Shën Mërkuri i Arbërve - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi
Shumë pak vetë e dinë sot mes arvanitasve të rinj, thotë Aristidh Kolia, që para se luftëtarët e 1821 të kishin si Shenjtin e tyre mbrojtës Shën Gjergjin (që pas revolucionit u kthye dhe në Shenjtin mbrojtës të Greqisë), popullsia e arvanitasve shenjtorin e saj mbrojtës dhe më të përhapur kishte Shën Mërkurin. Emri Mërkur ishte shumë i përhapur mes tyre, më i shquari luftëtari stratiot, Mërkur Bua. Sot shkruan Kolia, për fat të keq gjen shumë pak kisha në Greqi dedikuar këtij shënjtori që dikur ishte mbrojtësi i luftëtarëve arbër stratiotë në Itali, Dalmaci, Francë, Austri, Flandër, Spanjë, Prusi etj.
Gjeneral Mërkur Bua (lidhjet gjenealogjike me familjet Shpata, Topia, Meksi, Zenevishaj, Zguro), Konti i Akuinos dhe Rokasekas, komandanti i 300 stratiotëve shqiptarë, që luftoi kundra ushtrive dhe mbretërve më të fuqishme të kohës dhe fitorja shkonte gjithmonë në kampin e tij. Historiani grek Koroneo thotë për Mërkur Buan se “ai është pasardhës i vërtetë i Pirros, i Akilit, i Eneas dhe i Aleksandrit të Madh”.
Mërkur Bua luftoi në ushtrinë e perandorit gjerman, Maksimiliani I, që prej vitit 1490, si komandant i përgjithshëm i kalorësisë së lehtë. Ai u njoh si aleat i Luigjit XII të Francës duke mundur spanjollët. Pas fitores venedikase të vitit 1513, Mërkur Bua pranoi të luftonte për venedikasit dhe u propozoi të tërheqë me vete dhe shqiptarët që i kishin mbetur besnikë perandorit. Në vitin 1506 i ngarkuar nga francezët, ai e shpëtoi Papën Julius II, duke i thyer keqas forcat e tiranit të Bolonjës, Xhovani Ventivolio.
Në vitin 1515 pranë Milanos është zhvilluar beteja e madhe e Marinjanit, duke hyrë në histori si “beteja e gjigantëve”, pasi merrnin pjesë ushtritë më të rëndësishme të Evropës. Mërkur Bua Shpata, drejtuesi i kalorësisë shqiptare në shërbim të Venedikut, arriti të trondisë udhëheqjen ushtarake të 40 mijë ushtarëve zviceranë, duke u gjendur në krah të Francës. Kjo është beteja e famshme, për të cilën kronikanet thone se zviceranët menduan se kishin të bënin me një numër shumë të madh kalorësish, duke marrë vendimin e tërheqjes dhe pranimin e humbjes.
Në të vërtetë aty kishin hyrë vetëm 300 kalorës shqiptarë. Mërkur Bua, ndonëse i plagosur, arriti të kapë 6 flamuj dhe katër topa të ushtrisë zvicerane. Beteja u fitua nga ai. Historianët thonë që u mund ushtria zvicerane që për 1500 vjet, që nga koha e Jul Çezarit nuk kishte njohur dështime. Prej asaj kohe Zvicra ka mbi 500 vjet në neutralitet.
Mbreti Françesku i parë i Francës, e paraqiti Mërkur Bua Shpatën e plagosur si shpëtimtarin e jetë së tij. Dhjete vjet më vonë, në betejën e Pavias, Mbreti Françesku i parë, aleatin Mërkur Bua Shpata e kish kundërshtar. Mbreti u mund, ra rob lufte dhe po mos të kishte qenë autoriteti i Mërkur Bua Shpatës edhe do ishte vrarë nga mercenarët katalanas.
Mërkur Bua Shpata ua mori mbretin Françesk katalanasave dhe i bëri atij nderimet si mbret. Flamuri i tij dhuruar nga Perandori Austriak, Maksimalian I, në 1510, përfaqësonte një shqiponjë të zezë dykrenore, kryqin e Dukatit të Burgonjës dhe rreth kryqit katër B, që simbolizonin gërmën e parë të familjes.

©Dorian Koçi











