Histori

Roli dhe prania e luftëtarëve shqiptarë në Europën Veriore në shekullin XVI Pj. 1

Nga: Ardian Muhaj

Dëshmitë për praninë dhe rolin e shqiptarëve në vendet e Europës veriore, veçanërisht Vendet e Ulëta dhe Angli i hasim që në shekujt XIV dhe XV, kur shqiptarët dalin si detarë e rremëtarë anijesh, kryesisht veneciane. Këto dëshmi edhe pse të pakta në numër janë të rëndësishme sepse hedhin dritë mbi aspekte pak të njohura ose të panjohura të historisë sonë në këtë periudhë. Mirëpo shqiptarët vazhduan gjatë gjithë shekullit pasues të jenë të pranishëm në rrugën tregtare që lidhte Mesdheun me Europën veriore.  

Në shekullin XVI prania e shqiptarëve në Europën Veriore do të vazhdojë të jetë e ndjeshme, por tashmë jo si detarë e puntorë anijesh, por kryesisht si luftëtarë, apo stratiotë. Angazhimi i tyre ishte jo vetëm gjatë konflikteve në raste betejash, por edhe edhe si paqeruajtës në kohë paqeje. Pavarësisht prej faktit se në shekullin XVI luftëtarët shqiptarë i gjejmë deri në skajet më të largëta të Europës, nga Italia e afërt e deri në Spanjën e Skocinë e largët, porta e hyrjes së tyre në Europë ishte padyshim Venediku ose Napoli. Angazhimi i tyre në Itali nis që në fundin e viteve 70 të shekullit XV.

Stratiotët u bënë të njohur në historinë së Europës së shekullit XVI kryesisht si kalorësi e lehtë, në mesin e trupave të tjera bashkëkohëse. Kështu kontingjenti i mercenarëve europian përfshinte, jo vetëm stradiotët shqiptarë, por edhe francezë, spanjollë, gjermanë, italianë, që të gjithë me karaktesitikat e tyre dalluese. Kalorësia e lehtë zakonisht ishte e armatosur thjesht me një shigjetë e shpatë dhe më vonë edhe me ndonjë armë zjarri. Kjo i bënte ata të lëviznin më shpejt dhe të depërtonin më me lehtësi në thellësi të territorit kundërshtar se sa kalorësia e rëndë. Në njëfarë mënyre këto taktika luftimi ngjasonin me mënyrën e luftimit të spahinjve dhe akinxhinjve osmanë.  Stratiotëve u mvishej zakoni se nuk bënin robër por u prisnin kokat armiqve të vrarë apo të zënë rob dhe paguheshin një dukat për kokë.

Në Angli përdorimi i trupave të tilla të kalorësisë së lehtë u bë praktikë e zakonshme në shekullin XVI duke u shndrruar në një forcë të domosdoshme veçanërisht për mbrojtjen e zonave kufitare me Skocinë dhe në luftrat anglo-franceze në Francën Veriore. Monarkët tudorë të Anglisë në traditën e Luftës Njëqindvjeçare vazhduan të kenë pretendime dhe të dërgojnë ushtri në kontinent, kryesisht në Francë gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XVI. Ushtritë e Henrit VIII pushtuan pjesë të territorit francez tri herë gjatë kësaj periudhe, më 1513, 1523, dhe 1544. Tournai u pushtua më 1513 ndërsa Boulogne më 1544 edhe pse nuk u mbajtën për më shumë se një dekadë secila.

Megjithatë gjatë gjithë shekullit XVI forcat ushtarake angleze e kishin humbur reputacionin e shkëlqyer që kishin fituar në dy shekujt e mëparshmëm veçanërisht gjatë luftës Njëqindvjeçare. Një nga mangësitë kryesore duket se ishte fakti që monarkët anglezë praktikisht nuk kishin një trupë të rregullt dhe mobilizimi ushtarak bëhej vetëm në varësi të situatave, ndërkohë që kudo nëpër Europë ushtritë e rregullta, profesionale ishin bërë të zakonshme.

Rekrutimi i trupave ushtarake profesionale të huaja gjatë mbretërimit të Henrit VII ishte shumë i kufizuar, por gjatë mbretërimit të pasardhësit të tij Henri VIII përdorimi i tyre merr përmasa masive si asnjeherë më parë, duke rekrutuar me mijra, fillimisht në fushatat e tija në Francë dhe duke filluar nga viti 1544 edhe në Angli e në Skoci. Që prej fushatës spanjolle të vitit 1512, kur për herë të parë Henri VIII rekruton trupa të huaj, në këtë rast bëhet fjalë për 500 gjermanë, e gjatë gjithë mbretërimit të tij numri i tyre shkon duke u shtuar, duke arritur deri mijra trupa sidomos gjatë mbrojtjes së Boulognes dhe gjatë konfliktit kufitar me Skocinë. Kalorësia e rëndë rekrutohej kryesisht nga Gjermania dhe Hollanda, ndërsa kalorësia e lehtë fillimisht e rekutuar nga po këto zona, shkoi duke e zgjeruar prejardhjen gjeografike duke përfshirë kontingjente italiane e spanjolle si edhe stratiotë shqiptarë e grekë.

Në këtë kohë përdorimi i trupave të huaja në Europë ishte bërë një praktikë aq e zakonshme sa që për shëmbull në vitin 1542 Franca kishte rreth 70 mijë trupa të tilla të angazhuara kundër spanjollëve në Itali e Vendet e Ulta përveç trupave franceze, ku natyrisht nuk do të mungonin as stratiotët shqiptarë, edhe pse në numër të vogël krahasuar me kontingjentet e tjera.

