Letërsi

Vangjush Ziko: Mushkëritë naive

Në këtë vapë përvëluese

qyteti merr frymë

vetëm

me mushkëritë e drurëve

endem rrugëve

si papunësia

e hidhur aroma

e filxhaneve të kafesë

në tavolinat e klubeve

erë gjaku

dhe tym baruti

nga frazat e gazetave

(me shijen e gënjeshtrave

përzjerë)

cinxërit

(si çdo verë)

s'pushojnë së cinxëruari

si politikanët

shatërvanët e reklamave

s'ia lajnë dot

djersën mërzisë sime

endemike

as panjat bamirëse

(që me freski

më mbështollën)

oksigjeni i tyre

më kujton

ëndrrat naïve

dhe Rusonë.

Tagged under Vangjush Ziko