Letërsi

Vangjush Ziko: Portreti i fundjavës

Erdhi prapë e diela

me këmishë të larë

veshur bukur

si besimtar që shkon të falet

(as për këtë s'kam kohë

falmi, Zot, mëkatet),

 

Barbeque-ja kundërmon

në oborrin prapa shtëpisë

me shijen e çlodhjes së tymosur,

 

Një gotë verë

me gjak të pastër lumturie

me djersën e javës e kunguar

zgjon vagëlluar ëndrrën time,

 

Dielli në perëndim

ma merr me vete

për një javë tjetër,

 

Në tëmthat

një fije floku më shumë

me argjend e larë,

 

Një rrudhëz e re pas buzës

firmos portretin

e fundjavës.

Tagged under Vangjush Ziko