Letërsi

Promovimi - Fragment romani nga Vangjush Saro

Letra 2

Tregimi yt, i larti Qako… është bërë objekt qasjeje në një mbledhje të rëndësishme. Kij durim e më ndiq. Ashtu. Po si jeni njëherë? Ne mirë. Ja. Sapo jam kthyer nga promovimi i jashtëzakonshëm që iu bë librit të Fehmiut, një mikut tonë. “Midis jetës dhe përjetësisë”. Kështu e titullon librin. E kishin organizuar në një lokal. Fjalën e rastit e mbajti shkrimtari elitar Tanush...Tanush-ë... E nejse. Nuk e fiksova dot mbiemrin. Por ishte një fjalë mjaft interesante. Ai e ngriti Fehmiun shumë lart. Folën edhe disa të tjerë. Pastaj u shtrua një koktej. Edhe kështu shkoi, folë edhe pi. Pi edhe folë. Vepra e Fehmiut u përshëndet edhe nga e bija, që ndodhej atje. Madje, më duket ishte me të edhe një shoqe e shkollës. Xhaxhi Fehmi, me këtë libër, na gëzove shumë, tha ajo. Rinia i do shumë librat, tha ajo...

Në koktej kishte edhe raki. Qoftet ishin të mira, paçka se u ftohën me kalimin e kohës. Por ama diskutimi qëndroi i nxehtë deri në fund. Fehmiu, tha dikush me gotën në dorë, po arrin majat e letërsisë. Me këto skica, shtoi një shkrimtare e re, autori ua fiton zemrën të gjithë njerëzve. Ajo do të jetë penduar pastaj, se Fehmiu i kërkoi numrin e telefonit; mua, disi mënjanë, më tha që oratorja dukej mjaft e interesuar... E nejse. E pashë me vend të diskutoja edhe unë. Nuk ka asnjë dyshim, thashë në fjalën time, që proza e z. Fehmi ka tiparet e një krijimtarie që flet për struktura të afërta me kohën. Me këtë vepër, theksova, ai renditet ndër shkrimtarët më të mirë të vendit. Në këtë mes, pata një bromp me fund me autorin. Këtu, ai prapë më pyeti në vesh nëse duhej t’i afrohej (asaj shkrimtares së re) pas takimit apo ta merrte në telefon... E nejse. Më tej, e analizova edhe më nga afër veprën në fjalë. Jeta dhe përjetësia. Hë? Përjetësia dhe jeta. Nëse themi jeta, kemi thënë edhe përjetësia. Midis të parës dhe të dytës ka një lidhje... E dyta qëndron pranë së parës. Kur flasim për të parën, ne e dimë se si evoluon e dyta. Por e dyta është gjithnjë në rrënjët e së parës... Hë? E para, nga ana e vet...

Sigurisht, i dashur, unë do të bëja edhe disa krahasime. Unë e kam parasysh shumë mirë që proza jote qëndron edhe më lart; prandaj vura në dukje se proza e Fehmiut të kujton disa tipare të prozës së Qakos. Ishte një nga fjalitë që u mbështet dukshëm nga shumë pjesëmarrës. Por ndërsa Qakua i vetëtin tregimet e tij si syprinën e një tepsie që sapo është blerë, thashë, Fehmiu na jep skica që gjithashtu shkëlqejnë... Ata duartrokitën për ty. E si mund të rrija unë pa vënë në dukje vlerat e veçanta të prozës tënde! Në fjalën time shpjegova gjithashtu se një shkrimtar i madh nuk e ndjek pas kohën, si ai bariu tufën e dhenve... Kur dhentë zënë e shpërndahen, Fehmiu vështron diellin... domethënë bariu... Në qoftë se jemi në të ngrysur, kur Fehmiu e kupton këtë, nxiton të mbledhë dhentë... Bariu. T’ëmën! Sekush tha atje që ky bën mirë të mbledhë mendtë. Kush, o? Unë, Qato Vjeshta? Egoistët!

E nejse. Por analiza ime u pëlqye shumë. Autori na dhuroi librat me autograf. Ai ishte kaq i lumtur. Mbaj mend që edhe poeti Mahmud... Mahmud-ë... s’e rroka dot mbiemrin, por ai bëri një bromp me mua në këto e sipër... Nexhipi gjatë gjithë kohës tundte kokën dhe thoshte: Madhështore! Guraliu përdori për Fehmiun termin gjigand. Madje ai dukej pak mëdyshas që s’kishte mundur dot të gjente një fjalë edhe më shprehëse. Njëri nga revista “Kafene” tha se nuk ishte ndjerë kaq i prekur që nga leximi i romanit “Hiret e saj”, i autorit... Atij nuk i kujtohej autori. Por sot ne jemi kaq të gëzuar, shtoi ai. Sepse proza e Fehmiut, tha një tjetër, që i kishte ndërruar pijet, është e lartësuar si malet krenare të këtij vendi. Dikush ishte kaq i emocionuar dhe i pirë, sa deklaroi që ky libër e kishte bërë për të qarë... Madje ai filloi të qante edhe atje. Mirëpo sekush tha që ai e kishte pijen me të qarë. Ishte një burrë i vjetër, por shumë i mbajtur. Filloi t’i fshinte lotët me kravatë.

Atje pati diskutime të zjarrta. Shumica nuk e kishin lexuar librin, por kjo nuk i pengonte asfare që të ligjëronin... Eh, more mik, ç’ngjarje!

(Fragment nga romani “Kurora e Ballkanit”)