Histori

Lufta e fundit e Zvicrës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Më 29 nëntor 1847 mori fund një luftë gati 4-javore në Zvicër, e cila në literaturën historike njihet si “Sonderbundskrieg” (Lufta e Lidhjes së Veçantë). Kjo është njëherësh lufta e fundit e zhvilluar në territorin e Zvicrës. Lufta u zhvillua mes liberalëve dhe konservatorëve të bashkuar rreth Lidhjes së Veçantë. Liberalët besonin se feja është çështje private, konservatorët e dëshironin fenë si çështje publike.

Kjo ishte kryesisht një betejë mes evangjelistëve (liberalëve) dhe katolikëve (konservatorëve të Lidhjes së Veçantë). Trupat e Lidhjes së Veçantë i komandonte Johann-Ulrich von Salis-Soglio, ndërsa njësitë e liberalëve Guillaume Henri Dufour. Në betejën e vetme të madhe të zhvilluar në nëntor 1847 në Gisikon dhe në Meierskappel në rrethinën e Luzernit, u vranë 93 ushtarë dhe u plagosën 510. Liberalët dolën fitues. Ata u përkrahën nga kantonet katolike Solothurn, St. Gallen dhe Tiçino.

Më 29 nëntor 1847 fillon ndërtimi i Zvicrës moderne, themelet e së cilës e kanë bërë atë ndër shtetet më të pasura dhe më stabël në botë. Shquhet pozitivisht sidomos roli i Guillaume Henri Dufour, i cili u bëri thirrje trupave të tij që të jenë të matura, të mos plaçkitin dhe të respektojnë fenë e bashkëvendësve të tyre. Nga kjo betejë, thoshte Guillaume Henri Dufour, duhet të dalim jo vetëm fitimtarë, por edhe të pafajshëm. Pajtimi i shpejtë mes liberalëve dhe konservatorëve zviceranë shmangu ndërhyrjen e fqinjëve në konfliktet zvicerane.

Dufour ishte strateg: ai bëri emër në përgatitjen e hartës së parë të Zvicrës në Gjenevë (“Harta Dufour” në shkallën 1:100’000), fitoi merita në krijimin e ushtrisë kombëtare dhe ishte ndër themeluesit e Kryqit të Kuq. Në fillim të vitit 1848 nisi të hartohej Kushtetuta e re e Zvicrës, e cila u miratua në shtator të atij viti. Nga një bashkësi shtetesh Zvicra u bë shtet federal, demokratik, me qeveri, treg të përbashkët, liri të lëvizjes, barazi qytetare, gjykatë federale dhe parlament të përbërë nga dy dhoma, duke u bazuar në sistemin amerikan. Dhoma e parë e parlamentit zviceran quhet Nationalrat (me deputetë popullorë), e dyta: Ständerat (ku përfaqësohen kantonet; edhe këta përfaqësues zgjidhen nga populli).

Kombi zviceran është i veçantë për shkak se uniteti i tij nuk buron nga gjuha e përbashkët, kultura, konfesioni apo dinastia, siç është rasti me kombet e tjera të Europës. Uniteti buron nga vullneti për të qenë komb (Willensnation). Juristi zviceran Carl Hilty (1833-1909) e ka gjetur një formulim të bukur: Jemi komb, sepse duam të jemi komb.

© Enver Robelli

Fotoja kryesore: Beteja afër Gisikonit (Muzeu Nacional i Zvicrës).

Portreti në të majtë: Guillaume Henri Dufour.

Portreti në të djathtë: Ulrich von Salis-Soglio.