Histori

Historia si një udhëtim dhe reflektim - Nga Dorian Koçi

Çfarë mund të ofrojë historia e Revolucionit francez, nëse atë nuk e studion në lidhje me efektet dhe impaktet që pati në Evropë, në krijimin e shteteve-komb, apo deri në rrezatimet e tij këtu në Gadishullin Ballkanik. Lexime të tilla historish bëjnë të mundur që të ndihmohen nxënësit në arsyetimin dhe analizën logjike të ngjarjeve dhe të kuptimit më mire të dukurive shoqërore që ndodhën në atë kohë.

Këto lloj leximesh dhe shkrimesh të historisë, i tejkalojnë rrëfenjat panegjerike të shkruara në Mesjetë rreth herojve dhe ngjarjeve historike, të tipit alla Plutarkian, pasi janë një kombinim i mirë multidisiplinar i dijeve shoqërore. Gjithsesi lexuesi i ri apo dhe i maturuar, edhe në këtë lloj librash historikë mund të bëjë zgjedhjen e vet.

Për shembull, historianët prej kohësh kanë gjetur egzagjerime apo pasaktësi në veprën e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”, por vëmendjes së tyre nuk i ka shpëtuar “Kronika e Muzakajve”, e Princit arbër Gjon Muzakës, botuar në Napoli në 1510, një kryevepër historike e shkruar me stil lakonik, por gjithë informacion për botën mesjetare arbëre dhe Motin e Madh.

Për fat të keq ky është një libër që nuk ka fituar ende vëmendjen e duhur, edhe pse i botuar në mënyrë që lexuesit e rinj të mos hallakaten në folklorizma rreth Mesjetës shqiptare, por të arrijnë të lexojnë dhe rrokin thelbin e saj: marrëdheniet e arbërve me Sinjorinë dhe Osmanët, rëndësia e zotërimit të pronës, shpërndarja e gjakur arbër sa në Lindje e në Perëndim, konvertimet në Islam të klasës feudale, krushqitë dhe gjenealogjitë e familjeve fisnike arbëre.

Një variant i mirë i historisë sociale të kësaj epoke është dhe libri i Oliver Shmid “Arbëria Venedikase”, një përmbledhje e gjithë burimeve për qytetet shqiptare që ishin nën Venedikun duke përshkruar jo vetëm historinë administrative por edhe ekonominë, rrugët, ndërtesat, kishat etj.

©Dorian Koçi