Historia e burimit të rinisë së përjetshme - Nga Ethem Ruka

Ethem Ruka
Nuk besoj se ka një legjendë më të vjetër dhe më të përhapur në botë se ajo e ekzistencës imagjinare të një burimi çudibërës të jetës, uji i të cilit do të kishte aftësinë për pastrimin e shpirtit dhe trupit të njeriut. Kushdo që do të lahej ose pinte ujin e tij do t’i thoshte lamtumirë moshës së pleqërisë dhe do kthehej sërish në moshën e rinisë.
Shekuj të tërë kërkimi, por askush nuk mundi të gjente këtë burim magjik, këtë “fontaine de juouvence” për francezët, “jung-brunnen” për gjermanët, “veçnaja voda” për legjendat sllave, “aqua vitae” për latinët, “apa vie” për rumunët, “ungdomskilde” për norvegjezët apo “fuente de la juventud” për spanjollët.
Kjo ëndërr e shekullore vjen deri në ditët tona përmes, legjendash, mitesh, shkrimesh të shenjta e përrallash të shumta. Edhe përralla 97 e vëllezërve Grimm flet për një mbret të plakur që pasi piu ujin e burimit të jetës rifitoi rininë dhe vazhdoi mbretërimin e tij si dikur në moshën e rinisë.
Gojëdhënat thonë se edhe Aleksandri i Madh i Maqedonisë udhëtoi deri në Tokën e errësirës së përjetshme për të gjetur burimine jetës, ndërsa Sër John Mandeville deri në këmbët e një mali diku në breg të Detit Arabik.
Herodoti, babai i historisë së vjetër helene, shkruan për një burim jete diku në gadishulli perëndimor të Afrikës, uji i të cilit është aq i lehtë sa që asgje nuk mund të pezullonte në sipërfaqen e tij. Banorët që laheshin në të, dilnin me trup të ndritshëm dhe jetonin nga 120 vjet.
Piktorë e skulptorë të mëdhenj kanë lënë piktura dhe skulptura të mrekullueshme në të cilat është jetësuar fantazia për këtë burim magjik që rigjeneron jetën dhe e rikthen njeriun në moshën e rinisë.
Historia më mbreslënëse në kërkim të burimit të jetës është ajo e spanjollit Juan Ponce De Léon, i cili më 25 shtator të vitit 1493 u bë pjesë e një mijë e pesëqind lundërtarëve dhe 700 kolonizatorëve të ekspeditës së dytë spanjolle drejt “Botës së Re”, të udhëhequr nga Kristofor Kolombi. Synimi i ekspeditës ishte pushtimi i Hispanjollës, të zbuluar gjatë ekspeditës së parë të vititi 1492.
Ponce De Léon, pasi mbërriti në Porto Riko, filloi një aventurë të re duke u emëruar guvernator i ishullit të vogël Bimini, si pjesë e arqipelagut Bahamas. Aty mësoi për ekzistencën e një burimi jete që kishte aftësi të habitshme për të shndërruar të vjetrit në moshën e re dhe që mund të martoheshin sërish.
Ky mit ishte aq i përhapur te banorët e ishullit, sa Juan Ponce De Léon u bind se burimi ekzistonte me të vërtet. Kaq u desh që ai të vihej në kërkim të burimit, duke shpenzuar gjashtë muaj me ekspedita nga një ishull i arkipelagut në tjetrin.
Kërkoi shumë por nuk e gjeti dot burimin, e megjithatë nuk doli pa gjë se zbuloi Floridën e sotme. Për fatin e tij të keq indigjenët vendas i sulmuan pa mëshirë vizitorët e paftuar. Një shigjetë e helmatisur e kapi edhe Ponce De Léon. Disa ditë më von ai vdiq. Thonë se edhe ekspedita e tij u zhduk bashkë me të. Kështu u zhduk edhe endërra për të zbuluar burimin e jetës.
Legjendat e mitet nuk vriten nga shigjetat e helmatisura. Ato transmetohen, pasurohen, latohen dhe mbërrijnë deri në ditët tona.
Sot nuk besoj se ka më ndonjë iluzion për burimin çudibërës të jetës. E megjithatë miti i progresit vazhdon.
Vetëm shkenca dhe teknologjia janë “burimi i mundshëm i jetës” që premton shërimin e sëmundjeve, rritjen e jetëgjatësisë dhe një pleqëri të qetë dhe me sa më pak lëngata.
©Ethem Ruka











