Histori

Roja e patrullës shqiptare në Kajro - Nga Dorian Koçi

Charles Bargue (1826/1827 - 6 prill, 1883) është një piktor dhe litograf francez i njohur dhe për hartimin e një kursi të rëndësishëm vizatimi. Ai e hartoi këtë kurs vizatimi së bashku me piktorin tjetër të njohur, mjeshtrin Jean-Léon Gérôme. Ky kurs, i përbërë nga 197 litografi të printuara si fletë të veçanta, u botua nga viti 1866 - 1871. Litografitë e tij u përdorën si modele të realizmit klasik. Duke qenë mik i ngushtë i Jean-Léon Gérôme, i njohur si piktor që realizoi disa tablo nga jeta e shqiptarëve në Egjipt gjatë mbretërimit të Khedivit, edhe Bargue realizoi disa tablo për shqiptarët, apo arnautët siç thirreshin në Egjipt, që u qeveris për mëse 147 vjet nga familja shqiptare që e kish origjinën nga Mehmet Ali Pasha dhe pasardhësit e tij.

Dy nga tablotë e Bargue, pikërisht nga koha e qeverisjes së Egjiptit nga Khedivët shqiptarë, 1860, dhe 1870, të titulluara “Roja e patrullës shqiptare”, janë shumë interesante dhe aty shihen një shqiptar me qylaf në kokë, ndoshta nga Shqipëria e Jugut dhe një tjetër i veshur me fustanellë. Bie në sy veshja shqiptare si tipar i pandarë i shqiptarëve edhe në Afrikën e Veriut. Fustanella në këtë kohë jo vetëm ishte e përhapur në Kajro, Aleksandri dhe Ismailia por edhe në provincat më të largëta të Egjiptit të poshtëm, Sudanit e burimeve të Nilit, ku kishte shkelur ushtria e Khedivëve shqiptarë.

Udhëtari gjerman Georg Schweinfurth, një natyralist i njohur dhe që njihte gjuhët e afrikanëve, në kohën e sundimit të Ismail Pashës kishte udhëtuar drejt Khartumit dhe Nilit të Bardhë dhe pastaj ishte kthyer drejt liqeneve të Çadit, mespërmes kanibalëve të Kongos. Siç shkruan ai për udhëtimet e tij (1868-1875) mes të tjerash, ai kishte takuar atje “pigmetë” dhe mbretin e tribusë Mambutos, i cili ndiqej nga një rresht vajzash që ishin gratë e tij si dhe shoqëruesi Abd es Semate”. Ky i fundit sikurse e përshkruan Schweinfurth, “mbante uniformën e bukur të një prijësi të trupave shqiptare” (-Rama, L (2006). Arnauti Mehmet Ali Pasha “Napoloni Mysliman” parathënie e librit Gilber Sinoue “Faraoni i fundit” Globus R. Tiranë, faqe 12).

Ushtria dhe policia e Khedivëve përbëheshin kryesisht prej mercenarëve shqiptarë që vinin nga vendi i tyre për të shërbyer në Egjipt. Si Bargue ashtu dhe Gérôme, u ndikuan shumë nga Orientalizmi dhe miti i orientit në tablotë e tyre, duke pasqyruar një botë joshëse, gjithë ngjyra, por edhe ideale. Larmishmëria e kostumeve dhe ngjyrat e ambientit janë në kombinim me idealin e bukurisë antike mashkullore ku roja e patrullës shqiptare ngjan si një model i stilit të Davidit të Mikelanxhelos që pozon për Barger.

E gjithë atmosfera në pamje paqësore e një përhumbje shikimi të ushtarëve të rinj shqiptarë është e ngarkuar me armët e ndryshme të ngjeshura në brez që dëshmojnë për një tipar që të kujton poemat bajroniane dhe ilustrimet e Delacroix të këtyre poemave.

©Dorian Koçi