Histori

Luani i Epirit - Nga Dorian Koçi

Historiografia botërore ende nuk e ka thënë plotësisht fjalën e vet mbi origjinën etnike e familjare të Ali Pashë Tepelenës si dhe mbi aksionet e tij politike për të realizuar pavarësinë e shtetit të vet. Ajo luhatet në shtretërit e ekzotizmit, orientalizmit dhe paragjykimeve kulturore. Ali Pashë Tepelena është figura më interesante dhe më karizmatike e kapërcyellit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX në historinë e Shqipërisë.

Koha në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij Pashai tepelenas ishte koha kur Ballkani dhe territoret perëndimore të tij, nën kontaktin e drejtpërdrejtë me ushtrinë franceze që pushtoi ishujt Jonianë dhe falë zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Europën, kaluan nga procesi i Mesjetës së vonë në iluminizëm ballkanik dhe nacionalizëm.

Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative e politike që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Kjo përpjekje modernizuese fitoi simpati të madhe mes udhëtarëve të huaj që vizituan Shqipërinë në këtë kohë, duke e trajtuar atë në veprat e tyre shumë herë pozitivisht, por nuk munguan dhe ngjyrat negative në varësi të shijeve, interesave diplomatike dhe afiliacioneve kulturore që këta udhëtarë përfaqësonin.

Deri më tash shpesh herë është marrë si i vërtetë pohimi i origjinës të familjes së tij nga një dervish i ardhur nga Konja dhe i vendosur në Tepelenë. Por në fakt, nga një dokument origjinal i parisë së Gjirokastrës, dërguar kryeqytetit të Habsburgëve, Vjenës, del qartë origjina shqiptare e Ali Pashë Tepelenës.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i derisotëm si një pasha oriental, i egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. Po kështu ai është vështruar nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive apo historisë së Frosinës, që e paraqesin si një figurë e degjeneruar dhe epshore, që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta.

Mirëpo realitetet historike flasin ndryshe. Ali Pashë Tepelena ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën. Epoka protonacionaliste që lindi gjatë sundimit të Ali Pashës ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së pashallëkut të tij, e cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar u nda në shqiptarë dhe grekë.

Rebelimi i tij edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Në këtë sens nuk mund të thuhet se kjo popullsi iu përgjigj dhe e kuptoi tërësisht mesazhin nacionalist që Ali Pashë Tepelena i drejtoi kur u rebelua ndaj pushtetit qendror, por nuk mund të lihet pa përmendur se në këtë kundërvënie ajo shumë shpejt gjeti orientimin e vet nacionalist.

Rebelimi i tij shënon kundërvënien e parë serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak osman dhe si i tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e duhur të historiografisë europiane.

©Dorian Koçi