Letërsi

Ribotohet romani “Drejt Epsilonit të Eridanit” nga Arion Hysenbegas

Ka pak kohë që është ribotuar dhe shpërndarë nëpër libraritë e Tiranës, romani fantastiko-shkencor “Drejt Epsilonit të Eridanit”, vepër e shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur me banim prej vitesh në Toronto, Arion Hysenbegas.

Kujtojmë që në botimin e tij të pare, libri u mirëprit me entuziazëm nga lexuesit dhe i gjithë tirazhi përkatës u shit brenda një kohe fare të shkurtër. Për të janë dhënë vlerësime të larta e plotësisht të merituara dhe autorin e kanë përgëzuar miqtë, të njohurit, dashamirët e lexues të shumtë. Ribotimi i jep lexuesit romanin në trajtën zanafillore, pa e prekur aspak dorëshkrimin e vet fillestar; është, pra, botimi i parë i plotë. 

      

“Drejt Epsilonit të Eridanit” tregon me një gjuhë të pasur e të pastër shqipe, me art e duke u mbështetur mirë në të vërteta shkencore, një udhëtim tërheqës, (që autori e vendos në shek. XXVI) plot ngjarje të larmishme me ngjyra të gjalla, përmes oqeanit galaktik.

Është një anije kozmike fotonike, që arrin të lundrojë me shpejtësi të afërt me atë të dritës (romani tregon edhe ndërtimin e saj) me një ekuipazh kozmonautësh të sprovuar e të guximshëm në bord. Anija përshkon hapësira të pamata kozmike, kapërcen vështirësi madhore, përballet me rreziqe të thikta, kryen zbulime të vyera befasuese, grumbullon thesare për dijen tokësore e nuk i ndahet synimit themelor: arritjes së një planeti që sillet rrotull yllit Epsilon të yllësisë së Eridanit. Nga ai planet, tregon romani, i janë dërguar Tokës radiosinjale të shumëpritura, të dëshiruara ndër shekuj, të kërkuara po qysh prej mjaft shekujsh më parë.          

Dihet që Toka nuk është e përjetshme. Dukuri të shumta natyrore shkatërrimtare mund ta sulmojnë rëndë planetin tonë nënë. Dihet, po ashtu, që vetë Dielli, “Zoti i jetës” në Tokë, nuk është i përjetshëm. Ai mund të vazhdojë të ndriçojë, të ngrohë, të udhëheqë sistemin tonë diellor edhe për vetëm disa miliona vjet, natyrisht, në qoftë se do t’u shpëtojë të papriturave kozmike dhe jeta e tij do të vazhdojë të mos goditet nga dukuri shkatërrimtare, gjë që nuk mund të jetë e sigurt.

Dielli, një yll i verdhë, i madhësisë masatare, nuk ka rezerva të pafundme energjie. Këto të vërteta, njihen nga shkenca (kryesisht nga astronomia, nga astrofizika) dhe qysh prej shkumë kohe, njerëzimi ka ëndërruar për të hasur jetë, qënie të arsyeshme dhe botë planetare jashtëtokësore me kushte të përshtatshme për jetën mbi bazën e karbonit, të ngjashme me kushtet e Tokës sonë, apo thjesht të përafërta me to e të pranueshme për gjallesat tokësore.

Shkenca pohon se Toka nuk mund të jetë i vetmi planet në Gjithësi, madje në Galaktikë, ku të ketë jetë. Veçanërisht në shekullin XX, Toka ka bërë përpjekje të drejtpërdrejta dhe vazhdon edhe sot të bëjë me këmbëngulje përpjekje për të zbuluar planetë të banuar nga qënie të arsyeshme, duke shpresuar të lidhet me to, të miqësohet deri të vëllazërohet. Ky kërkim i shërben pa dyshim dijes, por njëkohësisht, ka rëndësi jetike për njerëzimin, krijon përparësi për të ngadhënjyer mbi kohën, për të siguruar mbijetesën e njeriut përballë kërcënimeve madhore të pashmangëshme natyrore, …                

Romani “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i vlerësuar nga kritika si vepra më e arrirë letrare e autorit, përshkruan me mjeshtëri një realizim imagjinar të kësaj ëndrre dhe shprese të pashuar të njerëzimit dhe të bën ta besosh të vërtetë duke të endur njëkohësisht mes ngjarjesh rrëmbenjëse, takimesh befasuese, pleksje forcash, vështirësish, rrethanash fantastike. Libri, që lexohet me një frymë, e paraqet botën kozmike të gjallë, gjithë lëvizje, të shumëngjyrshme, të populluar nga trajta të panumurta lëndore që iu nënshtrohen një morie dukurish.

Në ditët në vazhdim, Flasshqip do të publikojë disa fragmente nga romani “Drejt Epsilonit të Eridanit” si dhe një bisedë me autorin.  

 

Arion Hysenbegas ka lindur në Tiranë, më 22 qershor 1943. U diplomua në degën e Matematikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti Shtetëror i Tiranës më 1964. Pas diplomimit e deri në vitin 2001, ka dhënë mësim në lëndët matematikë, astronomi e informatikë në shkolla të mesme, në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” dhe Universitetin Politeknik të Tiranës.

Për shumë vite ka qenë bashkëpunëtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” (redaksia e gjuhëve të huaja), i redaksisë enciklopedike të Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, i Radio Tiranës për emisionet shkencore dhe i revistës “Ylli” për rubrikën shkencore.                                                  

Arion Hysenbegas është autor i një varg artikujsh shkencorë (botuar gjatë viteve 1980-1990). Ai krijoi dhe drejtoi, në periudhën kohore 1993-1997, revistën e pavarur “Gjithësia”, një revistë e përmuajshme enciklopedike.

Nga krijimtaria e tij letrare veçohet:

“Si plasi një sulltan”, përmbledhje përrallash e tregimesh, 1977);

“Drejt Epsilonit të Eridanit”, roman fantastiko-shkencor, 1983;

“Lundrimi im i parë”, roman fantastiko-shkencor, 1991;                                                                     

“Tregime të harruara në një qoshe të fshehtë”, tregime, 2012.

“Duke shpresuar për një ditë të mirë”, roman, 2016.

Arion Hysenbegas është gjithashtu autor i disa librave studimorë dhe perkthimeve:

“Matematika dhe muzika”, 1984;

“Informatika”, 1987;

“Endje nëpër hapësira me n përmasa, ku n ϵ N”, 1997; 

“Matematika në artefigurative”, 2003;

“Ngadhënjim mbi mijëravjeçarët; Shqiptarët, një komb i pavdekshëm”, 2009;

“Fjalor i barbarizmave perëndimore në gjuhën shqipe dhe fjalëve përgjegjëse shqipe”, 2011;

Përkthime:

Schopenhauer, “Metafizika e dashurisë”, 1990;

Çelentano, “Parajsa është një kalë i bardhë, që nuk djersit kurrë”, 1998;

Girard, “Këta Don Zhuanë, që na qeverisin”, 2000;

Fitante, “Kjo është historia”, 2002.                                                                                                

@Flasshqip.ca