Filozofia e kaçakut Shahin Matraku - Nga Gëzim Zilja

Gëzim Zilja
Më 08.12. 1883 çeta e Shahin Matrakut rrëmben (merr peng) patriotin dhe nismëtarin për hapjen e shkollës së vajzave në Korçë, Gjerasim Qiriazin, vëllanë e motrave Qiriazi, të njohura për veprimtarinë e tyre patriotike për përhapjen e arsimit shqip. E mbajtën peng gjashtë muaj nga 8 dhjetori 1883 deri në fund të prillit 1884 sa u pagua detyrimi i caktuar, rreth pesë mijë dollarë të kohës. Gjerasimi (1861-1894) lidhur me këtë ngjarje shkroi një libër me titull “Pengu i kaçakëve” ku përshkoi jetën që kaloi me kaçakët si peng.
Janë me të vërtetë interesante bisedat e gjata të zhvilluara midis tij dhe kaçakëve për të kuptuar pikëpamjet e një intelektuali atdhetar të kohës dhe pjesëtarëve të çetës së hajdutëve, që kishin dhe ata filozofinë e tyre, e cila vështirë të kalohet lehtë. Gjerasimi i drejtohet dikur njerit prek komitëve që quhej Toni Kokoneshi: “... Duke gjykuar tjetrin ti dënon edhe veten, pasi ke dalë malit me një tufë kaçakësh. Kur na i ditke detyrat ndaj të tjerëve përse nuk i zbaton atëherë. Kush të ndalon të bësh atë që të do zemra e të thotë mendja? Sikur këtë energji që përdor për gjëra të mbrapshta, ta vije në punë për drejtësi e mirësi besoj se sot do të kishe namin e mirë...” Kapedani i çetës Shahin Matraku, që po dëgjonte bisedën i drejtohet Gjerasimit, që këmbëngulte se gënjeshtra është mëkat i madh, prandaj pasi të lirohet do të tregonte të vërtetën, ashtu si dhe bëri pasi u lirua.

Gjerasim Qiriazi
Ia vlen të sjellim këtu një pjesë të diskutimit “filozofik” të Kapedanit në mbrojtje të parimeve të veta dhe çetës që drejtonte. Ai i kthehet Gjerasimit ndër të tjera me ligjëratën e gjatë: “... Ne s’ia kemi ngenë t’u vëmë veshin fjalëve të tua, se po ta kishim këtë s’do të dilnim kaçakë malit. Po ku u gjetka ai njeri që qenka ashtu si e do ti? Më trego vetëm një të kam rixha! A ka ndonjë që nuk vjedh, nuk gënjen e nuk lakmon? Ju që e mbani veten të drejtë e të ndershëm mos t’ju gënjejë mendja se jeni të larë! Gënjeshtra, hajdutëria dhe lakmia maten me kute të ndryshme dhe shpesh fajtorët rrinë rehat në shtëpitë e gjëllojnë në mes të atyre që gërthasin për drejtësi. Tërë bota e di se ne vrasim, plaçkisim dhe mashtrojmë, kështu që njerëzit ruhen prej nesh. Prandaj ma do mendja që nuk jemi aq të rrezikshëm sa të tjerët. Kush ia vë veshin atij që thotë të vërtetën? Si në kohët e vjetra edhe tani, ata që punojnë për drejtësi, të ligjtë duan t’i fshijnë nga faqja e dheut. Në sytë e botës të ligjtë mbahen për shenjtorë por përbrenda janë plot hilera e ligësi. Ata venë e luten në kishë, ndezin qirinjë e falin dhurata dhe pandehin se me bakshishe do të lajnë gjynahet e tyre. Po qe se Zoti ua fal kështu gjynahet, atëherë më parë më takon mua të shkoj në xhenet pasi unë nuk kam lënë kishë në Opar e në Gorë pa ndezur qirinj. E ç’qirinj pa! Jo si ata tuajët po na, sa krahu im! Shpesh i kam falur dhurata kishës, kam dëgjuar meshë. Priftërinjtë më kanë kënduar mbi kokë dhe nuk kam lënë zakon dhe adet të kishës pa bërë. Nëse nuk i bëj ashtu si duhet për këtë nuk është faji im pasi nuk më ka mësuar njeri. Zoti na ka bërë me qëllim fatzinj. Sikur të na qeshte fati edhe ne do të kishim pakëz dritë dhe puna do të mbrodhësonte mirëpo Zoti na ka lënë ta kërkojmë fatin vetë...”
Të dy palët e mbajtën fjalën. Shahini nuk e liroi Gjerasim Qiriazin, derisa familja pagoi çmimin e lartë prej 1000 lirash të vendosur nga kaçaku. Nga ana tjetër, intelektuali dhe patrioti i shquar Gjerasim Qiriazi e mbajti fjalën e dhënë, duke shkruar e botuar librin “Pengu i kaçakëve” që hedh dritë mbi veprimtarinë e kaçakëve në një kohë të vështirë për Shqipërinë e shqiptarët.

