Fabul nga Vangjush Saro: Përpëlitja
Një flutur nate, e mbetur vetëm,
gris heshtjen në dhomën e qetë.
Përplaset pareshtur
te abazhuri;
ndonjëherë (shushka) dhe pas murit.
Ç’ kërkon tamam, s’e di as vetë
por drita pareshtur e thërret;
dhe pse e djeg, e gicilon...
Ani! Ajo sërish atje ngarend,
pareshtur, pa u lodhur, deri vonë...
Dhe veç kur zgjuar
s’gjen askënd
(sepse dhe drita është shuar)
e zë një cep diku pa zhurmë,
mbledh mendt’, i ul krahët e tretur,
të bëjë dhe ajo një sy gjumë
natës së mbetur...