Në këtë kohë Anglia si aleate e spanjollëve dërgoi një trupë për të mbrojtur zotërimet spanjolle në Vendet e Ulëta që kërcënoheshin nga francezët. Komanda e fushatës iu besua Sir John Wallop, i cili me 5 mijë trupa u nis nga Kalais në korrik. Grumbullimi dhe zhvendosja e trupave franceze në Hainaut, zonë strategjike për mbrojtjen e vetë Brukselit bëri që Wallop nën urdhrat e Marisë së Hungarisë të angazhohet në sulmin e fortesës së Landrecies në Hainaut-in jugor. Nga pikëpamja strategjike shihej si një pikë kyçe e krejt zonës dhe si hyrje drejt Artois dhe madje drejt vetë Brukselit. Kështu forcat angleze dhe trupat e huaja ndihmëse u dërguan. Për rreth 4 muaj sa zgjati rrethimi megjithatë nuk u arrit të merrej.

Nga fundi i tetorit rrethimi u hoq dhe forcat e Wallop u urdhëruan të ktheheshin në garnizon për të dimëruar dhe në fillim të nëntorit forcat angleze morën leje për t’u kthyer në Kalais. Mirëpo meqë komandanti anglez kishte fituar një reputacion si njohës i mirë i trupave në konflikt iu kërkua që përpara se të kthehej të hartonte një listë nga mesi i qindra komandantëve të huaj me të cilët ai kishte bashkëluftuar e bashkëvepruar përditë, që në rast se mbreti anglez Henri VIII, do të vendoste për të kaluar La Manshin dhe për të sulmuar Francën do të kishin dëshirë të bashkoheshin. Wallop nisi të mbajë shënime dhe pastaj informoi Sir William Paget, ambasador anglez në Paris dhe një nga dy sekretarët kryesorë të mbretit, se ai njihte rreth 40 a 50 shqiptarë të cilët mund të ftoheshin për të forcuar rradhët e skuadrës së Kalorësisë së Veriut të stacionuar në Guines. Grumbullimi i tyre vazhdoi gjatë fillimit të 1545 deri sa nga Kalais, sekretari Paget njoftonte nga fundi i shkurtit se ishin grumbulluar aq shumë mercenarë sa që kishin filluar të bëheshin shqetësim serioz për rendin e qetësinë e qytetit.

                                             

Situata kërcënuese ndaj anglezëve në Skoci bëri që të përshpejtohej dërgimi i trupave nga Franca veriore drejt kufirit me Skocinë. Në 27 shkurt, një trupë angleze prej 5 mijë vetash u sulmua në pritë nga skocezët. Një mijë e katërqind anglezë u vranë e u zunë rob. Për më tepër anglezët morën vesh se një ushtri franceze prej 6 mijë vetash pritej të mbërrinte në ndihmë të skocezëve në mars. Edhe pse forcat angleze të mobilizuara nga zonat kufitare arritën në rreth 30 mijë veta, Henri VIII e pa të nevojshme përforcimine tyre me trupa të huaja. Në mesin e këtyre trupave të huaja përveç spanjollëve, gjermanëve e italianëve ishin edhe një numër i caktuar stratiotësh shqiptarë. Në total një e dhjeta e ushtrisë angleze prej 30 mijë përbëhej nga të huajt. Inkuadrimi i tyre në këtë rast lidhej jo vetëm me faktin se ata nevojiteshin në fushatën e Skocisë por edhe sepse ata duhej të mbaheshin të angazhuar për luftën në Francë, ku lufta hë për hë kishte pushuar, përndryshe në se qëndronin pa “punë” në fakt përbënin një rrezik për vetë anglezët. Në fushatën skoceze dhe në mbrojtjen e Boulognes, Anglia bëri grumbullimin më të madh ndonjëherë të ushtarëve të huaj

Megjithë dislokimin në frontin skocez, anglezët bënë kujdes që të mos linin Boulognen pa mbrojtjen e duhur, prandaj numri i mercenarëve që grumbulloheshin aty vazhdoi të shtohet gjatë gjithë verës. Nga një listë e gushtit të atij viti nga një total prej 6,920 ushtarësh, 737 ishin të huaj, në mesin e të cilëve dalin edhe 102 kalorës shqiptarë që kishin ndërruar shërbimin francez për atë anglez.

Po ashtu në Guines, Hammes, dhe Kalais, ushtarë nga të gjithë kombësitë ishin grumbulluar. Mes tyre edhe shqiptari George Moszia nga Napoli dhe italiani Ludovico Morescotto, vinin nga zonat franceze ose nga vendet e ulëta. Drejt Guines në gusht 200 gjermanë dhe 300 spanjollë u dërguan për t’iu bashkuar një kontingjenti të konsiderueshëm anglezësh, shqiptarësh dhe italianësh.  

Atë dhjetor me fillimin e dimrit forcat angleze e të huaja u vendosën në kazerma, ndërsa një pjesë e tyre së bashku me shqiptarët u deklaruan të lirë për t’u kthyer në shtëpi. Mirëpo, sipas një këshille të Pagetit, ishte më e leverdisshme të mbaheshin mercenarët nën rrogë gjatë dimrit se sa të liroheshin dhe pastaj të rekrutoheshin sërish në pranverë. Ndërkohë mercenarë të rinj vinin vazhdimisht edhe gjatë dimrit kudo në zonën e frontit në Calais dhe Boulogne. Madje në këtë të fundit mbërritën aq shumë shqiptarë sa që u pa e arsyeshme që në krye të tyre të emërohej një komandant shqiptar, koloneli “Cavalier” Thomaso Bua. (vijon)