante “të egër”, “të paqytetëruar”, “të pagdhendur” tjetrën? Dhe, nëse po, kush ishin të egrit e vërtetë? Kush është kriteri i “egërsisë”? 

Më poshtë, në të njëjtin ditar Kolombi shkruan: “Gjëja më e lehtë është t’i nënshtrosh këta njerëz. Nuk më duhen më shumë se pesëdhjetë vetë për t’i vënë të gjithë poshtë dhe për të bërë me ta ç’të dua”.

Pak është marrë historia me pyetjen se ku e gjente Kristofor Kolombi dhe ata që e financonin ndërmarrjen e tij të drejtën morale të nënshtronte njerëz të pafajshëm, t’iu rrëmbente tokën, t’i kthente në skllevër, e le më pastaj t’i vriste. E vetmja e drejtë në këtë rast ishte përparësia në armatim - shpatat e çelikta, kuajt, ushtarët e kriminelët e regjur që kishte me vete. E drejta e forcës, e dhunës. 

Rrugës së kthimit për në Spanjë Kolombi rrëmbeu dhjetra vendas, burra, gra, fëmijë, të cilët i rrasi në anije si skllevër. Shumë prej tyre vdiqën pa mbërritur në Europë, ndërsa ata që shpëtuan u brodhën si kafshë nëpër kafaze lartë e poshtë Spanjës. Ai i tregoi Mbretëreshës Isabelë dhe Mbretit Ferdinand gënjeshtra me bisht për toka të pasura dhe të begata; për popullsi të shëndetshme të gatëshme t’iu shërbenin europianëve si skllevër; për lumenj të mbushur me depozita ari dhe pasuri të pafund që madhëritë e tyre do t’i kishin në dispozicion. Me përrallat e tij ai arriti ta bindë çiftin mbretëror t’i jepnin 17 anije e 1200 ushtarë si edhe dorë të lirë të bënte çfarë të donte. 

Nën presion për të mbajtur fjalën e dhënë familjes mbretërore dhe i etur për t’u pasuruar, Kolombi tani kishte vetëm dy synime, nënshtrimin e vendasve dhe grumbullimin e arit, dhe këto mund të arriheshin vetëm me egërsi, dhunë.

Çdo vendasi iu kërkua të sillte një sasi të caktuar ari. Nëqoftëse e sillnin, atyre iu jepej një medalion i vogël teneqeje. Meshkujve që kapeshin pa medaljon iu priteshin duart, vareshin, ekzekutoheshin. Shumë shpejt dhuna u kthye në qëllim në vetvete.

Ndërsa burrat dërgoheshin larg në miniera ari, gratë detyroheshin të punonin në  plantacionet e porsakrijuar të rrënjëve të kasavës, një lloj patateje e ëmbël e vendeve tropikale. Me qindra fëmijë të braktisur nga prindërit vdisnin urie. Las Casas, prift katolik dhe bashkëudhëtar i Kolombit që i pa me sytë e tij tmerret e spanjollëve ndaj vendasve shkruan se “disa nëna ishin aq të dëshpëruara saqë i mbysnin vetë fëmijët e tyre”.

Sipas Las Casas, spanjollët “nuk e kishin për gjë t’i thernin indianët nga dhjetë apo njëzet përnjëherësh, madje edhe t’iu prisnin copa gjymtyrësh vetëm sa për të parë sa të mprehta i kishin thikat… një ditë, dy nga këta të ashtuquajtur të krishterë hasën dy djem të vegjël indianë me nga një papagall në dorë secili. Ata ua morën papagajtë dhe pastaj, për qef, iu prenë kokat djemve…”

Llogaritet se që nga viti 1494 (udhëtimi i dytë i Kolombit) e deri në 1508 vetëm në ishullin e Hispanjolës popullsia e vendasve të jetë katandisur nga 3 Milionë në 60,000. Por edhe po të mos ketë qënë 3 milion, siç pretendon Las Casas dhe bashkëkohës të tjerë, por thjesht 1 milion, siç pajtohen shumë historianë, shfarosja e plotë e vendasve të Karaibeve nuk mund të ketë emër tjetër veçse gjenocid. Ata pak që mbetën, u zhdukën më vonë për t’u zëvendësuar me skllevër të sjellë nga Afrika, një tjetër shtazëri europiane.

Kolombi i hapi rrugën një gjenocidi më të madh, i ekzekutuar më vonë nga të tjerë spanjollë si Kortezi dhe Pizzaros në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore, si dhe nga Puritanët në atë që janë sot territoret e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja. Ngritja e tij në statusin e heroit, zbuluesit më të madh të kohërave, njeriut që i hapi rrugë zhvillimit, etj., është pjesë e përpjekjeve për të justifikuar dhunën, vrasjet, gjenocidin; për t’i dhënë legjitimitet banditizmit të monarkëve dhe aristokratëve europianë, pangopësisë së tyre për pasuri dhe pushtet, paçka se këto vinin në kurriz të miliona viktimave, skllavërimit të popujve dhe shkatërrimit të kulturave e qytetërimeve plot vlera.

Ideologjikisht masakra u justifikua me luftën kundër paganizmit, kundër të pafeve, me përpjekjet për të pagëzuar dhe për të kthyer në rrugën e Zotit njerëz që kishin konceptime krejtësisht të tjera për mënyrën se si funksiononte natyra dhe shoqëria njerëzore.

©Arben Kallamata

Për më tepër mund të lexoni në këto adresa:

https://www.youtube.com/watch?v=5FBUEfdPDOQ&feature=youtu.be

http://www.thepeoplesvoice.org/TPV3/Past-News.php/2015/10/12/christopher-columbus-and-the-genocide-of

http://www.catalysthouse.net/the-real-legacy-of-columbus/

http://www.care2.com/causes/in-1493-columbus-stole-all-he-could-see.html