Tetë vjet më vonë, Shahini do t’i kërkonte falje Gjerasimit dhe iu betua se do ta mbronte shkollën e vajzave në Korçë derisa të ishte gjallë, fjalë të cilën e mbajti bashkë me Kajo Babienin. Sipas librit “Gjerasim Qiriazi - Jeta dhe vepra”, botuar më 1962, mbledhur e paraqitur nga Skënder Luarasi, Gjerasim Qiriazi në mes të tetorit 1891 hapi dyert e shkollës së tij për vajzat shqiptare në Korçë, duke sfiduar terrorin turk dhe veçanërisht atë grek. Në librin e tij Skënder Luarasi, mbështetur në kujtimet e Sevasti Qiriazit shkruan:
“…Qe ditë Ramazani. Një ndajnatëherë një burrë shtatmadh i armatosur gjer në dhëmbë (rreth vitit 1892 - shënimi im) qëndroi te dera e Gjerasimit i shoqëruar prej tre shokëve të tij po si ai vetë.
Mos u tremb, i tha Sevastisë, që doli t’i hapte derën, se tani vijmë si miq të Qiriazit. A është në shtëpi? Ndërsa e gjora vajzë po mendohej si t’u përgjigjej doli te dera Gjerasimi. Këta sapo e panë të gjithë u gëzuan si kalamaj. I pari i tyre ra në gjunjë: - Jam Shahin Matraku. Më fal për të keqen që të bëra. Pa më thuaj si të ta shpërblej të keqen që të bëra?
- Të gjithë njerëzit ngjet që t’u bëjnë ndonjë të keqe njëri-tjetrit, - u përgjigj Gjerasimi. - Unë kam çelur një shkollë këtu, shkollë në gjuhën tënë, për vajzat tona shqiptare. Dhespotët grekë dhe mytesarifët turq nuk duan të vinë këto vajza këtu në shkollë, që të mësojnë shqipen. Ti ma shpërblen të keqen me të mirë njëmijëfish po t’u sigurosh këtyre vajzave udhëtimin prej fshatrave në Korçë dhe prej Korçe në fshtrat e tyre.
- Do të bëhem qen i kësaj shkolle, - iu zotua Shahin Matraku. Bashkë me Kajo Babjenin* i dhanë besën Gjerasimit dhe e mbajtën deri në vdekje...”
P.S. Kajo Babjeni ishte kaçak nga Gora. Pas vrasjes së Shahin Matrakut mori komandën e çetës. Më vonë ai të do të lidhej me Themistokli Gërmenjin, në vitin 1906, dhe çeta e tij do të rreshtohej krahas çetave që udhëhiqeshin nga Spiro Bellkameni, Çerçiz Topulli, Qamil Panariti e Sali Butka, që luftonin për lirinë e Shqipërisë. Çeta e tij u dallua veçanërisht në luften kundër shovinistëve grekë, për mbrojtjen e Korçës.
(Burimi: “Gjerasim Qiriazi - Jeta dhe vepra”, botim i vitit 1962, nga Skënder Luarasi)
Tabloja lart: Spiro Xega, Çeta e Shahin Matrakut, 1930, Vaj, 108x130cm, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë











